Bardhyl Berberi: Ditari i panjohur i një Don Zhuani austriak në Pogradec

    459
    Kush ishte Werner Jager?
    Përkthyesi i Wener Jager, Leonard Berbari, i cili ishte edhe në rolin e përkthyesit në qytetin e Pogradecit ka qenë njeriu i tij i afërt gjatë tre vjet e gjysmë që ai qëndroi në Shqipëri, madje jo vetëm që ka dëgjuar rrëfenjat e jetës së austriakut, por posedon edhe një ditar të hollësishëm që ka mbajtur Werner Jager gjatë gjithë jetës së tij. Werner Jager ishte nënshtetas austriak, i lindur në qytetin St. Polten, 40 km larg Vjenës. Me profesion ishte inxhinier ndërtimi në pension, i cili kishte ardhur para dy vjet e gjysmë dhe jetonte në qytetin e Pogradecit, pas një sërë divorcesh dhe bashkëjetesash me pesë gra maqedonase në qytetin e Ohrit. Në Ohër Werner kishte qëndruar tre vjet dhe pas shumë peripecish me 4 gratë që bashkëjetonte dhe me njërën prej tyre që kishte bërë kontratë të rregullt, Dragana Spaseska. Pasi ndahet edhe nga kjo e fundit me gjyq dhe për shkak të trazirave që kishte krijuar në Ohër, ai largohet andej dhe vendoset në anën tjetër të liqenit në Pogradec. Me një veturë “Polo” dhe sharmin e një burri serioz, me një zinxhir të trashë floriri në qafë dhe në duar dhe xhaketa lëkure, Werner fillon të krehë zonën e re në gjuajtje të fustaneve. Fillimisht peshkon Përrenjasin, tregon Leonardi, përkthyesi i tij. Ai gjuante, së pari gratë e bukura dhe që ishin të varfra. I joshte fillimisht me para, i çonte në dyqane dhe butikë dhe iu blinte rroba. Më pas nën pretendimin e njohjes së karakterit të njëri-tjetrit i merrte në banesat e tij, ku rrinte me qira. 

    Brenda 6 muajve Werneri “bashkëjetoi” me 4 gra njëra pas tjetrës nga qyteti i Përrenjasit. Kishte si zakon vesin e të pirit dhe kur i mërziteshin, shkonte i pirë duke u sjellë dhunshëm me ato, duke bërë si njeri anormal dhe ato largoheshin. Kishte një zakon që bizhuteritë, celularin apo sende të tjera me vlerë që ai iu kishte blerë “gjatë ditëve të mjaltit” në momentin e ndarjes ua merrte dhe më pas i zbonte nën pretendimin se nuk na u puq karakteri… Pas Përrenjasit “gjuetari” qëndron në qytezën e Gurit të Kuq, në hyrje të Pogradecit. Edhe këtu vjen viktima e radhës, një grua fatkeqe, e varfër, por e bukur. Edhe kjo nuk i përballon ofertat joshëse të burrit “babaxhan”, që i premton parajsën. Në ditët e para, përveç ndërrimit të lukut të grave që shtie në dorë, Werner i çonte mikeshat e tij në restorante të shtrenjta, por gjithmonë në periferi, larg qendrës së qytetit. Por historia me gruan e Gurit të Kuq mbaroi shpejt, brenda 1 muaj, pasi kësaj të fundit i premtoi se do të jetonin në vilat e tij në Austri. Kur kjo këmbënguli që të largohen nga Shqipëria në Austri, sipas premtimit të tij, ai i jep duart. Tashmë, ai fillon eksplorimet në qytetin e Pogradecit. Me anën e një shitëse të njohur të tij, arrin që të gjuajë kësaj radhe një sekretare në gjykatë, një grua fatkeqe e ndarë nga burri, nëna e dy fëmijëve, por shumë e bukur. Shumë shpejt arrin të lidhet me atë dhe fillon bashkëjetesa. Pasi kalon pak muaj, ai fillon t`i keqtrajtojë fëmijët, (ndonëse nuk jetonin me atë). Kur ata vinin shikonin nënën e tyre, Werneri e gjente shkakun për të krijuar tensione të pakëndshme. Fillon të dhunojë edhe gruan pogradecare. Gjithmonë, sa herë përdorte dhunë ishte i kujdesshëm, pasi femrat që dhunonte nuk iu linte shenja në trup. Edhe nga kjo e fundit ndahet dhe ribashkohet disa herë. 

