Bardhyl Berberi: A meritojnë dhe kur do të kenë “Shtëpi muze” Poradeci dhe Kuteli…?!

    473
    Gjithsecili nga ne pogradecarët vihet në siklet kur vijnë të huajt dhe duan të shohin shtëpitë e dy gjenive, Lasgush Poradecit dhe Mitrush Kutelit, pasi prej dekadash është premtuar se do të ngrihen, por fjalët e premtimet i ka marrë era…Në shtator të vitit 2007, me rastin e 100- vjetorit të Kutelit i ngriti pas Lasgush Poradecit edhe monumentin e Kutelit dhe njëherazi u vendos që të ngrihej shtëpia muze. Në shtator 2007 mbi themelet e shtëpisë së vjetër, të djegur nga fashistët italianë në muajin shtator 1943. Ishte siguruar dhe fondi nga biznesmenë pogradecarë dhe u vendos guri i parë i themelit për ngritjen e shtëpisë muze. Atë ditë në ceremoni djali i Kutelit, Pandi tha para të pranishmëve se: “Historia e Pogradecit, ndaj njerëzve të shquar të tij ka pasur shumë erozione në të kaluarën, më vjen mirë që po ju kthehemi vlerave! Por populli thotë, të thënën me të bërën e ndan një lumë i tërë. Dhe kanë kaluar gati 9 vjet që shtëpia muze ka ngelur në themelet e saj…Pa dashur, me kujtuan vargjet e një epitafi të Kutelit:
    -O ju që mbeti në jetë 
    -Bini tingullit siç dini vetë 
    -Askush nuk ju mban dorën kurrë 
    -Hidhni gurë, hidhni gurë…
    Nëse do të mbaronte shtëpia muze, sipas projektit, familja e Kutelit, Atalanta dhe Pandi do të sillnin materiale të pasura nga jeta e babait të tyre për ta pajisur muzeun me të gjitha materialet e nevojshme. Po me Lasgush Poradecin, çfarë ka ndodhur? Pas vdekjes së Lasgush Poradecit, më 7 nëntor 1987, vajzat e tija ia shitën shtëpinë një pogradecari, Koço Krestes, i cili e prishi kullën siç e quante Lasgushi dhe ndërtoij një shtëpi të re. Ai shkoi në Institutin e Monumenteve dhe miratoi një projekt të shtëpisë së re, pothuajse si shtëpia ku ka banuar poeti. Madje Koçua thotë për gazetën “Telegraf”, se ai e dinte se në të ardhmen kjo shtëpi do të kthehej në muze…Madje, ai thotë se është i gatshëm që shtëpinë ta kthejë në muze, por me një kusht që personi që do të kujdeset për shtëpinë muze të jetë një pjesëtar i familjes së tij, i punësuar nga bashkia…Çfarë mbetet që të vendosen materialet? Jam befasuar kur kam parë një ekspozite nga shtëpia botuese “Argeta-LMG” dhe drejtuesi i kësaj shtëpie botuese Mehmet Gëzhilli. Që në fillim duhet thënë se ekspozita ishte një befasi për mua dhe të pranishmit, 150 fotografi të poetit me personalitete të ndryshme dhe të afërm dhe familjarët e tij, pjesa më e madhe ekspozoheshin për herë të parë dhe rreth 1500 studime bibliografike dhe artikuj të ndryshëm, që janë shkruar rreth veprës së Poradecit. Në këtë ekspozitë ishin ekspozuar të gjitha botimet e Lasgush Poradecit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni dhe ndodheshin të gjitha veprat e përkthyera prej