Bardhyl Berberi/ Ngrihuni o dëshmorë një çikë, të shikoni “mirësitë”

    472
    Disa ditë rresht një veteran i LANÇ, vëllai i një dëshmori njëherazi edhe vetë pjesqmarrës në këtë epope të lavdishme, i plagosur katër herë, më kërkoi të dinte se cili është mëkati i tij, që kishte dalë partizan për të çliruar atdheun, në moshën 17 vjeç, së bashku me vëllain, ndërsa ai ra heroikisht dhe ndodhet në Varrezat e Dëshmorëve me pllaka të thyera dhe simbole të dhunuara…- Cili është faji im, çfarë mëkat kam bërë unë që kam një valixhe me dekorata trimërie dhe ato dekorata që i kam marrë me gjak më kërkojnë që unë t’i dorëzoj! Patriotizmin që dikur e kam dashur shumë, madje shpesh kaloja në nota ncionaliste, sidomos sa herë luante kombëtarja jonë e futbollit, tani pothuajse më është zbehur krejt… Po pse, do të thoni ju. Kemi shumë figura të ndritura të kombit: Skënderbeu, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Adem Jashari dhe shumë e shumë e të tjerë që luftuan dhe dhanë jetën. Ata jetuan, luftuan, derdhën gjak për të çliruar atdheun nga okupatorët dhe ranë si trima, si askush tjetër. Ata mbetën heronj apo dëshmorë! 

    Asnjë kujdes për Varrezat e Dëshmorëve

    Shkoni në Varrezat e Dëshmorve dhe do të shikoni se si janë të shaktërruara, me pllakat e varrit të thyera, por kanë mbetur mbishkrimet “Ra dëshmor për çlirimin e atdheut”, vetëm 18 vjeç, 20 vjeç, 25 vjeç, dëshmorë dhe heronj në lulen e rinisë. Ata nuk vunë lule në themelet e Atdheut, por të ritë dhe gjakun e tyre…Gjaku i dëshmorëve është çmimi më i çmuar i gjithë popujve të botës, të cilët i kanë vënë në piedestal në sheshet kryesore të kryeqyteteve të botës. Punë e madhe, thotë dikush, se ranë dëshmorē. Pa më thoni, ju, se sot ç’është më mirë, të jemi të sinqertë, të jesh dëshmor apo politikan? Po dhe politikanët lindën, njësoj si dëshmorët, pa vullnetin e tyre, por jetën e çuan sipas vullnetit të tyre, ashtu këndshëm, si duan vet. Për mrekulli: pa brenga e varfëri, me autoritet e kënaqësi, me makina e vila në qytete turistike, me femra e shampanjë dhe posaçërisht me gënjeshtrat e partisë. More, po kush je që shkruan për dëshmorët, mund të pyesë dikush. Ndoshta për ju, s’jam askushi, po për gjakun e dëshmorëve jam, jam! Ģjaku i dëshmorëve është çmimi më i çmuar i të gjithë popujve. 

