Bardhy HAZIZAJ / Uniteti dhe sfidat integruese

532
Sigal

Në këto mbi 20 vite tranzicioni shumë vetë pyesin: Çfarë ka ndodhur me ne shqiptarët? Jemi popull i vogël dhe njihemi mirë me njëri-tjetrin. Ishim një vend që respektohej shumë në botë për traditat, virtytet, historinë e lashtë e të re, por duhet thënë se gjatë këtyre viteve të tranzicionit duket sikur kemi pësuar krizë identiteti. Në fakt në krizë është gjithë sistemi. Ne shqiptarët edhe pse e braktisëm vullnetarisht sistemin e kaluar, kemi ende shumë çështje të pazgjidhura ndaj dhe po vonohet pambarimisht hyrja në Europë, tranzicioni po tejzgjatet, varfëria po rritet, krimi i pa organizuar është organizuar në mënyrë perfekte, pasi ai godet në mes të ditës në mes të Tiranës edhe shtetin, policinë, deputetë, njerëz të pafajshëm me imunitet e paimunitet. Të gjitha këto probleme duhet thënë se pa na tjetërsojnë. A do ta vendosin ndonjëherë në rend të ditës shqiptaret çështjen e shpëtimit duke mbledhur potencialin më të mirë e më aktiv intelektual krijues për të bërë diçka në këtë 100- vjetor të Pavarësisë, që të bashkojmë shqiptarët? Na ka ardhur një shans dhe historinë e kombit tonë ta pranojmë si një proces që po shkon drejt unifikimit me të mirat dhe të këqijat e tij. Nuk është e lehtë të arrihet bashkimi, pasi në Shqipëri e jashtë saj veprojnë mbi 150 parti politike dhe po kaq shoqata jo politike, gjë që tregon se në këto rrethana nuk  jemi  potencialisht të lirë të veprojmë në mënyrë aktive për të bërë diçka për mbrojtjen e kombit shqiptar. Edhe ushtarakët, që janë një nga shtresat më të nderuara të shoqërisë sonë që ka sakrifikuar aq shumë për mbrojtjen e vendit dhe për dinjitetin e tij, sot janë të copëzuar në disa shoqata. Pse ndodh kjo? Sepse kështu i do pushteti, të përçarë. Politikanët, historianët, intelektualët kanë përgjegjësinë historike për të ndërgjegjësuar popullin për t’i dhënë impulse ndërgjegjes kombëtare që të triumfoje mbi vulgaritetin, imoralitetin, e humbjen e identitetit. Në këtë 100 vjetor të Pavarësisë është rasti të tregojmë se bashkimi per shqiptarët është një virtyt dhe jo një manovër djallëzore, se ne i përkasim kombit dhe jo parcelave partiake. Në shekullin që kaloi inteligjenca dhe patriotët atdhetarë na kanë lënë vepra të paharruara që janë mesazhe përherë aktuale për kombin shqiptar. Plaku i Vlorës 100 vjet më parë i bashkoi shqiptarët nën flamurin e Skënderbeut dhe shpalli mëvetësinë e kombit shqiptar. 70 vjet më parë kemi Konferencën e Pezës ku u mblodhën komunistë dhe nacionalistë dhe u hodhën themelet e bashkimit në Frontin Nacionalçlirimtar të të gjithë popullit shqiptar. Deviza e asaj Konference ishte bashkimi i popullit pa dallim feje, krahine dhe ideje, dhe lufta pa kompromis kundër pushtueseve. Është ky një mesazh që pas 70 vjetësh, ka një tingëllim tepër aktual, ndërsa përpara kemi sfidën e integrimit evropian të shqiptarëve. Shqipëria e sotme ka nevojë, për këtë mesazh,jo vetëm ta kujtojë e freskojë, por mbi të gjitha ta mishërojë për të mirën e popullit dhe në favor të së ardhmes kombëtare. Një proverb i vjetër na kujton:”Kush nuk e kthen kokën pas i plaçin të dy sytë dhe kush shikon vetëm prapa i plastë syri”.

Disa referenca historike

Lufta e Dytë Botërore filloi më 1 shtator 1939 si luftë ndër-imperialiste dhe përfundoi më 9 maj 1945, pra zgjati 2076 ditë, ku çdo dite vriteshin 17 mijë njerëz. Në këtë luftë u përfshinë 61 shtete dhe 110 milionë njerëz. Lufta e popullit shqiptar filloi me 7 prill 1939 dhe përfundoi me 29 nëntor 1944. Lufta nuk u ndez as me gurë stralli as me shkrepëse, por me barut të zemrës se çdo shqiptari ku derdhën gjakun 28 mijë dëshmorë. Në këtë luftë morën pjesë 70 mijë luftëtarë, prej të cilëve 10 mijë ishin pionierë, 6 mijë ishin gra dhe vajza, të rreshtuara në 24 brigada, 8 divizione, 3 korparmata. Në këtë luftë u nderuan me titullin e lartë të Heroit të Popullit 130 partizanë prej të cilëve 24 ishin gra dhe vajza. Mendojeni për një çast se ç’mund të kishte ndodhur, në qoftë se Shqipëria nuk do të kishte marrë pjesë në Luftën nacionalçlirimtare. Do të na konsideronin me të drejtë si një shtet i mundur. Pas lufte nga ushtria dhe populli u përballuan 2.334 provokacione nga deti ajri dhe toka. Vetëm monarkofashistet grekë, gjate viteve 1949-1954 kryen ndaj Shqipërisë 628 provokacione nga ajri, toka dhe deti, ku më i rendi ishte provokacioni i 1-2 gushtit 1949. Ndërkohë, jugosllavët kryen 110 provokacione nga toka dhe deti.