tij. Kalojmë nga njëra anë e pavijonit tek tjetra dhe shohim poetin në Manastir fare të vogël, ku ndoqi Kolegjin Rumun dhe më pas në Selanik, Bukuresht më pas në Vjenë dhe Gracë të Austrisë. Një galeri e tërë fotosh të shumta të pabotuara më përpara nën shoqërinë e Fishtës, Asdrenit, Koliqit, Aleks Budës, Tefta Tashkos, me Kadarenë dhe shumë miq të autorit, në gjithë rrjedhën e jetës së tij, deri tek një foto e rrallë para pak ditësh para se të vdiste me sy të përmallur…Për këtë ekspozitë Mehmet Gëzhilli ka punuar mbi 10 vjet dhe siç thotë ai, këtë e ka bërë nga dashuria e madhe që kishte për poetin…Këtu gjen gjithçka që ka shkruar poeti dhe që është shkruar për të, njëherazi të shoqëruar me foto të rralla. Kjo ekspozitë ishte vërtet një muze…Vajza e poetit, Marie Poradeci shprehet se vetëm me një dashuri të madhe mund të realizosh këtë punë të jashtëzakonshme, që me plot gojën mund të them është kolosale…Nëpër pavijon zbulon konsiderata dhe artikuj kritikë, që janë shkruar për veprën e Poradecit. Shfletojmë një studim të Aleks Budës, atëherë kryetar i Akademisë së Shkencave, i cili shkruante: “Miku im po ta them sot, se ke qenë patriarku i poezisë shqiptare. Je një lirik i përjetshëm që ke shpirtëzuar fjalët, gjallëruar brigjet, liqenin ke bërë këngëzimet e ujërave lëvizëse, ke imazhe delikate në poezinë tënde dhe diell përhapës”. Një studim i Sabri Hamitit pas botimit të veprës së Lasgush Poradecit në Kosovë, ku ndër të tjera shkruan “Në poezinë shqipe nuk ka poet që të ketë krijuar një sistem kaq të mëvetësishëm e origjinal, si Lasgush Poradeci. Shkrimtari Sterjo Spase në një studim, ndër të tjera shkruan: “Që kur kam qenë në klasat e ulëta të pedagogjikes në Elbasan, poezia e Lasgush Poradecit më ka hyrë thellë në zemër, poezia e tij është si një krua me aftësi dehëse dhe shijen e tij dehëse duhet ta provojë çdo lexues”. Një studim i Vedat Kokonës, i cili sjell kujtimet e tij gjatë kohës që kanë punuar së bashku në redaksinë e përkthimeve. Ne, shkruan ai, me Lasgushin bënim polemika në redaksi madje edhe të ashpra për përkthimet. Lasgushi ishte një kalkulues i rreptë edhe gjatë përkthimeve, duke ruajtur edhe nuancat më të holla të përkthimit. Ismail Kadare do të theksonte në një artikull kushtuar Lasgushit, “Poetët nuk vdesin, ata i përkasin kombit”. Lasgush Poradeci është shndërruar në një profet të vërtetë, duke marrë për mbiemër emrin e qytetit të tij të lindjes, duke hedhur poshtë një proverb të keq, që thotë se poetët dhe njerëzit e mëdhenj nuk i njeh vendi i vet, ky proverb me Lasgushin bie poshtë. Në një kënd tjetër shohim poezinë e tij të parë, që ka shkruar Lagushi kur ishte në vitin e parë të Liceut Rumun në Manastir:
    Galiçica mal` i thatë 
    Me dëborë mbushur plot 
    Qajnë burrat, qajnë gratë 
    Qajnë vajzat derdhin lot ..
