Banorët e Bradasheshit denoncojnë “Kope me qen nga Tirana shkarkohen në Elbasan”

    425
    Një fenomen i pazakontë po ndodh prej një jave në Bradashesh, ose më saktë në km e parë të autostradës Elbasan-Tiranë, kur furgonë, të cilët përdoren për transport mallrash, shkarkojnë kope me qen dhe largohen prej andej me urgjencë. Banorët e Bradasheshit dhe Shijonit i deklaruan “Telegraf” se “pasdite vonë dhe në mëngjes herët prej një jave, furgonë të mëdhenj me targa të Tiranës, vijnë shkarkojnë kope me qen, i trembin të shpërndahen ku të mundin dhe largohen drejt kryeqytetit qetë-qetë, na tmerruan”. Por sikur të mos mjaftonte kjo, kopetë me qen të sëmurur i janë drejtuar edhe qytetit të Elbasanit. Prej 3-4 ditësh, qytetarët e Elbasanit në lagje dhe qendër, kanë parë dhe janë ndeshur me tufa qensh të tërbuar, që ecin bulevardit dhe shesheve, duke trembur dhe duke kanosur çdo njeriu që shikojnë. Rritja e frikshme e numrit të qenve në rrugët dhe sheshet e Elbasanit, ardhja e pabesë e furgonave me tufa qensh nga Tirana, si nismë për “pastrimin e kryeqytetit”, mbetet një skandal i paparë. Në Urgjencën e Elbasanit, pothuajse çdo 2 ditë vijnë mjekohen, madje edhe shtrohen në Infektiv dhjetëra raste nga kafshimet e qenve dhe sëmundjet e marra prej tyre, kryesisht fëmijë dhe të rinj. Edhe nata është një stres më vete për banorët e Elbasanit. Kope me qen do t’i hasësh tek Dogana, Stacioni Trenit, Sheshi Gensher, Stadiumi, Lagja Vullnetari, tek Tregu dhe në të gjitha rrugicat e qytetit, duke lënë me frikë dhe pa gjumë qytetarët. Lidhur me “importimin” e kopeve me qen nga Tirana, banorët e Bradasheshit dhe Shijonit, kanë sinjalizuar edhe Policinë e Rendit dhe atë Rrugore, e cila deri sot nuk ka kapur apo gjobitur asnjë mjet të tillë, që kryen transport të paligjshëm, aq më tepër, duke sjellë kafshë të sëmura nga një qytet tek tjetri. Qytetarët kanë sinjalizuar edhe Bashkinë e qytetit, e cila ka organizuar Policinë Bashkiake dhe sektorin Veterinar për të konstatuar këtë fenomen të shëmtuar. Fakti është se edhe Elbasani ka rritje të frikshme të kopeve me qen rrugaçë, të cilët janë bërë prej muajsh burimi i sëmundjeve dhe infeksioneve edhe tek njerëzit. Nga ana e tyre edhe shoferët e furgonave të linjës me Tiranën, për pasagjerë u shprehën se “qysh herët në mëngjes furgona të ardhur nga Tirana shkëmbehen me ne, marrin kthesën pa ardhur në Bradashesh dhe shkarkojnë kope me qen, në fillim na është dukur e habitshme, u shokuam kur shihnim nga xhamat dhe pasqyrat tona se si hapeshin kanatet e karrocerive dhe vërshonin në fusha dhe autostradë tufa me qen”. Fenomeni duhet t’i bëhet me dije edhe Bashkisë së Tiranës, e cila mbetet përgjegjëse për një “aksion” të tillë pastrimi, pasi nuk mund të zbrazësh kryeqytetin nga kopetë me qen rrugaçë, dhe t’ia faturosh një qyteti tjetër, aq më tepër Elbasanit, kur dihet sa problematik mbetet ai qytet për ndotjen e mjedisit. Vasili nga Shijoni, që punon roje në një bar-restorant tek ura e Bradasheshit, tregoi për “Telegraf” se “kam mbi një javë që shikoj, madje një natë edhe jam zënë me një shofer furgoni, që shkarkoi mbi 25 qen duke i trembur e duke i goditur të shpërndaheshin në fushë dhe ambiente të tjera, ishte një djalosh me mjekër, që më tha se “kemi urdhër, nuk jemi të çmendur të vijmë me kokën tonë çdo mëngjes këtu, na urdhërojnë ata të ndërmarrjes”. Roja i lokalit Vasili, tha se “shumë nga qentë që duken si të tërbuar, sa zbresin janë dyndur edhe në lagjet e fshatit tonë, hanë dhe shqyejnë çfarëdo gjejnë, po nuk merr masa Bashkia, do t’i vrasim ne privatisht, nuk kishte bërë vaki ndonjëherë kjo gjë”. Fenomeni në dukje lokal, duhet të marrë patjetër një trajtim dhe zgjidhje institucionale, pasi bëhet fjalë për shëndetin e banorëve të periferisë dhe qytetit të Elbasanit, dhe rreziqet e shumta që sjellin kafshë të tilla, të dala jashtë kontrollit.
    Sigal