Banorët e Pogradecit konsumojnë ujë me ndotje bakteriale

621
Sigal

Alarupit / Askush nuk mban përgjegjësi për shëndetin e fëmijëve. Burimi i parë u çel nga Ahmet Zogu më 1937

Nga Vepror Hasani

Qindra banorë të Pogradecit konsumojnë ujë me ndotje bakteriale!

 

Prej disa vitesh jeta e banorëve të fshatit Alarup të Bashkisë Pogradec po rrezikohet nga mungesa e ujit të pijshëm. Gjatë këtij harku kohor ujësjellësi ka qenë jashtë funksionit. Të gjendur në këto kushte, rreth 600 banorë detyrohen të konsumojnë ujin e një çezme në mes të fshatit, i cili rezulton me ndotje bakteriale. Por edhe pse e vërteta është kështu, askush nuk i ndalon të mos e përdorin atë ujë, pasi mund të gjenden në situata katastrofale. Sipas banorëve të fshatit Alarup, “ndotja bakteriale është konfirmuar nga Drejtoria e Shëndetit Publik, e cila ka këshilluar moskonsumimin e këtij uji. Për ujin e ndotur të çezmës së fshatit tone është vënë në dijeni edhe Bashkia, por deri më sot nuk është bërë asgjë. Vetë Bashkia nga ana e saj pohon se i ka projektet gati, por nuk ka fonde për ndërtimin e ujësjellësit. Ndërkohë as nga qeveria nuk është bërë ndonjë lëvizje, edhe pse është vënë në dijeni për ndotjen e ujit. Për të gjitha arsyet e mësipërme, banorët e fshatit Alarup, të rinj e të moshuar, fëmijë dhe të rritur, pleq, të sëmurë dhe gra shtatzëna, vazhdojnë të konsumojnë ujin e ndotur. Deri më tani, kemi pasur persona të sëmurë, por nuk dimë nëse shkak ka qenë uji i çezmës ose jo. Fatmirësisht deri më tani nuk na ka ndodhur ndonjë epidemi, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të na ndodhë në vijim, pasi nga Drejtoria e Shëndetit Publik na është thënë të mos e konsumojmë këtë ujë”.

 

Kemi merakun e fëmijëve

“Drejtoria e Shëndetit Publik vërtetë kërkon të mirën e shëndetit tonë, – shprehen banorët, – por ne nuk kemi asnjë mundësi tjetër për sigurimin e ujit të pijshëm. Duhet të ecim më këmbë një apo dy kilometra për të gjetur ujë të pastër. Kjo gjë është e përditshme dhe ne nuk kemi as mundësi dhe as nuk ia dalim dot. Gjithë meraku ynë është tek fëmijët dhe te pleqtë. Shpesh fëmijët i kemi pasur me temperaturë. Ata që patën mundësi financiare, (disa prej banorëve të fshatit), kanë hapur puse në oborret e shtëpive të tyre. Nuk ka qenë shumë e vështirë, mjafton futja e një sonde 70 metra thellë dhe uji vjen, por ata i kishin mundësitë, kurse qindra banorë të tjerë nuk i kanë. Kjo na bën të mendojmë se qeveria na ka lënë jashtë kujdesit, sepse siç na kanë shpjeguar, nëse vendosen sonda 150 metra thellë, mund të sigurohet ujë i pastër për gjithë banorët e fshatit. Atëherë përse nuk vihet në funksionim kjo zgjidhje? Qoftë edhe e përkohshme”. Ne, si fshat, – shpjegojnë më tej banorët, – përveç kësaj çezme nuk kemi ujë tjetër. këtë ujë përdorim për të pirë, për të larë e për të shpëlarë. Fshati ka pasur ujësjellës deri pak vite më parë, por tashmë ai nuk funksionon më; disa thonë se për shkak të ndërhyrjeve, tubat janë dëmtuar dhe uji humbet gjatë rrugës, ka të tjerë që thonë se ujësjellësi i fshatit tonë u bë pa ndonjë projekt të mirëfilltë, ashtu siç ka nga ata që thonë se fondet nuk ishin të mjaftueshme.

 

Burimi i parë u çel nga Ahmet Zogu, më 1937

Sipas banorëve të fshatit Alarup, fshati i tyre e kishte vuajtur mungesën e ujit edhe më pare, por me t’i drejtuar një kërkesë qeverisë së Zogut, përgjigjja na erdhi shumë shpejt. Çelën një pus të ri dhe uji i erdhi sakaq. Në atë kohë uji ishte i pastër, më i shumtë dhe gjithnjë i bollshëm, por me kalimin e viteve (kanë kaluar shumë vite që nga atëherë), uji u pakësua dhe për më keq u ndot, ndaj u bë e domosdoshme çelja e një burimi tjetër. Me këtë ujë që kemi sot nuk bëjmë dot asnjë punë. Rrimë të gjithë në radhë për të mbushur ujë, sepse këtë përdorim jo vetëm për të pirë por edhe për çdo punë tjetër. Humbasim orë të tëra pa punë për të pritur radhën. Jemi në gjendjen më të vështirë të mundshme, sepse gjatë stinës së verës, kur uji duhet me shumë se në çdo stinë tjetër, uji i çezmës pothuajse shteron fare. Ne e dimë çfarë vuajtjesh provojmë nga mungesa e ujit. Të ankohej sot, në vitin 2019, për mungesë uji, nuk të beson njeri. Por ja që e vërteta është kështu. Jemi të detyruar të konsumojmë ujë me ndotje bakteriale!