Babaçja i Lukovës, në memorie të Areteo Gjenerarit

714
Agron MEMA

Njeriu punon dhe ikën nga kjo botë aktive për t’u përfshirë në një botë me kujtime. Dhe kjo është gjurma, ky është emri. Është nderimi që vjen dhe mbetesh në kujtesë. Sa bën, sa bëre, sa kishe mundësi dhe sa të lanë ta bëje realitet dëshirën? Kjo është tjetër çështje që nuk ka të bëjë me karakterin. Por respekt atë që nuk bënte politika me politikat e saj të shpërfytyrimit, atë e bënte komuniteti ku shërbeje. Dhe ky është suksesi më i madh në jetën e njeriut. Nisur nga ky postulat filozofik themi se kemi të drejtë ta respektojmë këdo dhe tangjente me këtë perimetër vjen edhe kujtimi i Areteo Gjenerarit; thënë ndryshe , i pagëzuar nga i gjithë komuniteti bregdetar BABAÇE. Dhe ky pagëzim i popullarizuar eklipsoi emrin e vënë nga prindërit dhe i pagëzuar në kishë, Areteo. Qenka më i madh pagëzimi popullor! Por do ti, që Babaçes sonë i pëlqente më shumë ta thërrisnin, Babaçe. Kjo kish hedhur rrënjë tek Babaçja ynë. Dhe jo vetëm, por tek të gjithë. Ky është lartësimi i emrit dhe trashëgimisë. Babaçja ka ushtimë të gjatë. Udhëtim të vështirë. Udhëtim krenar, sepse la diçka nga pas. Kë la? La një emër përgjithësues” BABAÇE”, la jetën e tij humane. Kur ndesh me këto kujtime, pasi ke lënë në varreza arkivolin e mikut tënd mbuluar me baltë dhe mbi baltën shumëllojshmëri kurorash e lulesh, rrëke lotësh dhe romane kujtimesh, ashtu siç ndodh në këto raste, thua: “Më ka humbur një mik!”. Po. Të humbi një mik, o mik. Dhe vijnë si një libër i hapur për të gjithë ne, kujtimet. Ah, kujtimet! Janë më të shtrenjtat, se mundësojnë bisedën edhe me njerëzit e dashur që janë larguar nga jeta. Ndaj sot kujtimet vijnë si uragan. Babaçja iku! Vajti vite madje. Duket sikur na pret tek lokali i preferuar me buzëqeshjen e tij të ëmbël e kuptimplote: “Kameriere, na erdhën miq!” Kaq fliste Babaçja. Të tjerat shikoheshin në tavolinën mikpritëse. Pas kësaj nxirrte portofolin dhe parapaguante. Ngrinte gotën dhe mes urimit “Gëzuar!” i thërriste kamerieres, se diçka kish harruar: “Moj zonjë, edhe ju u munduat dhe nuk të dhashë bakshish, por edhe këta erdhën me dy këmbë, gota merr akoma.” Dhe kënaqej Babaçja ynë kur e shikonte tryezën plot raki e meze dhe aq më shumë plot me miq. Dhe fillonte tregonte se si e kish nisur jetën mes vështirësive të një kohe plot fukarallëk. Të gjitha qytetet të shëtitura me makinat e tij. Ajo që tregonte me qejfin e tij të madh, qe, jo vetëm jeta e tij nëpër kantiere dhe ndërmarrje të ndryshme, por në mënyrë të veçantë puna si shofer autobusi me të dënuarit dhe aksionistët e kohës. Ajo kovë që i hidhte ujë radiatorit të autobusit di seç farë ka fshehur dhe transportuar në shërbim të të burgosurve, përfshi këtu edhe ata politikë. Dhe kjo miqësi dhe mirënjohje nuk i mungoi në demokraci. Lukova u mbush me njerëz nga të gjitha rrethet dhe kishin një refren: Duam Babaçen e Lukovës! Babaçja i takonte, i qeraste dhe i uronte. Miqtë nuk largoheshin kollaj. Babaçja i përcillte me buzëqeshjen e tij të rrallëkush e kish. Jo vetëm të burgosurit. Edhe aksionistët që i përcillte për në punë me autobus dhe shpeshherë u zgjidhte dhe ndonjë hall moshor me partiakët konservatorë. I tillë mbeti Babaçja si një shembull. Kortezhi i tij nuk i ngjan një kortezhi të zakonshëm. Përcillet Babaçja! Emri. Njeriu që e la këtë emër. Ndaj ka kaq shumë njerëz. Kaq shumë nderime. Kaq shumë kujtime. Nuk është kollaj të jesh Babaçe! 
Sigal