Bardhyl HAZIZAJ/ Qeveria të ndalojë diskriminimin e Ushtarakëve! Duam drejtësi dhe dinjitet!

    451
    Sigal

    Në të gjitha rendet ekonomiko shoqërore dhe në të gjitha regjimet, ushtarakët kanë pasur një trajtim të veçantë, janë trajtuar si “kastë” e shoqërisë. Kjo “kastë” është  taksuar si një “copë mishi” e hequr nga trupi i popullit për ujqërit kur ti turren kopesë (popullit). Kjo “copë mishi” u hidhet atyre që të kacafyten me të dhe në vartësi të trajtimit që i ka bërë regjimi (morali, numri, përgatitja, armatimi) do të kacafytet me egërsirat dhe ndërkohë populli është ngritur dhe është bërë gati të mbrojë trojet e veta. Ky kurban i kombit(ushtarakët) ishte përgatitur për këtë situatë por kurrë nuk i kish shkuar ndërmend se një dite do të hidhej në greminë. Ushtria serbe u mund në fushën e luftës nga NATO dhe përsëri Serbia ushtarakët i trajton si pjesë e kombit. Mundet t’i zhvlerësosh sot ushtarakët duke thënë se ushtria nuk ka bërë luftë, por dije se nesër e pëson gjithë kombi. Ushtarakët duke parë se askush nuk i mbron nga kafshimet e politikës, tërhiqen zvarrë dhe nuk fajësojnë askënd, por e pranojnë mjerimin e tyre dhe të gjithë presin për të ndryshuar ndonjë gjë. Edhe kryesitë e “Shoqatave ushtarake” si “Kukuvajkat” po heshtin! “Mirë që s’këndon më bilbili, po qyqja pse gojën e mbylli…?”.

    Me Aktin Normative ju dha dënim politik kolektiv ushtarakëve, me justifikimin e gjendjes së jashtëzakonshme. Neni 173 –i Kushtetutës përcakton: 1. Në rast rreziku për rendin kushtetues dhe për sigurinë publike, Kuvendi, me kërkesë të Këshillit të Ministrave, mund të vendosë në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit gjendjen e jashtëzakonshme, e cila zgjat për aq kohë sa vazhdon rreziku, por jo më shumë se 60 ditë...  -3. Zgjatja e afatit të gjendjes së jashtëzakonshme mund të bëhet vetëm me pëlqim të Kuvendit çdo 30 ditë, për një periudhë jo më shumë se 90 ditë.”

    Qeverisja e Partisë Demokratike, ushtarakët i la në rangun si “kafshët” pa të drejtë pronësie, pa të drejtë ligjore, ajo i rrëmbeu gjithçka ushtrisë dhe popullit. Me të ardhur në pushtet më 1992 i nënvlerësoi problemet kryesore të mbrojtjes se vendit dhe të ushtrisë, pa ju referuar as përvojës dhe as historisë. PD shkatërroi ushtrinë, forcoi policinë dhe SHIK dhe ky gabim rezultoi fatal për PD më 1997. Të gjitha veprat e këqija ndëshkohen o herët o vonë! Në një situatë si ajo e 1997, do të ketë pasoja katastrofike, po të kemi parasysh ngjarjet në Bosnje Hercegovinë 1995, Kosovë me 1999 dhe ato në Londër në Gusht 2011, apo episodin e 22 korrikut 2011 në Norvegji, apo ai i muajit mars 2012 në Francë-Tuluz, Ukrainë , apo ngjarja e 7 janarit 2015 në Paris  ku xhihadistët “e prodhimit vendas” vranë 17 persona dhe shteti (policia) ndërhyri atëherë kur kasaphana përfundoi). Bota sot është në pikën më kritike. Rënia e ekonomisë të çon në krizë financiare, e cila gradualisht kthehet në një krizë sociale dhe pastaj politike. Vojisllav Sheshel ka bërë thirrje që në pranverë do të rrëzojmë pushtetin në Serbi. Opozita sot në Shqipëri po bën thirrje për revolta dhe konflikte, gjë që tregon se pranvera dhe vera do te jenë me temperatura të larta. Përçarjet e krijuara në gjirin e koalicionit të djathtë dhe atij të majtë po rriten. Në këto rrethana jemi të bindur se një ditë dikushkëtu ka për të rivendosur rendin dhe shteti do të fillojë të funksionojë.Kryeministri në vitin 2013 ushtarakëve u premtoi dy gjera: “Drejtësi dhe dinjitet”. Ky premtim ishte “kthimi i jetës, rreze shprese”! Ushtarakët e kuptuan se ndihma e shtetit është mbështetje e madhe për të kaluar këtë stres. Me largimin e PD nga pushteti me 2013, hapi i parë drejt Europës u hodh në qershor 2014. Hapi i dytë ishte ardhja e Papa Françeskut. Hapi i tretë  lufta kundër narkotrafikut. Hapi katërt do të ishte bërja e drejtësisë për ushtarakët. Ne ushtarakët shpresojmë te fjala e dhënë e Kryeministrit sepse  njerëzit në jetë e japin një herë fjalën e ajo ose mbahet ose shkelet.

