Banorët e Bradasheshit paralajmërojnë bllokimin e rrugës nacionale

    360
    Sigal

    Protestë ndaj ndotjes së KURUM-it

    Banorët e fshatrave Bradashesh, Katundi Ri, Kusarth e Shijon, kanë paralajmëruar bllokimin e aksit rrugor nacional Elbasan-Tiranë, në rast se Prefektura, qeveria dhe Kryeministri Rama nuk marrin masa urgjente për të ndaluar ndotjen alarmante që u shkakton atyre KURUM. Uzina e çelikut dhe impiantet e tjera të shkrirjes së metaleve, të kompanisë KURUM, prej vitesh po helmojnë mbi 2500 familjet e këtyre fshatrave, duke krijuar stres dhe duke u shkaktuar atyre dëmtime të rënda në shëndet. Banorët e fshatrave të kësaj komune të indinjuar shprehen se “prej vitesh ne jemi të vetmuar, asnjeri nuk na përkrah, as komuna as Prefektura, as qeveritë, as deputetët. KURUM po helmon banesat tona, ne dhe fëmijët  tanë, bagëtinë dhe të mbjellat tona dhe asnjeri nuk vjen të ndalojë këtë tmerr që po përjetojmë ne”. Gjatë fushatës së fundit elektorale, deputetët dhe qeveritarët e sotëm u premtuan atyre se “do të ndalim ndotjen, do ta detyrojmë KURUM të vendosë sistemin e filtrave, ndryshe do të bllokojmë aktivitetin e tij”. Por duket se KURUM,  ka triumfuar mbi  kryetarin e komunës, mbi Prefekturën, mbi qeverinë, mbi deputetët dhe nuk pyet për ligjet e shtetit shqiptar. Në vitin 2011 banorët e komunës, duke parë mashtrimet dhe heshtjen vrastare të qeverisë, u lidhën me një avokat në Elbasan dhe hapën edhe një çështje penale ndaj KURUM, dosje e cila nuk u hetua kurrë nga Prokuroria e Rrethit, por edhe as u gjykua ndonjëherë. Në Maternitetin e Elbasanit shprehen se “në çdo 10 lindje që vijnë nga fshatrat e komunës së Bradasheshit, 3 deri 4  prej tyre dalin me probleme dhe kjo si shkak i ndotjes nga KURUM, i cili sipas raporteve dhe matjeve mjedisore rezulton se shkakton ndotje afro 10 herë mbi normat e lejuara në ato fshatra”. Banorët e komunës së Bradasheshit  dhe fshatrave kufitarë me uzinat e KURUM, sërish janë ngritur në protesta për ndotjen alarmante e cila po helmon gjithçka që ata kanë. Helmet dhe gazrat po mbulojnë ditën e natën banesat, duke mos i lejuar të hapin dyert dhe dritaret, po u helmon bagëtinë dhe kjo duket nga refuzimi banorëve të Elbasanit për të mos blerë qumështin dhe bulmetin e tyre. Po helmon ajrin duke sëmurur burra, gra dhe fëmijë të atyre fshatrave, si dhe po dëmton dhe ndikon tek lindjet e reja. Por si të mos mjaftonte kjo situatë alarmante, banorët u shprehën se “ndjehemi të braktisur edhe nga Agjencia Rajonale e Mjedisit, e cila prej 2 muajsh ka mbetur pa titullar, kurse inspektorët e saj as që duken në Bradashesh, ndoshta janë kompromentuar ashtu siç janë kompromentuar edhe të tjerët nga KURUM”.  ARM duhej të ishte e gjendur vazhdimisht në uzinat e KURUM, të kryente matjet dhe të monitoronte ndotjen e ajrit  në zonat e banuara të komunës së Bradasheshit, ndërkohë që inspektorët e saj ose nuk e njohin detyrën, ose nuk duan ta kryejnë atë. Ndotja e KURUM ka qenë dhe është problemi kryesor jetësor për banorët e komunës së Bradasheshit. Bardhyl Selita, banor i fshatit Katundi Ri u shpreh për “Telegraf” se “ne po i dalim borxhit edhe kësaj here qeverisë dhe Prefekturës Elbasan, pastaj do të veprojmë sipas logjikës sonë, do të mblidhemi dhe do të bllokojmë rrugën nacionale, por edhe portën kryesore të KURUM-it, situata është më shumë se alarmante. Vjet  thanë se do të vendosim sistemin e filtrave, se kemi investuar miliona dollarë, ndërkohë që ne nuk hapim dot dyert dhe dritaret  dhe po na helmohen tokat, bagëtitë, fëmijët”. Paralajmërimi i banorëve ka ardhur edhe për deputetët socialistë, të cilët gjatë fushatës u premtuan atyre ndryshimin e situatës pasi të vinin në pushtet, por që realisht situata është rënduar më shumë. Ligji detyron KURUM-in të  mbajë 24 orë non stop në punë sistemin e filtrave, kur furrat e shkrirjes janë të ndezura, dhe ti fikë ato kur procesi ka përfunduar. Në çdo shtet tjetër europian ose jo, KURUM do të ishte gjobitur dhe larguar prej kohësh, por dhe nuk do të guxonte të luante me ligjet e shtetit dhe jetën e qytetarëve,  por tek ne duket se blihen lehtë dhe lirë  qeveritarët  dhe ligjvënësit.