    Nderimi i dëshmorëve në kombet e qytetëruara

    A e dini se ku buron forca e shteteve? Te gjaku i pastër i të rënëve për atdhe, aty shprehet fuqia e veprimit dhe jo fuqia e mendimeve të zbrazura politike. Ata shprehin frymëzime, e jo gjykime politike, liri, e jo robëri politike. Dëshmorët dallojnë prej politikanëve, sipas esencës vepruese, e jo sipas akteve ligjore. Pse? Sepse shtetet janë krijuar prej heronjve, kurse heronjtë nuk janë krijuar prej shteteve po prej metaforave e simboleve kombëtare. Po partitë politike, a kujdesen për të rënët për atdheun? Sa herë që u nevojiten votat, ata respektojnë dëshmorët dhe heronjtë, duke u bërë edhe buste, për të mashtruar popullin e ngratë: sa të mirë bëhen, sa të sjellshëm e sa të urtë, sa popullorë e sa të afërt me masën e gjorë?! Por familjet e dëshmorëve nuk kanë as kushtet më elementare jetësore. Ata thonë “ne të partisë, shikoni, çfarë dashurie kemi ndaj jush veteranëve, të sëmurëve, që duhet të votoni”! Politikanët e sotëm e dinë mirë se historitë e luftërave tona janë të mbushura me epope heroizmash dhe gjak, kurse historitë e politikanëve janë të mbushura vetëm me fitore të parave, bizneseve, korrupsionit, tendereve e lezeteve. Politikanët more njerëz, a kuptoni, se historitë e heronjve, arteve dhe kulturave janë të mbushura, vetëm me fitore të zemrave dhe të shpirtrave. Politika dhe politikanët janë të përkohshëm dhe jo dëshmorët e heronjtë. Dëshmorët, heronjtë, të rënët për liri përbëjnë themelin e shtetit, flamurit, gjuhēs e kulturës së një populli, kurse ju, o politikanë, që talleni me ata dhe nuk i respektoni, ju përbëni themelin e shkatërrimit të popullit! Dēshmorët janë kulminacione dhe shtylla më të mëdha për shpëtimin e popullit nga robëria. Prandaj mundoheni t’i shtrydhni shpirtrat e ish-luftëtarëve për të jetuar ju më mirë. Luftëtarët, dëshmorët janë ndërtuesit e atdheut shpirtëror. Atdheu shpirtëror është vlera më e madhe, se dheu ku ju jetoni duke mashtruar. Forma e dheut fizik ku ju përfitoni vlera materiale është spërkatur me djersën dhe gjakun e tyre. Shumë pak politikanët kanë dashuri për të rënët për atdhe dhe veteranët. Vetëm shpirtrat e lartë të furnizuara me vlera të larta dashurie prezentojnë dhe vlera të larta kombëtare. Dëshmorët e kanë dashur Atdheun, përderisa u flijuan për atë. Politikanë mosmirnjohës, dashuria juaj ndaj parave e pasurisë, ju ka dhënë varfëri shpirtërore e kulturore. Ju keni bërë para dhe pasuri pafund, por jeni të varfër shpirtërisht, sepse pa përpjekje, pa sinqeritet, pa dashuri, pa sakrifica ju i keni vënë këto pasuri duke shkelur mbi gjakun e dëshmorve dhe heronjëve. Por populli thotë “është harram” të grabitësh pa djersë dhe një ditë do t’iu ngecë në grykë ajo që keni grabitur. Një takëm nga ju politikanët e sotëm i nënçmoni dhe harroni se ju jeni aty se ju ka sjellë gjaku i tyre, ky thesar shpirtëror i popullit.
    Pensioneve për invalidët e luftës kundër pushtuesve nazifashistë
    Pensioni për invalid lufte është një pension që bazohet në Ligje dhe VKM, që iu jepet invalidëve të Luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar., datë 17.11.1994 “Për statusin e veteranit të Luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar”.
    Kush e përfiton
    Të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të huaj, që janë plagosur dhe gjymtuar duke luftuar kundër pushtuesve nazifashistë nga 7 Prilli i vitit 1939, deri në çlirimin e Shqipërisë; Luftëtarët e inkuadruar në ato njësi të ushtrisë që janë plagosur dhe gjymtuar duke luftuar jashtë kufijëve të Atdheut deri më 09.05.1945; Të gjithë personat, që janë plagosur dhe gjymtuar, duke zhvilluar veprimtari të organizuar në ilegalitet, në prapavijë të armikut ose në zonat e çliruara; Të burgosurit dhe të internuarit, që janë plagosur dhe gjymtuar në burgjet dhe kampet nazifashiste, brenda dhe jashtë vendit.
    Procedurat dhe dokumentacioni
    Libreza e pensionit të invaliditetit të Luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar, ose e pensionit të pleqërisë, kur në të është llogaritur edhe shtesa si invalid lufte; Vërtetimet zyrtare të lëshuara nga Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Rendit Publik, Dega ushtarake, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit, Spitali Ushtarak, si dhe çdo akt tjetër zyrtar që vërteton plagosjen dhe gjymtimin, sipas nenit 1, të Ligjit nr. 7763, datë 20.01.1993; Kur nuk ka dokumenta zyrtare, plagosja dhe gjymtimi në Luftën kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar vërtetohet në rrugë gjyqësore, sipas dispozitave në fuqi; Të qënit invalid, grupi përkatës dhe ndryshimi i grupit të invaliditetit të Luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar, përcaktohet nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë, mbi bazën e kërkesës të të interesuarit ose të sigurimeve shoqërore, sipas kritereve të Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
    Masa e përfitimit
    Invalidët e Luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar përfitojnë një shtesë mujore, mbi pensionin e invaliditetit në masën: 4 000 lekë për grupin e parë të invalidëve; 3 500 lekë për grupin e dytë të invalidëve; 3 000 lekë për grupin e tretë të invalidëve; 2 500 lekë për grupin e katërt të invalidëve. Këtë shtesë invalidi i Luftës e merr edhe kur del në pension pleqërie. Kjo shtesë do të ndryshojë aq herë sa ndryshon dhe pensioni i pleqërisë. Efektet financiare për përfitimin e shpërblimit të veteranëve të Luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar fillojnë nga 01.02.1993. 
    Sigal