    Më poshtë, shprehet Lasgushi nuk e mbaj mend, por kjo do të jetë poezia e parë që kam bërë. Në një kënd tjetër gjen kujtime të poetit mbi artin. Ndër të tjera në një bashkëbisedim të tij me miq Lasgushi thotë: -Poezia është e para ajo formon shpirtin e kombit. Kështu nëse lexon një roman ke bërë një bashkëbisedim, ndërsa një libër me poezi është një formim, përpara të gjithave është poezia. Ajo formon shpirtin e kombit. Prandaj duhet shkruar poezi jo të mirë, por shumë të mirë, jo të lartë, por shumë të lartë, shumë të thellë shumë të gjerë që t`i vëmë shpirtit të kombit themele të shëndosha… Një bashkëbisedim i poetit me Petraq Kolevicën, kur ky i fundit e kishte vizituar në shtëpinë e tij në Pogradec i kishte thënë, se kjo shtëpie duhet të riparonte mjediset që të mbetej besnike nga struktura e saj e parë, ku Lasgushi kishte banuar një jetë të tërë, sepse i kishte thënë si me droje Kolevica, nesër kjo shtëpi do të jetë patjetër një muze. -Muze ia pret Lasgushi…hë, unë muze kam “Vallen e yjeve” dhe “Yllin e zemrës” jo këtë shtëpi karakatinë. Librat me poezi do të mbeten. Gjer më sot shumë vetë kanë shkruar kundër meje, por asnjëherë nuk iu jam përgjigjur se poeti nuk përgjigjet. Poeti bën veprën .Vepra le të përgjigjet .Po të mos flasë vepra poeti nuk ka se çfarë thotë. Moikom Zeqo në një studim të tij zbulon engjëjt e pikturës së Lasgush Poradecit ndër të tjera ai thekson ; Dy këngë të Tefta Tashkos dhe një recitim i Sandër Prosit dhe një portret i piktorit gjerman Karl Blohm kushtuar Lasgushit …Dhe më pas zëri i poetit nga një incizim që e ruan me fanatizëm Thoma Angjeli:
    -Qiell me zhaba shqiptar 
    -Male mbushur me dragona
    -Këto fusha të derdhur n`ar
    -Deti plot margaritar
    -Këto janë viset tona!
    Piktura e brendshme e Lagush Poradecit na shpalos mrekullitë fabuleske të liqenit, lëvizjen në shtrëngatë ,urinë botiçeliane të të dashuruarve, sakrificat biblike të pelikanëve që Lasgushi i mbiquan Nositë …studimet dhe artikujt janë të pafund rreth 1500 të tillë ne shkëputëm ndonjë fragment nëpër të por aty ka gjithçka ..të gjithë vizitorët kanë ngelur të mrekulluar. “Piktori i merituar”, Anastas Kostandini, që është edhe përgjegjës i galerisë së arteve tepër i impresionuar është shprehur për gazetën “Telegraf”. Vërtetë gjithmonë kemi ëndërruar për të pasur një material të bollshëm për poetin tonë, që ne padyshim si pogradecarë jemi krenarë për Lasgushin, por Mehmet Gëzhilli na ka bërë një sfidë, ai na ka sjellë tërë këtë arsenal të bollshëm për Lasgushin desha të them, atë që ne na duhej për lasgushin dhe kjo ekspozitë duhet të konservohet patjetër dhe të ruhet nga bashkia dhe nëse ai premtim që ka prej vitesh për t`u kthyer shtëpia e Lasgushit në muze, nëse nuk u bë shtëpia muze le të vendoset ky material në një sallë të veçantë dhe për çdo vizitor që vjen në Pogradec dhe kërkon diçka për Lasgush Poradecin e gjen këtu me bollëk, pasi këtu është gjithçka për poetin e madh. Por ndërkohë që largohesh nga kjo ekspozitë mbresëlënëse, të bie në sy që Pallati i Kulturës që mban emrin e Lasgush Poradecit që nga viti 1988, nuk ka një stendë apo foto të poetit, me qëllim që çdokush që vjen viziton këtë pallat, duhet ta kuptojë se, pse ky Pallat Kulture mban emrin e poetit. Të vjen keq kur sheh suvanë e rënë nëpër korridore apo xhamin e thyer të derës kryesore, madje dhe ajo pllaka historike ku është vendosur emri i “Lasgush Poradecit “ e zbuluar nga Ismail Kadare, në dhjetor të vitit 1988 është zhdukur! Me të drejtë iu thoshte Kadare miqve të tij, kur pinin kafe: “Kur të vdesë Llazari (Lasgushi ) nuk do t`i bëhet as varri, më vonë do t`i ngrihet lapidari”…Dhe kjo profeci u realizua lapidari ( monumenti) u ngrit, po muzeu jo. Jo pa qëllim e kujtuam këtë material të bollshëm që ka për të dy korifenjtë e kulturës shqiptare, duhet vetëm një përpjekje e vogël për të ngritur në shtëpitë e tyre nga një muze…
    Sigal