Bardhyl Berberi: Shkatërrimi i liqenit të Ohrit vjen nga derdhja e lumit Devoll në Prespën e Vogël

    505
    Jeta rrjedh si një lumë i madh degë gjerë. Përherë në lëvizje, herë e vrullshme dhe herë e shtruar. Për të fiksuar dinamizmin e saj dhe të natyrës janë njerëzit e shquar, shkencëtarët që fiksojnë dinamizmin dhe madhështinë e saj. Janë këta shkencëtarë që nuk mbajnë një qëndrim pasiv ndaj asaj dukurie që lëviz por, bëhen pjesë organike e materies dhe do të ndjesh zërin e tyre me projekte konkrete shkencore për të transformuar natyrën, lumin, për të ruajtur liqenin, detin. Jetën e bëjnë njerëzit, por njerëzit e shkencës duhet t`i drejtojnë ata të prodhimit me projekte shkencore, t`u hapin horizonte që djersa e tyre të jetë e dobishme për t`i shërbyer shoqërisë dhe zhvillimit të saj. Ekonomia e tregut ju dha njerëzve një kuptim të ri mbi jetën, botën që i rrethon dhe transformimin e natyrës. Njeriu ynë i shquar, shkencëtari ndodhet kudo mes njerëzve me projekte konkrete për të transformuar natyrën. Atë e gjen anekënd vendit, ai është motori i vërtetë i jetë sonë. Njeriun e punës e gjen në ballë duke ndërtuar hidrocentrale, duke punuar tokën, metalin, gurin, drurin pranë lumit pranë liqenit, detit, majë malit. Atje ku ka nevojë për shkencë dhe mëndje të ndritur. Ai të hap projektin apo studimin dhe të thotë: A mund ta realizojmë këtë projekt kështu, se rezultatet do të jenë më të larta. ‘Tek njeriu më i thjeshtë që bën punën më të thjeshtë ka një derë nga hyhet. Kjo derë është në shpirtin e tij dhe duhet të mos harrosh të ulësh kokën për të kaluar atë prag”, – thotë Niko Pano. Dhe duke hyrë dhe duke dalë nëpër këto dyer shpirtrash njerëzor e percepton më gjerë jetën, duke iu vjelë atyre atë eksperiencë të vyer që ata kanë nga përvoja e jetës. E parë në këtë aspekt, çdo ditë e re që lind e gjen profesor Niko Panon në ballë të një studimi. Eja, me tha një ditë, kur ishte në Pogradec, të shkojmë në Prespë të shikosh masakrën! Shikoje këtë lumin e Devollit që e kanë futur në Prespën e Vogël që në vitet ’70, atëherë kur Enveri ishte më pushime në Pogradec, i paraqitën projektin e ujitjes së fushës së Korçës. Ca mendje të çartura servilësh i propozuan që të futnin lumin e ndotur të Devollit në Prespën e Vogël, në ujërat e kristalta të Prespës të futeshin ujërat e lumit Devoll, një nga më të ndoturit e gjithë rajonit, madje për të ndaluar llumin, sajuan një reduktor të ndalonte llumin, por ai ishte formal. Rezultati; sot Prespa e Vogël është drejt katastrofës dhe degradimit pasi atje janë futur rreth 5 milionë m3 aluvione! Kjo, – thotë profesori i urtë dhe i mençur Niko Pano – do një projekt rehabilitimi se përndryshe jo vetëm nuk do të kemi liqenin e Prespës, por do të shkatërrojmë edhe liqenin e Ohrit. Pasi, siç e dimë rreth 70 % të ujërave të liqenit të Ohrit vijnë nga Prespa. Por profesor Niko i sapo kthyer nga studimet e larta nga Shën Peterburgu i diplomuar shkëlqyer do të përplasej në zyrën e ish-kryeministrit të asaj kohe Mehmet Shehu, për disa orë rresht për një projekt që ishte realizuar në kundërshtim me rregullat, pasi degradonte liqenin e Butrintit në Sarandë dhe zhdukte midhjet nga liqeni. Në fillim të viteve ‘60, ngjarja në pamje të parë dukej e thjeshtë; Për të vaditur fushën e Vurgut u krijua kanali i Çukës me ujerat e ëmbla të lumit të Palasit dhe të Bistricës që derdheshin në liqenin e Butrintit, të cilat u devijuan nga liqeni i Butrintit, duke i hequr ujin e ëmbël dhe të freskët, që ishte i domosdoshëm për zhvillimin edhe të midhjeve duke ruajtur një temperaturë konstante edhe pse mund të ishte vapë, por dhe për të ruajtur ekosistemin e tij. Ja le të ndalemi këtë vit; nga vapa ngordhëm midhjet, nga prishja e ekosistemit madje dhe liqeni i Butrintit është drejt degradimit të plotë. “Ishte e pamundur të thyeje Mehmet Shehun,”- thotë Niko, meqenëse e gozhdova me argument shkencor, ai bëri të tijën duke i thënë profesor Nikos, “ti ke të drejtë more djalë por kush ka guxim t`i thotë Enver Hoxhës që të anulohet kjo vepër”. Por le të ndalemi tek një problem aktual thotë profesor Niko. E pe se çfarë dëmi shkaktoi vitin e kaluar lumi Vjosa në Fier, Vlorë dhe në Myzeqenë e vogël? Kështu do të mbahet ky lumë, kur dihet që lumi Vjosa është lumi më i egër me pellgun më të bukur dhe estetik në të gjithë Mesdheun. Ai rrjedh nga malet në det. Duhen marr masa në drejtim të sistemit hidraulik të ngrihen prita hidrocentrale që ai të mos jetë i dëmshëm. “Natyrisht që ky do një studim.” – thotë profesor Niko. Ai sapo ka nxjerrë një libër tjetër voluminoz: ‘Pasuritë ujore të Shqipërisë’, ku hedh dritë për shumë tema të rëndësishme dhe studime shkencore. Prandaj po ju jap një këshillë: Dëgjojeni profesor Niko Panon, se ai është një thesar vlerash për të sotmen dhe për të ardhmen!

    Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 15.12.2015
    Sigal