Bardhosh Gaçe/ Rilindja e mësuesit atdhetar Brahim Selimi

    530
    Sigal

    Në fillim të shekullit 20, nën frymën e Rilindjes Kombëtare dhe përpjekjeve të shqiptarëve për çlirimin kombëtar   nga zgjedha e Turqisë edhe krahina e Tepelenës nxjerr krye me kontributin e saj  në lëvizjen kombëtare. Ishte koha kur shqiptarët nisën zgjimin e tyre kombëtare  për krijimin e shtetit të tyre të pavarur  dhe gjallinën  e ndarjeve të tyre kombëtare.

    Në këtë sfond historia edhe treva e Krahësit përfshihet gjallërisht në kryengritjet  antiturke 1908-1912, si dhe çeljen e shkollave shqipe. Një rol të veçantë  në Krahës të Tepelenës ka luajtur dhe mësuesi atdhetar Ibrahim Selim Zyka, i cili në librin e ri monografik shfaqet si një personalitet i lëvizjes kombëtare dhe arsimit kombëtare.

    Mbi supet e mësuesit atdhetar Brahim Selimi qysh pas vdekjes së tij në vitin 1935  mjegullat e kohës hodhën një heshtje të rëndë.

    Po kush ishte Ibrahim Selimi?! Sipas  librit  monografik të autorit Bardhosh Gaçe, të parët e tij Selim Zyka dhe Zykë Velika kanë marrë pjesë si luftëtarë  të shquar popullor në luftërat dhe kryengritjet kundra pushtuesve turq 1834 dhe 1847  në krahë të kapedanëve të Labërisë: Tafil Buzi, Veiz Vasjari, Zenel Gjoleka e Rapo Hekali,  për mbrojtjen e trojeve shqiptare në Plavë e në Mal të Zi. Mësuesi atdhetar Ibrahim Selimi qysh në rininë e tij u ushqye me ndjenjat kombëtare duke mësuar gjuhën shqipe të Sheh Ademit në Berat së bashku me kunatin e tij Dervish Medini dhe Krahsiot të tjerë. Në fillim të shekullit të 20 Ibrahim Selimi  ishte zëvendës i komandantit  të shquar Ismail Lesko Progonati në xhandarmërinë e Janinës, i cili tregoi trimëri të rrallë në bandat e andardëve grekë  që vrisnin e digjnin fshatarët e digjnin fshatrat shqiptarë e vllehë në Meçov e Paramithi.

    Në Janinë, Ibrahim Selimi gjeti mjaft miq e shokë të lëvizjes kombëtare me të cilët bashkëpunoi ngushtë në vitet 1905-1908  nën këshillat e atdhetarëve  Isuf Bushi, Halil Gjirokastra, Theim Ezhgorani dhe Kadri Gjata, së bashku me Shaqo Buzin e Shuko Dalipin shpërndanin librat e gazetat shqipe në Përmet,Tepelenë e Mallakastër.

    Siç shkruan në letërkëmbimin e tij atdhetari Aristidh Ruci, “Puna e çmuar  për hapjen e librave shqip në Tepelenë kishte rënë në sy dhe të xhandarmërisë”.

    Ibrahim Selimi pati besim të madh te lëvizja Xhon-Turke 1908 dhe shpallja e Kushtetutës nga Turqit e rinj për përfitimin e autonomisë së vendit dhe lirisë së popujve të robëruar.

    Ai mori pjesë në demonstratat  e Janinës, por edhe në shpërndarjen e armëve në Çamëri e Himarë për nxitjen e kryengritjes Shqiptare për shkëputjen nga Turqia.

