Banorët e ish- Kënetës dhe Spitallës në Durrës mes mjerimit edhe skamjes

    349
    Sigal

    Mungojnë investimet, nuk ka kanalizime, mungon uji i pijshëm, papunësia në shifrat më të larta

     Zonat e Spitallës dhe (ish) Kënetës, janë terreni brilant, ku mund të takosh personazhe si ato të romanit “Të Mjerët” (Les Miserables) të shkrimtarit francez Victor Hugo. Mungesa e gjatë e integrimit të të ardhurve ka sjellë për periferinë e Durrësit pasoja që nuk kalohen lehtë si dhe probleme të shumta sociale. Veç të rriturve, edhe brezi më i ri po vuan pasojat e dështimit të një qeverisje skandaloze dhe mungesës së një platforme për integrimin e të ardhurve në qytetin bregdetar, duke i mashtruar ata në çdo fushatë elektorale. Dhe, më konkretisht, fusha e madhe prej 10 hektarësh, e cila përdoret prej vitesh si grumbulluesi më i madh i mbeturinave të qytetit me 325 mijë banorë, gjendet vetëm 14 km larg kësaj qendre të banuar. Atje mblidhen qindra burra e gra, duke mos munguar edhe fëmijët, të cilët gërmojnë mes mbeturinave dhe plehrave të shumëllojshme për të gjetur diçka për ta shitur apo edhe për ta ngrënë në familje. Duket si diçka e pabesueshme për ata që i kanë xhepat plot me para, për ata që fëmijët e tyre i dërgojnë me “Benz”-a luksozë në shkolla, duke u mbushur çantat me çokollata, por jo e pabesueshme për 4700 familje në Kënetë e Spitallë, të cilët çdo mëngjes ngrihen duke ndarë “detyrat”, prindi tek sheshi për të kapur ndonjë punë, kurse fëmijët në sheshet e mbeturinave të qytetit, për t’u kthyer rreth darkës me thesin e mbushur me “xhevahire”. Kjo është një ditë e zakonshme për fëmijët që janë prej disa vitesh banorët e Kënetës dhe Spitallës, të cilëve, për arsye etike, nuk mund t’ua përmendim emrat. Ata kanë dy vite që e kanë braktisur shkollën “Demokracia” të asaj zone dhe punojnë për të mbajtur familjet me shitje kanaçesh apo për të siguruar ndonjë ushqim të hedhur me thasë nga automjetet e trageteve dhe restoranteve luksoze të qytetit. Prej vitesh klientët e asaj hapësire gjigante ku derdhen mbeturinat, me thesin në krah, kryejnë ritualin e zakonshëm të mjerimit. Ata nuk i paguan askush, për ta nuk kujdeset askush. Fëmijët duket se janë më të zellshmit e atij vendi pune të rëndomtë. Atje mblidhen ata çdo mëngjes, me thesin hedhur krahëve, duke nisur fillimisht bisedat e tyre fëminore dhe pastaj, duke nisur pastaj nga puna e cila si orar mbaron pasdreke vonë. Duke pyetur disa prej tyre tek ecin me thesin buzë aksit rrugor Ura e Dajlanit- stacioni trenit mësojmë itinerarin e një dite të zakonshme pune. “Presim makinat nga porti apo restorantet, ata kanë ndonjë ushqim të mirë, ndonjë kanaçe, ndonjëherë, gjejmë sallame dhe djathëra të paprekura fare e të paketuara, ato janë ushqim për ne dhe familjet tona”. Fusha e plehrave është kthyer si dikur fusha e druve në Durrës, por sot atje nuk kërkohet produkt për zjarr, por për të mbushur barkun bosh të fëmijëve akoma të paintegruar në jetën normale të një qyteti. Duke fajësuar shtetin, atje prej vitesh nuk duket as ndonjë shoqatë apo fondacion që pretendon se “kujdeset” për fëmijët dhe banorët e vobektë. Askush nuk ka vajtur të shohë dhe të prekë nga afër dramën e tyre, askush nga pushtetarët lokalë deri më sot nuk është interesuar për ata fëmijë dhe prindërit e tyre që bëjnë prej vitesh punë të rëndë dhe me shumë rrezik për shëndetin, duke i konsideruar si “kavie eksperimentale” dhe njerëz të bindur vetëm për t’u dhënë votën. Madje, ndonjë zyrtar vendor shprehet me qesëndi se, “deri sot ata nuk i ka gjetur gjë, puna nuk është turp, le të hanë çfarë gjejnë”. Zyrtarët vendorë e quajnë “punë” atë që bëjnë krahët e tyre të njomë atje në fushën e madhe të plehrave të qytetit, duke u futur qysh herët në mëngjes në masivin e mbeturinave. Por, natyrisht, e parë nga larg dhe nga xhamat e zyrave, ajo duket punë, madje edhe ushqimi që ata nxjerrin prej andej quhet “produkt gjysmë i gatshëm”. Varfëria prej vitesh është kthyer në problem shumë shqetësues për zonat periferike të Durrësit dhe kjo duket edhe në fushën e madhe të plehrave që ndodhet vetëm pak km larg qytetit bregdetar. Spitalla, Këneta dhe zonat periferike janë edhe sot, padyshim, pasqyra e vetme nga ku mund të shikojnë dhe të prekin frytet që mbollën në 24 vjet qeverisjet e këtij vendi, ata që vodhën paratë e investimeve, trojet bregdetare dhe mbollën skandalet financiare dhe korrupsionin në çdo zyrë e qelizë të institucioneve të shtetit.

    Artur AJAZI