Banorët e Rrëshenit dhe fshatrave të Tiranës, 2 muaj pa marrë ndihmën ekonomike

    354
    Banorët e Rrëshenit dhe të fshatrave të Tiranës që trajtohen me ndihmë ekonomike nuk kanë marrë prej dy muajsh pagesën. Edhe pse në shifra qesharake (vetëm 60 lekë në ditë për kryefamiljarin, se anëtarët e tjerë e kanë më të vogël kuotën ditore), ministri Veliaj ua ka bërë të pamundur marrjen e kësaj ndihme ekonomike, edhe pse është i vetmi burim jetese për këto familje hallemadhe shqiptare. Banorët ankohen se sa herë shkojnë në komunat apo njësitë e tyre për t’u interesuar, kthehen në shtëpi me bisht ndër shalë, duke vijuar me thurjen e gënjeshtrave për fëmijët, të cilët presin që në sofër të ketë bukë. Nuk dihen arsyet e kësaj vonese, por sipas reformave të bëra me ardhjen e ministrit Veliaj në krye të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, çdo person që do të përfitojë pagesën e ndihmës ekonomike duhet të regjistrohet me patjetër në Zyrën e Punës, në të kundërt ai do të figurojë si i paregjistruar. Nëse më parë banorët e disa zonave përfitonin ndihmë ekonomike nga listat që bëheshin nga njësitë apo komunat, tani të gjithë personat që duan të përfitojnë ndihmë ekonomike janë të detyruar të regjistrohen në Zyrën e Punës. Kur regjistrohet, personi merr statusin e punëkërkuesit të papunë, duke u kategorizuar në grupin përkatës, për shembull në kategorinë e përfituesve të ndihmës ekonomike. Personi që është përfitues i ndihmës ekonomike duhet të paraqitet çdo tre muaj në afatin e përcaktuar për të konfirmuar faktin nëse është i papunë apo jo. Nëse personit që figuron si punëkërkues i ofrohet një vend pune nga Zyra e Punësimit dhe ai refuzon punën e ofruar, ai hiqet nga lista e punëkërkuesve. Por deri sa banorët e këtyre zonave të mësojnë këto procedura, apo të presin miratimin nga institucionet përkatëse (Zyra e Punës, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajshme, Zyra e Tatim-Taksave, Zyra e Sigurimeve Shoqërore dhe Zyra e Inspektoriatit të Punës), ndërkohë uria ka bërë fole në familjet e tyre.
    Sigal