Banorët: Politika dhe policia, të blerë. Libanezët bëjnë para me jetën tonë

    431
    Sigal

    Skandali/ Masakra mjedisore nga Fabrika e Çimentos në fshatin Zallë të Fushë-Krujës

    Banorët e fshatit Zallë ndihen të terrorizuar nga Forcat e Ndihmës së Shpejtë, të cilët patrullojnë fshatin me qëllim ndalimin e banorëve të tij për t’u ngritur në protesta. Në vend që të mbrojë jetën e qytetarëve shqiptarë, policia shqiptare kujdeset për interesat e biznesmenit libanez që ka në zotërim fabrikën e Çimentos në fshatin Zallë të Fushë-Krujës. Duke mos gjetur asnjë mbështetje për të shfaqur problemet e tyre, banorët e fshatit Zallë kanë hapur një faqe në internet për të sensibilizuar mbarë shoqërinë për masakrën mjedisore që po ndodh në fshatin e tyre. Vetëm pak kilometra larg Tiranës po ndodh një tragjedi mjedisore, duke rrezikuar jetën e banorëve të zonës. Grimcat e pluhurit që dalin nga oxhakët e fabrikës po shkatërrojnë çdo ditë mushkëritë e tyre. Atje asgjë nuk është e sigurt, as ushqimi, as të mbjellat, as uji, as mishi… E kanë ngritur zërin, por qeveria çon policinë për t’u mbyllur gojën, ndërkohë që me ligj nëse tejkalohen normat e gazrave dhe grimcave të imta, aktiviteti nuk mund të vazhdojë më, por duhet mbyllur. Por mesa duket shteti është i kënaqur me atë çka i vjel libanezëve dhe libanezët të kënaqur me fitimin e tyre. Ndërkohë që, çdo ditë që kalon do të thotë vdekje për banorët e kësaj zone.

     Banorët e fshatit Zallë

     Ndërsa e gjithë qeveria është angazhuar në një fushatë për pastrimin e mjedisit në tërë vendin tonë, pasi shpalli gjendjen e emergjencës mjedisore, vetëm pak kilometra larg Tiranës po luhet një nga tragjeditë më të rënda mjedisore në Shqipëri.

    Fabrika e çimentos që është ndërtuar m’u në mes të fshatit tonë -Zallë- , është duke vrarë jetën e mijëra banorëve të zonës çdo ditë. Pa asnjë masë mbrojtëse dhe asnjë kriter mjedisor, oxhakët e kësaj fabrike vjellin natë e ditë re tymi e pluhuri që shkatërrojnë mushkëritë tona.

    Çatitë e shtëpive tona nuk janë të kuqe si gjithë të tjerat, por janë gri pasi janë mbuluar nga shtresa e pluhurit që hedh në ajër kjo fabrikë. Por jo vetëm çatitë, shtresa e pluhurit ka mbuluar pemët, gjethet dhe frytet e tyre, mbulon barin me të cilën ushqehen bagëtitë tona, ndot ujin që pimë përditë se për vete Libanezët e kanë marrë tek -Ura e Gjoles-. Përballë kësaj katastrofe, është një biznes privat që as do t’ia dijë për jetën tonë. Por në ndihmë të saj është pushteti vendor që merr dhe pagesën mujore për ndotjen dhe qeveria, e cila ka qenë gjithmonë aleate e këtij biznesi vrasës që na trajton si fshat njerëzish të egër.

    Madje, përkundrejt interesave tona, policia ka qenë gjithmonë nën kujdesin e këtyre sipërmarrësve vrasës -çdo natë vijnë në fshatin tonë 2 furgonë të Forcave të Ndihmës së Shpejtë (FNSH-së) Tiranë të patrullojnë, se kush e jep urdhrin për këtë, që të mos lejojnë të organizojmë protesta e të bëjnë presion mbi ne, banorët. Pra, ne duhet të vdesim, vetëm sepse kështu ua do interesi libanezëve që bëjnë biznes në Shqipëri. Ministria e Mjedisit mbylli me bujë furrat e gëlqereve në zonën tonë, a thua se e zgjidhi problemin e ndotjes së mjedisit, por ajo që po ndodh në këtë fabrikë çimentoje është shumë më e rëndë se të gjitha furrat e gëlqereve së bashku.

    Këta po na vrasin, pasi kanë blerë me paratë e jetës sonë politikën dhe pushtetin. Por deri kur do të vazhdojë kështu që Shqipëria jonë e dashur të jetë peng i biznesit!