Bardhyl Kapxhiu: Radarët që i mungojnë Shqipërisë për monitorimin e hapësirës ajrore

1641
U rrëzua avioni Italian privat në Divjakë dhe filluan deklaratat e politikanëve të djathtë në sulm dhe të majtët në pushtet, në mbrojtje. Deklarata është absurde nga të dyja palët. Ish kryeministri deklaroj se deri në lartësinë 3000m e kontrollojmë dhe e mbrojmë në hapësirën ajrore. (Me çfarë mjetesh vëzhgimi e kontrollon dhe çfarë mjetesh kundërveprimi e mbron?! Mbi 3000m e kontrollon NATO). Një zv/ministër i partisë në pushtet për ironi deklaroi nga Gjadri se hapësira ajrore është e kontrolluar nga radarët dhe nuk ka avionë të paidentifikuar që kalojnë apo veprojnë në hapësirën e Republikës së Shqipërisë. (Me çfarë radarësh, kur ushtria s’ka). 
Deklaratat në median e shkruar dhe atë vizive
Në gazetën “SOT”, dt.27.gusht 2015, në fq.4 lexoj se Malltezi (më duket se mbulon ambientet, pyjet e turizmin në PD) sulmon Qeverinë për radarët. Sipas gazetës thotë: “Shqipëria është i vetmi vend anëtar i NATO-S që nuk i punojnë radarët… Deri para tre vitesh i shërbente e monitoronte firma “LOCHEED MARTIN” me një kontratë me shtetin shqiptar dhe nuk kryhej dot asnjë trafik. (Ndoshta gënjeshtër nga mosnjohja ose e qëllimshme). Në lajmet e mbrëmjes në “TV KLAN”, dt.27 gusht 2015, u tha që radarët sekondarë nuk punonin dhe nuk e zbuluan avionin privat që u ul në Sevaster për drogë. (Radarët sekondarë punonin por nuk punojnë sipas dëshirës së gazetareve sepse kane rregullat e tyre per kryerjen e misionit ne menaxhimin e trafikut ajror civil). Në dt. 29 gusht 2015 gazeta “Sot” fq.13 shkruhet: “…,kush i fiku radarët e Mimi Kodhelit, kur kalonte avioni me mariuanë.” (Nuk kanë çfarë të fikin, sepse ushtria shqiptare nuk disponon radarë primarë 2 ose 3D, për vezhgimin e hapësirës ajrore. Radarët, për të cilët flitet në shkrim janë për zbulimin e mjeteve mbiujore e nënujore dhe për vëzhgimin e kontrollin e hapësirës detare). Deklaratat në median e shkruar dhe atë vizive nga të dy palët dhe opinionet e gazetarëve për këtë qëllim janë vetëm politike dhe tërësisht absurde për realitetin. Shqiptarët dëgjojnë e lexojnë deklaratat e tyre dhe secila palë mbështesin anën e tyre, për të treguar se sa inteligjente e të zgjuar janë në këtë fushë, që nga broçkullat që thonë janë në errësirë dhe injorancë teknike, por ndoshta nuk u intereson ta ndriçojnë. Nuk më intereson shumë politika, por mbrojtja e atdheut dhe siguria kombëtare është obligim për çdo shqiptar, prandaj në këtë këndvështrim desha të sqaroj se: “Hapësira ajrore e RSH është pasuri kombëtare, ashtu si për të gjitha vendet në NATO ose jashtë saj. Vëzhgimi, Kontrolli, Menaxhimi e shfrytëzimi i saj në kohë paqe është me vlera të mëdha ekonomike. Kufinjtë e hapësirës ajrore janë të paprekshëm, ashtu si kufinjtë tokësorë e detare nga agresorë të jashtëm (shtete) apo avionë “Renegade” terroriste. Për të vëzhguar, kontrolluar e menaxhuar këtë pasuri kombëtare është i domosdoshëm sistemi radar 3D (tre dimensional), Primar/Sekondar(PSR,SSR). Sistemi Radar/primar 2D, ndonëse teknologji e vjetëruar ka ekzistuar dhe fuksiononte deri në vitin 2005 në Forcat Ushtarake Ajrore Shqiptare me radarë të prodhimit lindor të viteve 60’-70’. Nga viti 2005 e në vazhdim hapësira ajrore kontrollohet e menaxhohet nga ANTA(Agjensia Nacionale e Trafikut Ajror) vetëm me 2 radarë sekondarë në Rinas (Porto Romano).”
Nevoja imediate për një sistem radar 3D, Primar/Sekondar(PSR,SSR)