    Në vjeshtën e vitit 1908, Ibrahim Selimi së bashku me baba Ahmet Resulin e Qamil Rustemin sipas këshillave të klubit shqiptar të Manastirit u përfshi në çeljen e shkollave shqipe në Tepelenë fillimisht u çel shkolla shqipe e Koshtanit,  e cila ashtu si shkollat  e tjera shqipe  në Matohasanaj, Progonat, Tepelenë e Labovë  u bë një vatër e zjarrtë për hapjen e diturisë. Ishte kjo koha që baba Ahmet Resuli dhe Ibrahim Selimi patën marrëdhënie dhe takime të ngushta me Petro Nini Luarasin, Çerçiz Topullin, Klubin “Bashkimi” të Janinës me Kadri Gjatën, Klubin “Dritat e Gjirokastrës” me Petro Pogën, të cilët dhanë një gjallim të veçantë  lëvizjes kombëtare në jug të Shqipërisë.

    Në vitet 1911-1912 krahas çeljes së shkollës shqipe të Krahësit  mësuesin Rilindës, Ibrahim Selimi e gjejmë edhe në radhë të kryengritësve në Tepelenë Kurvelesh e Mallakastër, ku bashkëpunuan me mjaft figura të tjera të shquara  si: Namik Delvina, Riza Runa, Ismail Kaso Kanan Mazja, Selam Musai, për mbështetjen e  memorandumit të Gërçes në veri  dhe autonominë e Shqipërisë. Jeta dhe veprimtaria atdhetare  e Ibrahim Selimit në fillim të shekullit XX u dallua edhe  nga përkrahja e flakët e pavarsisë kombëtare dhe qeverisë së Ismail Qemalit. Në gusht të vitit 1912 emri i tij shënohet krahas krerëve të tjerë  kryengritës  të kuvendit të Fierit  në takimin me Ismail Qemalin e Luigj Gurakuqin si dhe përfaqësuesve të tjerë të trevave të jugut.

    Edhe në shpalljen e Pavarësisë Ibrahim Selimi dhe atdhetarë  të tjerë  Krahsiot morën pjesë në luftën  kundër andardëve grekë që dogjën e shkatërruan viset jugore të vendit.

    Nga Tepelena, Ibrahim Selimi së bashku me baba Ahmet Turanin, Feim Ezhgoranin, Ismail Kason Arshi Shehun, She Beqirin i dërgojnë letër Ismail Qemalit dhe qeverisë së  Vlorës  për masakrat e  ushtarëve grekë në jug. Një kontribut të çmuar  mësuesi Ibrahim Selimi ka dhënë  edhe në vitet 1919-1920 në protestat  dhe memorandumet  e dërguar Konferencës së Paqes në Paris. U takuan në Tepelenë me të dërguarin e Presidentit  Vvilson të SHBA-ve në Tepelenë, Gjirokastër, Përmet konsullin Josuf Havan për mbrojtjen e të drejtave  kombëtare shqiptare.  Në vitin 1920  emri  i  Ibrahim Selimit  gjendet  si  anëtarë  i Komitetit  të  Mbrojtjes  Kombëtare   në Tepelenë   me  në  krye  baba Ahmet Duranin si dhe   në takimet  e trevave  të  Tepelenës  për  organizimin  e luftës  së  Vlorës  kundër  pushtuesve italianë.

    Ai  ishte i pranishëm  në takimin  e Kurveleshit me  Riza Runën,  Halim Xhelon  dhe Kanan  Mazen, Gani Alikon, Ismail Kason në takimet e Teqesë së  Turanit  si dhe  armatosjen  e luftëtarëve  për  në betejat  e luftës  së  Vlorës, së bashku  me  baba Ahmet Turanin,  Riza  Runën e Selam Musain ai mori pjesë  në  Kuvendin në  Beunit, ku  u  takua  me miqtë  e  tij Osman Haxhiu  dhe  Ahmet  Lepenica krismat  e armëve të  luftëtarit të shquar  popullor  Ibrahim Selimi oshtinin në Krahës, Kanan Mazes  e Selam Musait  e luftëtarëve të tjerë Tepelenas, oshtinin dhe në Kotë, Dreshovicë, Bestrov, Risili, Qishbardh  Qafën e Koçiut  dhe  Ullishtet mbi  Vlorë.

