Banorët, akuza ujësjellësi: po qelbemi dhe askush nuk vjen të na qajë hallin!

    372
    Tre lagje në Elbasan prej një muaji po vuajnë mungesën e ujit të pijshëm, duke krijuar vështirësi në familjet e tyre për higjenën dhe nevojat e tjera jetike. Tre lagjet kryesisht ato periferike, prej një muaji, pas lidhjeve të reja por edhe prerjeve të lidhjeve të paligjshme, kanë mbetur pa furnizimin me ujë të pijshëm, ndërkohë që banorët akuzojnë Ujësjellësin për “klientelizëm dhe veprime të qëllimshme” ndaj tyre. Në zonat ku mungon uji banojnë kryesisht të ardhur vitet e fundit në Elbasan, por edhe romë, të cilët veç mungesës së infrastrukturës, tashmë u duhet të përballen edhe me mungesën e ujit. Ata dje kanë bllokuar rrugën kryesore të periferisë, duke kërkuar lidhjen dhe furnizimin me ujë të lagjeve të tyre. Zona ky shtrihen tre lagjet ndodhet në kufijtë me ullishtet, tek ish-ferma bujqësore, dhe tek banesat buzë përroit të Manazderes. Banorët kërkojnë urgjentisht lidhjen dhe furnizimin me ujë, dhe akuzojnë Ujësjellësin për “prerje të paligjshme të rrjetit, kur faturat e ujit paguhen rregullisht edhe pse ai mungon në çezmat e tyre”. Pas defekteve të shumta me energjinë dhe rrjetin elektrik, mungesa e rrjetit dhe e furnizimit me ujë në disa lagje kryesisht periferike në Elbasan, mbetet problem kronik që vazhdimisht ka qenë shqetësim për banorët. Të mbledhur në rrugën e quajtur “rruga e Kolaudimit” ata u shprehën se “ne po qelbemi, nuk kemi as ujë, as drita, as rrugë, as kopështe, jetojmë si në kohën e gurit, sepse jemi romë, dhe askush nuk na përkrah, erdhi grupi Ujësjellësit dhe na preu ujin kur ne edhe pse nuk na vjen e paguajmë, për 2-3 familje digjemi të gjithë”. Por e njëjtë paraqitet situata edhe në lagjet e ish-fabrikës së tullave tek ura e Shkumbinit, të cilat kanë mbi 2 javë që nuk furnizohen me ujë për shkak të amortizimit të rrjetit, por edhe defekteve të rrjetit elektrik. Por sikur të mos mjaftonte kjo, disa prej akseve rrugore kryesore në Elbasan, janë shkatërruar, pasi Ujësjellësi ka futur një tubacion të ri në rrjet, dhe ka dëmtuar gjithçka, duke vështirësuar lëvizjen e makinave dhe këmbësorëve. Duke pretenduar se “po shtrijmë rrjetin e ri”, mjetet e rënda të Ujësjellësit kanë çarë disa akse rrugore të qytetit duke shkatërruar edhe trotuaret pranë tyre. E ndërsa Elbasani ka realisht rezerva të mëdha më ujë, duket se mënyra dhe format e menaxhimit,janë shkaqet që po sjellin probleme tek banorët e qytetit. Elbasani aktualisht ka një rrjet që po shkon drejt amortizimit, pavarësisht se vende-vende ka ndërhyrje me investime sporadike. Asnjëherë ky qytet nuk e ka ndjerë mungesën e ujit as në verë, ndërkohë që ka mjaft subjekte që e harxhojnë atë pa kriter dhe paguajnë sa një familje e varfër. Banorët e periferisë kërkojnë masa urgjente për riparimin dhe furnizimin me ujë të banesave të tyre, ndryshe do të bllokojnë akset rrugore, dhe nuk do të lejojnë grupet e Ujësjellësit të kryejnë prerjet apo dhe riparimet e nevojshme.
    Sigal