Sigal

Të gjithë malet t’u përulën,

Gjak i kuq çdo gur çdo plis,

Se po shkon Adem Jashari

Drejt altarit të lirisë.

 

Sa e panë nëpër beteja,

bubullimat qiejt drodhën,

Se po shkon Adem Jashari

Që të vdesë për Kosovën.

 

Shkon të vdesë Adem Jashari

Për kurban e do liria,

Që të marrë frymë Kosova,

I dha frymëmarrjen e tija.

 

Plagë në trup e brengë në shpirt,

Nuk ka shkja ta kthejë pas,

“Ah të kisha dhe ca gjak

Që ta derdhja në Prekaz!”

 

“Do ta derdhja për Kosovën,

Po të kisha edhe pak”,

Ndaj bozhuret e Kosovës

Fort u shtrydhën e nxorën gjak.

 

Heshtur Isa Boletini,

Shtrëngon dorën tek martina,

Rrudhat çanë shtegun e ballit,

U kthyen në vetëtima.

 

Edhe Vlora kryezonjë,

Prushin prapë rindez te gjiri,

Ismail Qemalit mjekra,

I dridhet si flakë qiriri.

 

Flamuri i rëndë i kombit

Nga shtiza nisi të zbresë,

Zbriti iu mbështoll në trup,

Si krahët e nënë Zajdesë.

 

Thonë u vra Adem Jashari,

Po nuk vritet ai burrë,

U bë shkëmb e hodhi rrënjë,

U bë shqipe në flamur.

 

Thonë u vra Adem Jashari,

Po ai s’ka vdekje kurrë,

U bë erë në alpet tona,

Që të valëviti flamur.

Ai rend nëpër beteja,

Nëpër rrugë të sakrificës,

Në damarët e tij rrjedh,

Gjaku i Azem Galicës

 

Ranë Jasharajt për lirinë,

Sup më sup e dorë për dore,

Pesëdhjetë e tetë dëshmorë

Pesëdhjetë e tetë llogore.

 

Ranë një nga një të gjithë ,

Ranë si lisa të prerë,

Por në djepin e Jasharajve,

Prapë përkunden djem të tjerë…

 

Po dha kushtrimin Kosova

Baca prapë e braktis varrin,

Se s’ka varr që e mban brenda,

Komandant Adem Jasharin!