Dy ngjarje rrëqethëse që të lenë pafrymë njëra në Fier dhe tjetra në Korçë .Ne jemi duke aspiruar për në Evropë, këto krime dhe standarde, janë shumë larg asaj që pretendojmë. Në këto 26 vite po shohim dhe po dëgjojmë krime makabre, si e majta dhe e djathta në këto vite tranzicioni kanë dështuar. Njerëzit janë të paaftë të menaxhojnë këto situata të vështira, pasi ato janë komplekse dhe të shumta. Këto ngjarje janë rrjedhojë e dëshpërimit , varfërisë pasigurisë, pasi krimi zbret nga salla e parlamentit në familjet shqiptare. Jemi një shoqëri pa vlera, njerëzit nuk kontrollojnë instinktet dhe po kthehen në shtazë. A mund të varen dy engjëj apo të hidhet gruaja nga kati i katërt! Shoqëria shqiptare është e armiqësuar dhe copëtuar në grupe, klane, fisnore, banda edepsëzësh të përzier me politikanë të “fortë” me muskuj fizikë që bëjnë gjithçka u do qejfi janë përfshirë nga një delir madhështie, se me atë karrige që kanë marrë mund të sundojnë të emërojnë këdo në punë që nga të afërmit deri tek dashnoret. Këtyre bandave me karrige shtetërore u mungojnë muskujt e trurit. Kjo bandë edepsëzësh ushtron dhunë psikike dhe fizike në çdo segment të shoqërisë – në lagje, në fshat dhe në qytet. Këta e ushtrojnë abuzimin me bekimin e shtetit; janë të mbrojtur nga ligji i korrupsionit se dhe karrigen ku janë ulur e kanë blerë. Janë këta zullumqarë që po e rrënojnë shtetin e së drejtës. Dhe po e copëtojnë shoqërinë shqiptare. Nga ana tjetër, qytetari ndjehet i vetmuar, i frikësuar, i pambrojtur nga ligji për shkak të institucioneve të korruptuara. Pra, shoqëria drejtohet nga ca bashibozukë kokëtul që nuk kanë asnjë rrudhë në tru.Të ndodhur para këtij tabori injorantësh që i shfrytëzon njerëz me nerva të dobëta po kryejnë këto krime makabre
Po qytetarët, kush i mbron?
Askush nuk e mbron qytetarin e thjeshtë! Çdo institucion është kthyer në një dyqan privat i të punësuarve me mik. Kjo vjen ngaqë këta titullarë institucionesh veprojnë si agallarë pasi nuk vepron ligji. Se të gjitha këto emërime të paaftësh dhe të afërmish janë shpërdorim detyre dhe ka një nen të veçantë që merresh penalisht për shpërdorim detyre po kush e zbaton ligjin. Bashkia, spitali, shkollat deri në universitet, kadastrat, policia, teatri, të gjitha janë të zaptuar nga një takëm të paaftësh që mbrohen nga çadrat e partive politike dhe mbahen sehir nga gjyqësori i korruptuar, se pas reformës do të japësh llogari për të gjithë abuzimet dhe dosjet që kanë ngelur, sa një mal pa u kapur me dorë. Të mbeturit jashtë çadrës janë personalitete me tituj shkencorë dhe grada që kanë ngelur në mëshirën e fatit, në mëshirën e takave dhe fustaneve dekolte; Të epshit të banditëve, kaçakëve dhe edepsëzëve të papërgjegjshëm dhe të pamëshirshëm. që karrigen e kanë kthyer në një lopë dhe ia mjelin të gjithë të mirat e saj; qumështin, mishin deri tek rrjepja e lëkurës së tyre. Rezultati është dëshira dhe shpresa për të ikur nga ky vend i “mallkuar”. Këtë e tregojnë shkollat dhe fshatrat e boshatisura. Ky është rezultati politik. I mashtrimit të këtyre maskarenjve që tallen me popullin. Por, ka një dritë në fund të tunelit. Reforma në drejtësi që këtyre abuzuesve me një qind e një mëkate një ditë do t’i ulin në bankën e të akuzuarit. Secili qytetar i mjeruar pret me shpirt, të miratohet reforma dhe vendi të shpëtojë nga kjo lëngatë e gjatë! Të dashur politikanë, në këto krime makabre që ndodhin, ju keni pjesën tuaj sepse JU iu keni vrarë shpresën njerëzve të varfër dhe i keni lënë në udhëkryq!