Banorët e Çërragës: Shkolla jonë si “burgu i lopëve”

    394
    Fshati Çërragë ndodhet në pikën fundore kufitare që ndan qarkun e Elbasanit me Lushnjën. Ky fshat i madh dikur, pasi atje ndodhej edhe “lagja e të internuarve”, sot ka afro 200 banorë të cilët veç të tjerave jetojnë në kushte skandaloze. Qysh para 44 viteve, kur sistemi asaj kohe vendosi të strehonte në Çërragë “armiqtë e partisë”, duke ndërtuar banesa një katëshe me fare pak komoditet, u ndërtua nga fondi shtetit i asaj kohe edhe një shkollë një katëshe me 12 klasa, një sallë mësuesish, një zyrë drejtorie, me oborr dhe vegla fiskulture. Për kohën dhe deri në vitin 1997, shkolla ishte funksionale, kishte nxënës dhe mësues, kishte drejtor shkolle dhe një minikabinet, kurse sot ajo është kthyer në gërrmadhë. Banorët e fshatit të largët mes Elbasanit dhe Lushnjës, ankohen dhe e quajnë sot shkollën e tyre se është kthyer si “burgu lopëve”, pra sikur të ishte vendstrehimi kafshëve, plevica e tyre. Kjo për faktin se nuk ka kushte, muret po kalben, tavanet janë varur, dyert dhe dritaret janë thyer kurse për xhama nuk bëhet fjalë, pasi ato ja kanë lënë vendin plastmasit. 
    Apeli për Ministrinë e Arsimit
    Objekti 44 – vjeçar që është turpi madh ta quash shkollë deri para pak muajve ka pritur dhe përcjellë disa dhjetra nxënës të fshatit Çërragë, por aktualisht banorët e varfër kanë frikë ti dërgojnë fëmijët e tyre atje. Dikur vinin edhe 8 mësues nga Cërriku dhe Belshi në fshatin e tyre, kurse sot atje nuk ka asnjë pasi “reforma i ka qethur”- shprehen banorët. Ata kërkojnë nga Ministria e Arsimit, të marrë masa urgjente për ndërtimin e një shkolle qoftë edhe një katëshe, qoftë edhe me 2-3 klasa dhe me 2-3 mësues, për të bërë të mundur arsimimin e fëmijëve të tyre. Ata nuk kanë shpresë tek bashkia e Belshit, ndaj i luten Ministrisë Arsimit t’i ndihmojë, pasi nuk munden financiarisht ti dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat e tjera. Fakti është se ashtu si shkolla e fshatit të largët Çërragë, ka me dhjetra shkolla të tjera në gjithë qarkun e Elbasanit, madje edhe në periferinë e qytetit, dhe që prej vitesh pretendohet se “do të investohet” por aktualisht atje nxënësit dhe mësuesit, bëjnë orët e mësimit në kushte skandaloze. Në 3 vitet e qeverisjes së Rilindjes, në qarkun e Elbasanit nuk është ndërtuar asnjë shkollë e re, ndaj mbetet urgjente planizimi dhe investimi për arsimin në pothuajse 80 per qind të fshatrave të kësaj zone. Rasti i shkollës së Çërragës, mbetet tablloja më e zymtë dhe realiteti më skandaloz për të kuptuar se në cilat kushte ndodhen sot shkollat edhe në fshatrat e zonave rurale të qarkut të Elbasanit. Banorët e Çërragës u shprehën se “Do të mjaftonin paratë e një Jaguari të qeverisë, për të ndërtuar në fshatin tonë një shkollë model, pa shumë kushte moderne, por të pranueshme për fëmijët tanë që po lindin dhe po rriten analfabetë”. 
    Sigal