    Ushtria ka pasur mobilizim të detyruar atëherë, sot vullnetar, por vështirësia është njëlloj. Ligji organik i Ushtrisë Nr 9210/2004, (Statusi i Ushtarakut-i miratuar me shumicë) në Nenin 1 –Qëllimi sanksionon: “Ky ligj përcakton pozitën juridike, ekonomiko-financiare dhe shoqërore, kërkesat e përgjithshme të pranimit, të drejtat, detyrimet dhe kufizimet e ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për arsye të karakterit të veçantë të detyrës  dhe të shërbimit ushtarak, si dhe garancitë ligjore për zbatimin e tyre”.

    Në Nenin  8 –”Vjetërsia në punë dhe në shërbim”-sanksionon:-1. Njihet si vjetërsi në punë e ushtarakut të Forcave të Armatosura, për efekt pensioni, periudha nga data e hyrjes në shërbim të Forcave të Armatosura, si ushtar me pagesë/profesionist, kursant (nënoficer) dhe student në shkollat e larta ushtarake, brenda dhe jashtë vendit. Kontributet për sigurimet shoqërore, për këtë periudhë, përballohen nga Buxheti i Shtetit.
    2. Vjetërsia e shërbimit si ushtarak aktiv, për efekt të pagës dhe përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, llogaritet nga data e titullimit oficer, nënoficer, ushtar me pagesë/profesionist në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
    3. Koha e kryerjes së studimeve, pas përfundimit të shkollës së lartë ushtarake, brenda dhe jashtë vendit, llogaritet si vjetërsi në punë dhe vjetërsi shërbimi si ushtarak aktiv dhe si kohë qëndrimi në gradë.”.
    Shumw ushtarakw nuk e përfitojnë pensionin në bazë të përcaktimeve ligjore sepse nuk i zbatojnë organet e sigurimeve shoqërore shtetërore.

    Në Nenin 35-“E drejta për pension të parakohshëm”-saktëson: 1. Oficerët, nënoficerët dhe ushtarët me pagesë/profesionistë, me vjetërsi shërbimi në Forcat e Armatosura 15 vjet për burrat dhe 12 vjet për gratë, gëzojnë të drejtën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në masën 50 për qind të pagës mujore deri në plotësimin e kushteve për përfitimin e pensionit të pleqërisë….”.Asnjëherë kjo formulë nuk është shfuqizuar por edhe nuk është zbatuar.
    Në Nenin- 36- E drejta për pension suplementar -:”Ushtaraku aktiv (oficer, nënoficer, ushtar me pagesë/profesionist,) i Forcave të Armatosura dhe ushtarakët në rezervë, në lirim ose në pension, pavarësisht nga koha e ndërprerjes së karrierës ushtarake, përveç përfitimeve të përcaktuara në këtë ligj, përfitojnë pension suplementar për vete dhe familjen, të përcaktuar në ligjin “. Të gjithë ushtaraket po sorollaten nga Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve për të marrë atë që u jep ligji dhe ligjvënësi. Kur do te marrin fund këto marrëzi ndaj ushtarakëve?

