Bakaj: Objektivi ynë, siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit

    356
    Sigal

    Konferenca e I, AKU nxit nismat me Kosovën në fushën e garantimit të sigurisë ushqimore

    “Ushqim i sigurt, shëndet i i garantuar”. Ky ishte slogani i Konferencës së parë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, me temë “Konsolidimi i sigurisë ushqimore, sfidë për të ardhmen”, mbajtur dje në Hotel Tirana. Garantimi i sigurisë ushqimore dhe ndërgjegjësimi i konsumatorit, mblodhi në këtë konferencë, përveç drejtuesve të këtij institucioni, edhe ministrin e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z. Edmond Panariti, Sekretarin e Përgjithshëm të LSI-së, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, z.Petrit Vasili, Drejtorin e Autoritetit të Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, z.Valdet Gjinovci, përfaqësues Projektit të Këshillit të Evropës, atashuar pranë AKU, por dhe që kanë kontribuuar për këtë institucion, përfaqësues të Operatorëve të Biznesit të Ushqimit dhe përfaqësues të Shoqatave të Konsumatorit. Fjalën e hapjes e mbajti Drejtori i Përgjithshëm i AKU-së, z.Afrim Bakaj, i cili duke falenderuar pjesëmarrësit, deklaroi se “AKU ka në filozofinë e saj bashkëpunimin dhe bashkërendimin e punës me të gjithë aktorët dhe faktorët që lidhen me sigurinë ushqimore në Shqipëri”. Duke folur për aktivitetet e AKU-së dhe përpjekjet që lidhen me sigurinë ushqimore, Bakaj deklaroi, se “AKU ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me institucionet akademike dhe shkencore, me qëllim sigurimin e programeve të përbashkëta, shkëmbim përvoje, zhvillim institucional si dhe aktivitete të tjera me interesa reciproke”. Në kuadër të ndërgjegjësimit të konsumatorit si dhe evidentimit të problematikave të hasura gjatë zbatimit të legjislacionit në fuqi apo përmirësimit të këtij të fundit janë realizuar disa takime me shoqata të ndryshme te biznesit dhe konsumatorit. Aktualisht jemi në fazën e unifikimit të certifikatës fitosanitare, veterinare si dhe njohjes së rezultateve të analizave të kryera për të dy vendet. Një nga treguesit e rëndësishëm të punës së AKU-se ka qenë marrja e masave të menjëhershme për disiplinimin e procesit të therjes dhe tregtimit të mishit”, tha Bakaj. Më pas, fjalën e mori Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z.Edmond Panariti, i cili duke përshëndetur konferencën e AKU, foli për vullnetin e dikasterit që ai drejton, në lidhje me sigurinë ushqimore. “Përqasja jonë e re është, që të ndërtojmë një sistem që mbështetet te gjurmueshmëria, parandalimi, në mënyrë që të arrijmë sigurinë e duhur ushqimore”, deklaroi Panariti, sipas të cilit, “sistemi vertikal ka avantazhe, pasi kontrolli fillon që në arë, në fermë, në stalle etj”. Drejtori i Vlerësimit dhe Komunikimit të Riskut në AKU, Z.Besnik Jakaj, u ndal vetëm në ndërgjegjësimin e konsumatori. Jakaj deklaroi, se konsumatori është rregullatori më i mirë i tregut. “AKU ka qëllim në vetvete, por edhe detyrë funksionale ndërgjegjësimin e konsumatorit. Ne nuk kemi një periudhë të caktuar, apo periudha të ndryshme për ndërgjegjësim. Por, çdo ditë, çdo javë e çdo muaj, ndërgjegjësimi është me vend dhe i rëndësishëm, duke ditur dhe rrezikun gjithmonë prezent. Të pranishmit më pas i përshëndeti dhe kryeshefi i AUV-it në Kosovë, Z.Valdet Gjinovci, i cili duke folur për sigurinë ushqimore, foli dhe për rëndësinë e marrëveshjes mes dy institucioneve homologe të Shqipërisë e Kosovës dhe për procedurat, të cilat përveçse rrisin sigurinë ushqimore, ndihmojnë dhe biznesin e këtij sektori. Ndërkohë që la të nënkuptohet, se një konferencë e tillë mund të organizohet edhe në Prishtinë. Në konferencë referuan dhe Dekania e Fakultetit të Biotenkologjisë dhe Ushqimit, znj.Renata Kongoli dhe znj.Bizena Bijo, pedagoge në Universitetin Bujqësor të Tiranës, të cilat folën për bashkëpunimin e UBT me AKU, marrëveshjet e nënshkruara, rëndësinë e ushqimit të sigurt, rëndësinë e Universitetit Bujqësor në garantimin e sigurisë ushqimore etj.. Ndërsa drejtori i IUV, z.Ardian Xinxo, foli për rëndësinë e laboratorëve, si pjesë e rëndësishme e zinxhirit të sigurisë ushqimore.

    Ndërkohë, në fund pati edhe diskutime nga pjesëmarrësit ku vlen të theksohet ai i z.Islam Cani, Kryetar i Shoqatës së Konsumatorit, sipas të cilit, “AKU ka bërë një punë të mirë, veçanërisht në disiplinimin e therjes së kafshëve e tregtimit të mishit”.