Modernizimi e menaxhimi i kontrollit të hapësirës ajrore nga firma “LOCHEED MARTIN”, ishte një hap i madh cilësor për menaxhimin e trafikut ajror civil, që ishte i lidhur dhe me interesat e “EURO CONTROLLIT”, për rrugë të sigurta ajrore mbi vendin tonë dhe drejt aeroportit “Nënë Tereza” në Rinas. Nëse do ta shpjegonim në gjuhë më të thjeshtë, radarët sekondarë që punojnë pa ndërprerje 24 orë, kontrollojnë çdo objekt ajror avion, helikopter që janë të pajisur me transponder (pajisje identifikimi, komunikimi) dhe hyjnë brenda kufinjve tanë të hapsirës ajrore. Avionët, helikopterët që nuk e kanë këtë pajisje ose për arsye të ndryshme piloti nuk e vë në përdorim këtë pajisje, nuk zbulohen e nuk monitorohen nga radarët sekondare. Radari Sekondar nëpërmjet trasponderit në avion bën identifikimin dhe piloti komunikon, flet me ACC , e thënë më qartë me identifikimin kontrollori i ACC shkëmben informacion me pilotin dhe e drejton atë për në destinacion, kurse radari primar ushtarak (civil), zbulon çdo objekt ajror që fluturon brenda zonës së tij, duke përcaktuar saktë kordinatat (azimut, distancë, lartësi) shpejtësinë dhe drejtimin e lëvizjes me ose pa transponder. Sistemet e radarëve ushtarakë bashkëkohore që prodhohen sot në shumë shtete të zhvilluara, janë 3D Primar/Sekondar stacionare ose të lëvizshëm. Përderisa hapësira jonë ajrore nuk kontrollohet nga radarë 2D ose 3D primare ushtarake apo civile, askush të mos e mendojë se në hapësirën tonë ajrore nuk kalojnë avionë të paidentifikuar në lartesi e drejtime të ndryshme. Në lartësinë nën 500m për shkak të terrenit nuk garantohet zbulimi i objekteve ajrore me radarë primar/sekondar, përjashtuar drejtimin perëndimor(det), që mund të zbulojë radari 3D primar objekte ajrore në lartësinë 200-300m në distancë 60-80km jashtë kufirit shtetëror. E thënë më shqip, sot shteti ynë e kontrollon hapësirën ajrore me “veshë”pa “sy”. Syri është radari primar.
Lind pyetja:Kush do t’i vendosë “sytë” e atdheut, që të shikojë si gjithë fqinjët tanë, jashtë e brenda kufinjve shtetëror?
Në 25 vjet qeveri të majta e të djathta s’kanë menduar asnjëherë për këtë pavarësisht përpjekjeve të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë e Komandës të FUA. Pavarësisht studimeve dhe rekomandimeve të ekspertëve të FUA Amerikane, për vendosjen e 2 radarëve 3D primar/sekondar në veri dhe në jug të Shqipërisë, që në vitin 1994; pavarësisht 2 studimeve të ekspertëve të NATO-s për vëzhgimin e kontrollin e hapësirës ajrore të RSH dhe rekomandimet e tyre pas vitit 2004; pavarësisht rekomandimit të ekspertëve të firmës “LOCHEED MARTIN”, për një sistem radar 3D të përbashkët civilo-ushtarak.
Sa kushton një radar 3D primar/sekondar?
Një radar 3D primar/sekondar ushtarak kushton 14-16 milion Euro. Kur dëgjojmë akuzat e kundër-akuzat për vjedhje e shpërdorime dhjetra miliona euro, që palët i bëjnë njëra-tjetrës, do të kishim blerë mbi 10 radarë primar/sekondar3D, por Shqipërisë, ushtrisë shqiptare i duhen vetëm 2 radarë 3D primar/sekondar. Blini vetëm një për nevojat dhe kërkesat më imediate, për prestigj kombëtar, për bashkëveprim me fqinjët tanë e NATO të Forcave Ushtarake Ajrore të Ushtrisë Shqiptare. Duket sikur po bëj lutje, kur kjo është detyrim për sigurinë kombëtare, për të cilën përgjigjen Presidenti, si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe Kryeministri, por si qytetar me vjen keq që në këtë gjendje që jemi aktualisht. Një helikopter me një grup xhihadistësh mund të ulet në taracën e Presidencës apo të Kryeministrisë, apo një avion sportiv privat mund të lëshojë një “tufe me lule” në bulevardin mes presidencës e kryeministrisë dhe të largohen qetësisht për në punën e tyre. Nuk po them që të blini një bateri RDKA (raketa të drejtuara k/ajrore) që të asgjësohet helikopteri, por një radar primar 3D, që të paralajmërojë ardhjen e tij dhe të keni kohën e nevojshme të largoheni.

Sigal

Ish Kolonel- Specialist për radarë