    Në nenin  44 -Mbrojtja e veçantë ligjore-shprehet:” 1. Jeta, figura dhe dinjiteti i ushtarakut dhe familjes së tij janë të paprekshme dhe mbrohen me ligj..”.

    Statusi i Ushtarakut për periudhën 1991 – 2009 pothuaj asnjëherë nuk gjeti zbatim edhe pse i miratuar me 100% të votave të deputetëve të parlamentit shqiptar. Të njëjtin fat të keq ka pasur edhe ligji i sigurimit shoqëror suplementar, i cili për periudhën mars 1996 deri në maj 2013 është ndryshuar 8 herë, gati një herë në çdo dy vjet dhe përsëri po kërkohet të ndryshohet.

    Moszbatimi i vendimit Nr. 9, datë 26.02.2007 i Gjykatës Kushtetuese, shënon aktin më skandaloz të shtetit ligjor e të së drejtës. Kushtetuta e Republikës ne nenin 132, pika 1 shprehet qartë se: “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi detyruese të përgjithshme dhe janë përfundimtare”. Në rrjedhojë të këtij qëndrimi permanent antikushtetues, i poshtëruari i parë ka qenë dhe është vetë shteti i së drejtës. Pas tij të poshtëruarit dhe të diskriminuarit kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë ushtarakët. Këtyre të fundit u është mohuar e drejta të përfitojnë atë masë pensioni të parakohshëm që u ka garantuar ligji që më 3 korrik të vitit 1991 dhe të konfirmuar më 23 mars 2004 dhe masa e pensionit suplementar të pleqërisë e vendosur që më 20 maj 2005.

    Arroganca e sigurimeve shoqërore ka arritur deri aty saqë shkelin Kushtetutën, Statusin e Ushtarakut, Vendimet e Gjykatës Kushtetuese pasi ato nuk kanë ekzekutuar as vendimet përfundimtare të formës së prerë të gjykatave, çka ka detyruar ekzekutimin e këtyre vendimeve nëpërmjet Zyrave Përmbarimore. Në kushtet e mungesës së ndikimit në zgjidhjen e problemeve që rrok trajtimi me sigurime shoqërore suplementare të ushtarakëve, pavarësisht përpjekjeve të deritanishme shoqata (AKUSH) shtron nevojën e bashkëpunimit, të bashkërendimit dhe koordinimit të përpjekjeve më të kualifikuara profesionalisht me “SHKURSH”, me shoqatat homologe të huaja për të rritur përpjekjet tona për trajtimin sa më dinjitoz të ushtarakëve që çdo ushtaraku të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë t’i përmbushet e drejta e mohuar për gjatë 23 vjetëve të vendosjes së sistemit demokratik. 

     Ne ushtarakët kërkojmë nga Qeveria:

    1. Zbatimin e ligjeve për reformat në Forcat e Armatosura.

    2. Sigurimet shoqërore të zbatojnë ligjin Nr. 7491/1991 i ndryshuar me ligjin 9210 datë 23.03.2004 (Statusin e Ushtarakut te Forcave te Armatosura te Republikës së Shqipërisë).

    3. Analiza e shkeljeve te ligjeve nga institucionet e shteti për të drejtat social-ekonomike të ushtarakëve në rezervë, lirim, pension, pasi deri tani janë cenuar disa parime bazë të shtetit të së drejtës siç janë: a) Parimi i barazisë para ligjit dhe i mosdiskriminimit.

    b) Parimi i moscenimit të së drejtës së fituar më parë me ligj.

    c)Parimi i sigurisë juridike, ku askush nuk duhet te ndjehet i shqetësuar, i kërcënuar nga ndryshimet e ligjeve.