Barnat e rimbursueshme, fakte skandaloze që rëndojnë Ministrin Beqja

    162
    Skandalet e Beqajt nuk kanë të sosur. Skandali më i madh është lista e barnave të rimbursueshme, që pasi u miratua në Këshillin Administrativ të Fondit, duhej të kalonte për miratim në Këshillin e Ministrave, por në fakt nuk ka ndodhur kështu. Ajo ka mbetur për 1 muaj në zyrën e Ministrit Beqaj, i cili ka thirrur specialistin shpëtimtar të tij Zhan Levani dhe bashkë kanë hartuar nga e para një listë sipas orekseve të tij, pastaj e dërguan në qeveri dhe e miratuan. Kjo ngjarje ka krijuar dhe një përplasje midis Ministrit dhe Fondit, e cila ka përfunduar me dorëheqjen e Drejtorit të Rimbursimit në Fond, Ahmet Hysa, vetëm pas 6 muajsh në atë pozicion. Kështu Beqja i zëvendëson barnat me ushqime me origjinë të dyshimtë. Mendjen e ka përqendruar aty aq shumë sa, po të shohësh me kujdes kopertinën e listës së barnave të rimbursueshme 2016, është fokusuar një gjethe me një ampulë suplementi ushqimor si dhe nga dy tableta e dy kapsula me shtesa ushqimore. Konkretisht bëhet fjalë për “Aa Esenciales NM”, një shtesë ushqimore me aminoacide L-Leucinë, L-Valinë, etj. Sipas informacioneve të grumbulluara deri sot, rezultojnë disa të dhëna të frikshme lidhur me këtë shtesë ushqimore që tashmë është importuar dhe po përdoret nga të sëmurët me pamjaftueshmëri të veshkave dhe në dializë. Gjithashtu hulumtimet përputhen me informacionet e grumbulluara, të cilat po i rendisim si më poshtë:
    1. Aa Esenciales NM është suplement ushqimor dhe i paregjistruar në vendin tonë, por Beqja e ka barazuar me statusin e një bari të regjistruar. 
    2. Aa Esenciales NM nuk ka origjinën e prodhuesit, pasi Nutricion Medica është vetëm shpërndarës i ushqimeve, pra kemi sot në tregun farmaceutik një shtese ushqimore me origjinë të dyshimtë. 
    3. Nuk ka në kuti fletë udhëzuesin ku të përshkruhet indikacionet dhe kundërindikacionet në lidhje me të, si dhe përkujdesjet për të sëmurët. 
    4. Autorizimi i kompanisë Nutricion Medica është për të importuar ushqime nga vendet jashtë Komunitetit Europian. 
    5. Është importuar me Lejë Importi nga Beqja, kur ligjërisht shtesat ushqimore importohen me TVSH 20% dhe taksë doganore, duke favorizuar në këtë mënyrë dhe evasion të pastër fiskal. 
    6. Çmimi i një pakete është 49. 5 lekë, është deklaruar sipas dëshirës, nuk mund të jetë real dhe as nuk mund të barazohet me statusin që ka një bar, sipas legjislacionit shqiptar kompania prodhuese deklaron çdo vit çmimin e tij. Kush e ka deklaruar çmimin e Aa Esenciales NM? Kompania Spanjolle apo miqtë e Beqajt? 
    7. Së fundi ajo që është më e rëndësishmja shëndeti i pacientëve dhe siguria e kësaj shtesë ushqimore. 
    Është skandal që Shefi i Shërbimit të Nefrologjisë ka dërguar Ministrit Beqaj një letër, të cilin ai vetë ja ka kërkuar, ku përshkruhen përparësitë e kësaj shtesë ushqimore. Në fakt kjo letër është një dokument për të hapur një çështje penale ndaj shefit të këtij shërbimi, sepse ai ka marrë përsipër të garantojë cilësinë, sigurinë dhe efekshmërinë e të ashtuquajturit bar, sipas tij, pa pasur pasaportën ose Certifikatën e Regjistrimit dhe pa patur indikacionin në sëmundjet e veshkave. Përfundimisht po japim alarmin sa nuk është vonë, që jeta e pacientëve që do e përdorin është në rrezik nga dora e lëshuesit të lejes së importit, i cili vetë ka deklaruar në media se në vendin tonë qarkullojnë barna të falsifikuara, ndërkohë që i legalizon ato me dorën e tij. Ky alarm duhet të shqetësojë prokurorinë, të alarmojë mjekët e tjerë të këtij shërbimi si dhe pacientët që rrezikohen seriozisht me shëndetin e tyre.