Bakaj: Lëvizje e lirë e produkteve, duke respektuar marrëveshjet teknike

    408
    Sigal

    Shqipëri-Kosovë, Autoritetet e Sigurisë Ushqimore mblidhen për unifikimin e inspektimeve

    Unifikimi i procedurave të praktikave të inspektimeve mes Shqipërisë dhe Kosovës, ishte qëllimi i takimit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe Agjencisë se Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, në kuadër të një bashkëpunimi sa më të ngushtë ndërmjet dy vendeve. Në vijimësi të takimit që Zëvendësministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z.Alban Zusi dhe Drejtori i Përgjithshëm i AKU-së, z.Afrim Bakaj patën disa javë më parë në Kosovë, një delegacion nga AUV i Kosovës erdhi në Tiranë, ku u takua me krerët e Autoritetit Kombëtar në Ushqimit, me të njëjtin qëllim, unifikimin e procedurave në Pikat e Inspektimit Kufitar (PIK), mes dy vendeve.

    Në takimin mes dy delegacioneve të autoriteteve respektive të sigurisë ushqimore, Drejtori i Përgjithshëm i AKU-së, z.Afrim Bakaj, shprehu gatishmërinë për të pasur një bashkëpunim të ndërsjelltë sa më të mirë, duke theksuar, se “kryesorja është që produktet tona të lëvizin pa asnjë problem mes dy vendeve, duke respektuar marrëveshjet teknike dhe unifikuar disa praktika të inspektimeve në Pikat e Kalimit Kufitar, duke krijuar edhe lehtësira për importuesit dhe eksportuesit e dy shteteve tona”.

    “Sa më shpejt të sheshohen mosmarrëveshjet teknike dhe të unifikohen praktikat dypalëshe, aq më frytdhënëse do të jenë bashkëpunimet tona”, u shpreh z.Bakaj.

    Pala kosovare, e kryesuar nga zv. Drejtori i Përgjithshëm i AUV, z. Nazif Krasniqi, ndër të tjera përgëzoi për mundësinë që u jepet për bashkëpunim të dy palëve, duke diskutuar për aspektet teknike për importin dhe eksportin e mallrave në PIK-e.

    Z. Krasniqi tha më tej, se lehtësimi i mëtejshëm i procedurave të kontrollit ndërmjet dy vendeve do të na ndihmonte shumë për lëvizjen e lire të mallrave ushqimorë. Duke parashtruar edhe problematiken që haset aktualisht në formatet e certifikatave në PIK për produkte që kanë anomali, si dhe një sërë praktikash të tjera në lidhje me gjurmueshmërinë e produktit, të cilat u diskutuan konkretisht nga një grup dypalësh i specializuar pune, përfaqësuesit e dy autoriteteve nënvizuan rëndësinë e përshpejtimit të unifikimit të procedurave në PIK-e.

    Marrëveshja që pritet të nënshkruhet Shqipëri-Kosovë është e bazuar në marrëveshjen e tregtisë së lirë CEFTA (Central European Free Trade Agreement), në të cilën marrin pjesë tetë vende të rajonit të Ballkanit Perëndimor si, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja Hercegovina, Kroacia dhe Moldavia.