Banorët akuzojnë kryetarin e komunës Macukull se ka vjedhur fondet e rrugës

    585
    Sigal

    Banorët e fshatit Shqefën në Mat, apel kryetarit të komunës: Hap rrugën ose do të shkoni në burg!

    Një vit më parë filluan punimet për ndërtimin e rrugës ne fshatin Shqefën të komunës së Macukullit ne rrethin e Matit. Projekti i kësaj rruge ishte hartuar dhe miratuar nga Këshilli i Komunës Macukull. Projekti ishte hartuar në dy faza: Si fazë e parë ishte parashikuar të kryhen punimet në segmentin rrugor prej 1.5 km. Theksojmë se ndërtimi i kësaj rruge bën të mundur dhe realizon lidhjen mes dy fshatrave Shëlli-Shqefën e, për rrjedhojë, bëhet edhe lidhja me qendrën e komunës, e më tej edhe me qendrën e rrethit. Por, çuditërisht dhe fatkeqësisht punimet në këtë segment rrugor u ndërprenë. Theksojmë se punimet zgjatën vetëm 2 javë, ku u hapën rreth 300 m rrugë. Menjëherë pas kësaj që ndodhi u mblodhën banorët e fshatit në një mbledhje urgjente ku u konkludua dhe u përpilua edhe një peticion, drejtuar kryetarit të komunës së Macukullit, z. Skënder Gjuci dhe për dijeni edhe Komisariatit të Policisë së rrethit të Matit, ku kërkohej rifillimi i punimeve të rrugës dhe sqarimin e ndërprerjes së këtyre punimeve. Kujtojmë se peticioni në fjalë mban datën 07.08.2013, ku dhe është firmosur nga 36 banorë të fshatit. Është e vërtetë se një banor i vetëm i cili quhet Hysni Suçi, jo se është bërë pengesë për hapjen e rrugës, por pretendon se një pjesë e rrugës kalon nëpër tokat e tij dhe kjo, nuk përbën ndonjë problem serioz për këtë banor, pasi pjesa e rrugës që kalon nëpër tokën e banorit në fjalë, nuk është as tokë arë dhe as truall, por çuditërisht, është një sipërfaqe pylli, edhe kjo, në shifër të papërfillshme. Për këtë, banoret i kanë kërkuar kryetarit të komunës z.Gjuci, që kjo pjesë rruge që pretendon ky banor, të lihet për t’u hapur në fund të punimeve, ndërsa në pjesët e tjera, puna të rifillojë normalisht. Edhe këtë version të paraqitur nga banorët e fshatit, kryetari nuk e ka pranuar, por është shprehur vazhdimisht se punimet do të rifillojnë së shpejti. Kjo përgjigje e kryetarit të komunës ka vazhduar më shumë se prej një viti. Me sa duket, për kryetarin e komunës, ky ka qenë thjesht një pretekst, pasi një banor i vetëm, nuk mund të bëhet kurrsesi pengesë për hapjen e rrugës që i shërben një komuniteti të tërë fshati. Banorët janë shprehur se personin në fjale do ta bindin, që të mos bëhet pengesë për hapjen e rrugës. Banorët i kanë thënë vazhdimisht kryetarit të komunës që të rinisë punimet sa më shpejt të jetë e mundur, se nëse do të ketë pengesë nga një banor i vetëm, do të jenë ata, banorët, që do të ndërhyjnë nëpërmjet shtetit për zgjidhjen e problemit. Firma sipërmarrëse i ndërpreu punimet me urdhër të kryetarit të komunës, jo se u kërcënua nga ndokush, por se ishte planifikuar vjedhja e parave. Dhe, fatkeqësisht, kështu ndodhi, përderisa fondi është tërhequr dhe punimet nuk po rifillojnë, atëherë i bie që do të thotë se janë vjedhur lekët. Në këto kushte, banorët me të drejtë ngrenë dyshimin dhe duan të dinë, se ku kanë shkuar fondet e kësaj rruge që nuk po hapet. Nëse kryetari i komunës thotë se nuk ka fonde, është absolutisht e pavërtetë, pasi para se të fillonin punimet e kësaj rruge, është miratuar dhe çelur fondi i nevojshëm. Para fillimit te punimeve të rrugës, vetë kryetari i komunës ka deklaruar se janë siguruar fondet për këtë segment rrugor, por fakti që sapo punimet në këtë rrugë kishin filluar dhe ishin hapur vetëm 300 metra rrugë, punimet u ndërprenë, gjë e cila për banorët ishte e papritur, ndërkohë që lindën edhe dyshimet e para. Atëherë me të drejtë banorët pyesin, se pse u ndërprenë punimet dhe ku kanë shkuar fondet. Banorët e fshatit Shqefën paralajmërojnë se, nëse nuk rifillon puna për ndërtimin e rrugës, do të bllokohet rruga kryesore qe lidh 5 fshatrat e komunës me qendrën e rrethit (Burrel). Gjithashtu, banorët shprehen se do t’u drejtohen edhe organeve të drejtësisë për të kërkuar se në xhepat e kujt kanë hyrë paratë e rrugës që nuk po hapet.

    Shefqet Metuku

    Banor i fshatit Shqefën, komuna Macukull, Mat