    Në  kujtimet  e  Çerçiz  Sihatit thuhet: Atje  në  Bestrov  u  sulën  si  luan  mbi trim çelën e armikut Riza Runa, Ismail Kaso e Ibrahim Selimi e Tepelenas  të tjerë  dhe garnizoni ndaj të gdhirë u dorëzua.  Edhe  pas luftës së Vlorës  si  kryeplak i fshatit Krahës  Ibrahim Selimi  dhe  parësia e Krahësit si Baro Mersini, Kalo Brahimi, Tafil Zeqo, Muhamet Ramadani, Zano Ysenji, Dervish Medini, Sulo Selmani në bashkëpunim  me  Osman  Haxhiun,  Halim Xhelon  në  Vlorë dhe Asaf Cipin  e Thoma Papapanon në Gjirokastër u riçel shkolla shqipe  në Krahës me Zyber Abedin  Leskaj . Në vitin  1921-1924, Ibrahim Selimi mori pjesë gjallërisht  në lëvizjen Demokratike të kohës  duke  bashkëpunuar ngushtë  dhe Arshi Shehun, Halim Xhelon, Avni Rustemin e Veli Harshovën, të cilët dëshironin  një fytyrë të re të Shqipërisë  sipas qytetërimit Europian. Mjaft kujtime e dorëshkrime të bashkëkohësve   të bën përshtypje qëndrimi i Ibrahim Selimit e fshatarëve të tjerë të Krahësit në përkrahje të deputetëve  Petro Harito e Sulejman Delvina të krahut demokratik si dhe debateve të ashpra  të Myfyt Bej Libohovo  e  partinë e  asllanistëve.  Duke  u përfshirë  në  lëvizjen  demokratike të kohës  Ibrahim  Selimi mori pjesë  në  revolucionin  e  qershorit  1924 dhe përkrah Fan S Nolit  qeveria  e  Nolit e  caktoi  dhe  oficerë  në  Lushnjë , Peqin  e  Laprakë. Ai  ndjeu  zhgënjim të thellë  nga mefshtësia  e  qeverisë  dhe  administratë  shtetërore, por dhe  mjaft probleme sociale   e shoqërore  që nuk merrnin zgjidhje, takimet  me Naum Priftin në Lushnjë dhe Qazim Koçulin dhe Spiro J. Kolekën në Tiranë për mjerimin dhe varfërinë  e fshatarëve  dhe moszgjidhjen  e  tyre  nga ana  e qeverisë e brengosën  shumë atë.

     Më 28 nëntor 1924, Ibrahim Selimi mori  pjesë  në Kuvendin zakonor të Labërisë  që u  zhvillua  në  Kuç të  Kurveleshit, si përfaqësues i trevës  së  Krahësit.

    Ishte  kjo  një  ngjarje  e  rëndësishme  në jetën  e banorëve të Labërisë që ndikojë  thellë  në emancipimin e jetës dhe  eliminimin e  gjakmarrjes  dhe zakoneve të egra. Ai mori vetë pjesë  në disa pajtime  grindjesh  sherresh e gjaqesh në  Lopës, Mallakastër dhe Kudhës  si përfaqësues  i pleqësisë  së  Labërisë. Jeta  dhe  veprimtaria  e  Ibrahim Selimit  këtij atdhetari të flaktë  të  Krahësit si  mësues  dhe  patriote  ka lënë  gjurmë të  thella  në trevën  e  Krahësit  e  Tepelenës  si  një  Rilindës i vonë  që nuk  kurseu  asgjë  për çështjen  kombëtare  dhe të  atdheut.

    Ai  vdiq  në  vitin  1935 duke  lënë  si amanet  që  koka  e  varrit  të  ishte  në  drejtim të shkollës  shqipe  të  Koshtanit, kështu  qysh atëherë  e  deri më  sot  ai mbeti i  harruar  atje te  Bregu i Shahut  mes  lisave  i harruar  nga koha. Nëpërmjet  monografisë, mësuesi atdhetar  Ibrahim Selimi  figura dhe portreti i tij  ndriçohen për shërbimet  e mëdha që  ai  i  ka bërë Atdheut.