    Më së fundi i premton një ceremoni martese në një lokal në periferi të Pogradecit, madje nusen e re e veshi me një fustan të bardhë dhe fton në dasmë rreth 50 të afërm të nuses. Nusen e re, pas kërkesave të vazhdueshme të saj vendos që ta çojë për vizitë në Austri, tek njerëzit e tij. Por, sapo shkojnë atje, nusja e vëllait të Wernerit, një grua serbe e fton për një kafe dhe i thotë: Më dukesh shumë grua e mirë, por po të pyes a e njeh mirë Wernerin ti, po të jap një këshillë, i thotë kunata, ruaju prej tij… Kaluan vetëm pak ditë në Vjenë dhe fillon sherri. Një natë në gjendje të dehur, Werneri shfryn tërë mllefin, duke e dhunuar barbarisht pogradecaren. Kjo e fundit arrin të largohet dhe më pas të kërkojë ndihmën e policisë, e cila e vendos në një qendër rehabilitimi në Vjenë, ku vazhdon të qëndrojë edhe sot me shpresë se një ditë do të bashkohet me dy djemtë e saj, që ka patur nga martesa e parë. Ndërkohë që Werner largohet menjëherë nga Austria dhe vjen në Pogradec, por vetëm ndërron banesën. Gjendja shëndetësore sa vinte dhe keqësohej dhe ai bën një “armëpushim” me aventurat e dashurisë dhe i kthehet pijes. Sipas personave që e kanë njohur, si .p.sh përkthyesi i tij Leonard Berbari, Wener Jager ishte frekuentues i lokaleve dhe konsumonte shumë alkool, kryesisht birra në sasi të mëdha, pinte “Skopska” dhe e shoqëronte me raki. Veç kësaj ishte bërë tepër i bezdisshëm për lokalet, pasi donte të qëndronte edhe kur lokali mbyllej. 

    Ai sapo kishte bërë dhe një kontratë tjetër qëndrimi me policinë edhe për dy vjet të tjera në Pogradec. Ishte korrekt në takime dhe pagesa dhe shtëpinë e mbante shumë të rregullt, ndonëse kohët e fundit jetonte i vetmuar krejt. Sipas presidentit të firmës “Elektronik Son” Leonard. B, i cili ishte në rolin edhe të përkthyesit ishte njeriu, me të cilin ai shoqërohej, kohët e fundit, Werneri ndjente shumë dobësi dhe në Austri do të shkonte që të bënte një kontroll mjekësor, por kërkonte që të shkonin patjetër bashkë me Leonardin. Pikërisht atë mëngjes që ata do të niseshin për në Austri, ai gjendet i vdekur në banesën ku rrinte me qira, vetëm 50 m larg komisariatit të policisë. Leonardi thotë se, ka njohur një njeri të çuditshëm. Kur Leonardi i ka kërkuar të dijë diçka më tepër për jetën e tij, vetëm pak ditë para se ai do të vdiste, Werneri i ka dhënë ditarin e tij, dy blloqe të trashë lëkure me të gjitha detajet. Ai ka qenë shumë korrekt dhe pothuajse çdo ditë hidhte shënime, në ditar gjenden detaje të hollësishme të jetës së Werner Jager, ku mbi të gjitha shquhen historitë rozë. Leonardi thotë se, nuk kishte ndërmend që të lexonte atë ditar voluminoz, por kur familja e Wernerit nuk pranoi të marrë kufomën e tij, duke e lënë për gati dy muaj në morg. Aq më tepër fëmijët e tij, i lindi dëshira për ta lexuar këtë ditar. Vendosa që këtë histori ta botojmë, se ka shumë gra hallexhesha që bien në grackën e këtyre monstrave dhe unë jam i sigurt, thotë Leonardi, se, ky nuk do të jetë e vetmja monstër që abuzon me gra shqiptare. 
    Werneri ishte martuar 300 herë, 200 martesa me kontratë dhe 100 me celebrim
    Werner Jager kishte punuar si inxhinier ndërtimi gati në të gjitha kontinentet. Në Afrikë, Azi, në vendet Arabe dhe Europë. Historitë rozë zinin vendin e veçantë. Në krye të kapitullit “Femrat dhe Werner”, ka një shifër tronditëse për në librin Gines. Vetë Werneri shkruan në ditar, që në jetën time kanë qenë 300 gra, prej të cilave 100 prej tyre me celebrim dhe 200 të tjera me kontratë, pa u futur në këtë listë flirtesh të rastit apo frekuentimet e tij të rregullta nëpër shtëpi publike. Martesa e parë ka qenë me gruan austriake, me të cilën ka lindur dy fëmijë një djalë dhe një vajzë. Nga të gjitha historitë me gratë, Werner shkruan se, i pëlqenin gratë japoneze, por adhuronte Filipinaset. Brenda 90 ditëve të qëndrimit në Filipine Werneri kishte shkuar me 90 femra, mesatarisht tre femra të ndryshme çdo ditë këtë e mbante si rekord për intensitet të lartë. Madje thotë ai, një filipinase e bukur që më detyroj të bëj celebrim, nuk mu shqit dhe nuk pranoj divorc dhe u detyrova t`i bëj nënshtetësinë dhe tani ajo ndodhet në Austri. Më poshtë Werneri thotë se, në Filipine desh e ka humbur jetën. Ai ka hyrë në tregtinë e diamanteve dhe ka shpenzuar për blerjen e tyre rreth 1 milion e gjysmë shelinga. Por papritur një natë është rrëmbyer nga disa persona të mafies ruse, të përzierë me ish oficerë të KGB ruse, që kontrollonin në Filipine tregtinë e diamanteve. Më morën, shkruan në ditarin e tij Werneri dhe më hodhën në kokë një thes xhins dhe më nxorën në periferi të qytetit në një shtëpi të vetmuar. Aty kam parë vdekjen me sy, tortura të papara. Më zhytnin në një fuçi me vaj dhe më nxirrnin në momentet e fundit…