Sfidat e sotme

E të mendosh se provokacionet greke vazhdojnë edhe sot e gjithë ditën. Qeveria aktuale firmos një pakt antikombëtar me qeverinë greke, ku u fleshin Greqisë rreth 250 kilometra katror det, ashtu siç bëri Ahmet Zogu me Vermoshin dhe Shën Naumin. Kjo marrëveshje u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese, por këmbëngulja e grekëve vazhdon dhe qeveria jonë është gati të rifillojë negociatat me Athinën. Ky është një turp kombëtar që po kryhet në sytë e të gjithëve ne. Por cili është reagimi ynë si qytetarë të këtij vendi? Një reagim i vagët, kur të gjithë duhet të ngrihemi në këmbë për t’i thënë ndal kësaj maskarade. Duket sikur kemi rënë aq poshtë sa të mendojmë se sot si rezultat i krizës së sistemit populli po humbet kujtesën. Realiteti po përmbyset. Askush në Perëndim nuk e demonizon vetë historinë zyrtare ose të shkatërrojë besimin në vazhdimësinë e vlerave të tyre historike. Politika dhe një pjesë e inteligjencës shqiptare është përgjegjëse për imazhin e keq ndërkombëtar të vendit. Në këtë bjerrje morale është në radhë të parë paaftësia jonë për t’ju referuar të vërtetave të historisë që nga e kaluara stërgjyshore.

Loja e rrotacionit të pushtetit ka kultivuar qëllimisht indiferentizëm dhe mosbesim ndër masa. Po përmbyset realiteti, po kërkojnë përmbysjen që në themel të identitetit nga përkthyesit e historisë e pseudo-historianët, për të krijuar një histori dhe kulturë të re pa ju referuar se nga kemi ardhur dhe pa treguar se ku po shkojmë. Disa profesorë mediokër, politikanë sharlatanë dhe historianë mercenarë po përpiqen të vulgarizojnë identitetin tonë kombëtar, kulturën tonë kombëtare, po mbjellin idenë se nocioni komb, shtet s’ka ndonjë rol në kushtet e globalizmit, se patriotizmi i përket të kaluarës, me një fjalë po shkatërrojnë gurët e themelit të ndërgjegjes kombëtare të trashëguar në breza. Ndërsa në botë po bëhen lëvizje për unifikim mbi baza etnike dhe fetare, në Shqipëri po shkohet drejt ndarjes me pashallëqe. Kjo është e pafalshme për ne si shqiptarë në momentet që kalojmë. Sfidat e mëdha që kemi përpara na kërkojnë të bashkuar dhe jo të përçarë. Vetëm armiqtë e këtij kombi i duan shqiptarët të përçarë e të dobët, të prapambetur e të njollosur me vese që nuk janë tonat.

Indiferentizmi përballë unitetit

Çdo komb e shkruan historinë e vet në mënyrë sa ma dinjitoze, me të vetmin qëllim, që para botës të prezantohet sa më mirë. Që nga njeriu i parë e deri më sot historia njerëzore është një aventurë e përgjithshme e miliona njerëzve. Nuk ishin dallimet ideologjike të sistemit që braktisëm me sistemin që po ndërtojmë, por janë mosbesimet e krijuara artificialisht nga palët e interesuara për të marrë pushtetin. Në fakt, ne kushtet e reja manifestohet hapur përbuzja e të qenit patriot, nacionalist pa le më komunist. Nuk ka asnjë komb i cili nuk ka në histori dhe aspekte të diskutueshme që kërkojnë një rishikim të objektivitetit historik dhe përgjegjësisë historike, por kjo nuk do të thotë se shqiptarët historikisht nuk dinë të qeverisen dhe se historia e Shqipërisë është invalide për shkak të së kaluarës së saj. Fakte të panumërta mund të radhiten këtu për të vërtetuar se klasa e sotme nuk po ngrihet e nuk po çlirohet dot nga e kaluara që shfaqet në njëmijë e një mënyra se si qeveriset vendi, si vidhet e rripet ky popull i shumëvuajtur. Populli shqiptar me pushkën e gjatë ka detyruar shekujt te ulin kokën. Fjala vjen, ne nuk jemi popull që trafikojmë femra, por jemi popull që ka rritur Argjiron, Teutën, 90 vajzat krutane që u hodhën nga shkëmbi i Vajes në Krujë për të mos u bërë robinja, Shote Galicën, Zonja Çurren e Fato Berberin, Margarita Tutulanin e qindra të tjera. Disa kanë arritur në konkluzion se sot më mirë është të qëndrosh mënjanë, indiferent, por Besëlidhja e Lezhës, Lidhja e Prizrenit dhe Konferenca e Pezës na kujtojnë se uniteti në gjirin e popullit është arritja më e madhe dhe kurrë nuk duhet ta harrojmë atë sepse në qoftë se harrojmë, ne kemi harruar veten.