     Më pas më morën të gjitha lekët që kisha marrë me vete, 1 milion e gjysmë shelinga dhe në momentin e fundit, kur më zbritën nga makina me thes në kokë, më goditën ashtu, siç isha në thes me një send të fortë në kokë dhe më hodhën në një kanal, më dhanë 24 orë afat që të zhdukesha nga Filipinet. Më pas vazhdojnë historitë vetëm me femrat afrikane, aziatike, arabe dhe pothuajse kishte bredhur në të gjithë europën. Shumë histori, rreth 50 kishte me femrat ruse, por thotë në ditar, Filipinaset janë të paarritshme. Kështu, në fund të rreth 300 faqe ditar, për kapitullin e historive me gratë, Werneri bën bilancin e tij në ditarin voluminoz … Në jetën time shkruan ai, në ditar kanë qenë plot 300 gra, nga këto 200 gra me kontratë dhe 100 gra të celebruara, në jetën e tij 67-vjeçare, ku në këtë listë të madhe, futen edhe gratë maqedonase dhe ato shqiptare. Për gratë shqiptare thotë se, janë shumë familjare gatuanin shumë mirë, por sapo lidhesha, pas pak ditësh, kërkesa e parë ishte: eja ikim në Austri. Nuk donin të qëndronin në Shqipëri, ndërsa atij i pëlqente të qëndronte në Pogradec. Werneri kishte ripërtërirë një lejë qëndrimi dyvjeçare dhe kur ishte pyetur në polici se, pse kërkonte një pensionist i huaj të qëndronte në Pogradec, a i ishte përgjigjur: Kam shëtitur gjithë botën, por ky është një qytet që e dua shumë dhe të largohesh nga kjo perlë që unë e kam zbuluar para disa kohësh, do të thotë të jesh i çmendur… Kështu Werneri siguroj lejen e qëndrimit dyvjeçare… Në ditar ka gjithçka, pensioni i tij ishte 2000 euro në muaj dhe se kishte mbi veten e tij dy vila në Austri me një vlerë prej 900 mijë euro.
    Njoftimi i ambasadës austriake për Leonardin
    Ambasada austriake ka njoftuar para disa kohësh Leonard Berbarin, se si mik i Wenerit varrimi i tij është kryer në varrezat e Sharrës në Tiranë, pasi familja e tij nuk e pranoi trupin e tij për t`i kryer ceremoninë mortore. Ne e zgjatëm dhe e mbajtëm trupin mbi dy muaj në morg, me shpresë se ata do të merrnin kufomën, por përgjigja ishte negative në këto kushte, Jager u varros në Sharrë të Tiranës në një varr pa emër. Të gjitha plaçkat e tij, vetura dhe pajisjet elektronike, me një vendim të prokurorisë së rrethit, iu kaluan pronarit të banesës, si shlyerje e qirasë së papaguar gjatë këtyre dy muajve, thotë përkthyesi Leonard Berbari. 
    Sigal