Baba Tomorri puth kupën qiellore dhe takon zotin!

    724
    Sigal

    Qyteti i Beratit është një pikënisje e mirë për të eksploruar malin e Tomorrit (i quajtur ndryshe “Olimpi Shqiptar”, ose “froni i perëndive”), i cili gjendet në një distancë prej 30-40 km larg nga qyteti. Mali i Tomorrit shquhet për madhështinë dhe formën e tij të bukur duke të kujtuar një luan gjigant të ulur. Ky mal është ndër më të lartët e Shqipërisë, me lartësi 2.416 metra mbi nivelin e detit. Shpati perëndimor i malit është i mbuluar me bimësi të shumëllojshme. Bimësia e parkut të Tomorrit përbëhet nga drurë të tillë si; ahu, rrobulli, panja, frashëri, pisha e bredhi. Ndërsa fauna përfaqësohet nga ariu i murmë, ujku, dhelpra, nusja e lalës, lepuri i egër, etj. Mali i Tomorrit është një pikë e favorshme për ngjitjet alpinistike, trekking, etj. Zona rrëzë Tomorrit është ideale për ngritjen e kampingjeve. Në këtë mal, në lartësinë 1,200 mbi nivelin e detit, gjendet “Tyrbja e Kulmakut” me varrin e Abaz Aliut, shenjtorit të besimtarëve të fesë bektashiane. Gjatë muajit gusht, zhvillohet pelegrinazhi për në varrin e tij dhe shoqërohet me kurbane të shumta. Ky është pelegrinazhi më i madh në Shqipëri i sektit bektashi, e më gjerë.

    Vendi i shenjtë

    Nëse do të dish përse mali i Tomorit është vendi i perëndive, mjafton të shkosh aty në një ditë si ajo e festës së Abaz Aliut. Në këtë vend prehet kleriku Abaz Aliu, me emrin e të cilit është njehsuar ky vend. Që nga Tropoja e Kukësi, nga Kosova e Maqedonia, nga Vlora e Saranda e pa dyshim nga Skrapari, që e ka “pronë” malin e Tomorit, këto ditë, mali, kjo zonë është e pushtuar me të gjithë kuptimin e fjalës. Të gjithë ngjiten në lartësinë mbi 2400 metra për të qenë të pranishëm në festën e përvitshme, që nis me 20 gusht dhe përfundon pas 5 ditësh. Për t’u ngjitur deri në malin e Tomorit ndjek rrugën nga qyteti i Çorovodës. Gjatë rrugës të zë syri male të thepisura dhe një grykë me emrin e Dëvrisë, nga ku dallon një numër të madh makinash dhe njerëz që presin të kalojnë nëpër të. Makinat varg-varg të tregojnë sikur je në ndonjë marshim të organizuar. Por, edhe sikur dikush t’i organizonte, ky lloj rregulli nuk do të ishte kurrë prezent. Secili e di rrugën e tij. Kur vargu i makinave arrin në qendër të komunës Gjerbës, udhëtarët ndalojnë dhe pinë ujë të ftohtë tek vendi i njohur si “3 çezmat e Gjerbësit”. Më pas, ata marrin përsëri rrugën me çakull në një terren shumë të thyer dhe mbërrijnë tek teqeja e Abaz Aliut. Në këtë zonë bëhet kurbani i kafshëve, të cilët transportohen deri këtu për të kryer ritin e përhershëm të kësaj feste, e rikthyer pas viteve ’90. Por pelegrinazhi nuk mbaron këtu. Në malin e thepisur, një tufë delesh të presin rrugën. Edhe ato të kujtojnë se janë gati për kurban. Një kurban, që secili nga vizitorët duhet ta bëjë pa më të voglin problem. Dhe ashtu ndodh. Një enë e madhe me gjak, e mbushur nga therja e deleve në majë të malit, është simboli i gjithë këtij udhëtimi. Ndërsa udhëton drejt lartësisë së Tomorit, ndodhet teqeja e Dervish Ilazit. Ndonëse është gusht, mali të krijon ftohtësi, e cila shkrihet nga zjarret e shumta të pelegrinëve nga të gjitha trojet shqiptare. Edhe rruga është e rregulluar enkas për këtë festë. Besohet se në Shqipëri nuk ka ndonjë mal tjetër veç Tomorit, që të ketë rrugë që makina të shkojë deri në kulm, ku ndodhet varri i Abaz Aliut, profeti i bektashizmit. Dhe, pas ritualit, njerëzit gëzojnë të kalojnë këtu një natë. Çadrat janë hapur tej e ndanë fushës dhe njerëzit i gëzojnë mirë kësaj nate vere në një mal të shenjtë. Të gjithë janë të bindur se kanë bërë diçka që ia vlen. “Kush beson, është mirë, por kush praktikon besimin, është më mirë akoma”. Me këtë postulat këta njerëz duket se kanë bërë diçka në jetën e tyre. Kanë respektuar një shenjt, kanë bërë një ritual me të gjitha praktikat dhe pastaj kanë kaluar një natë në majën e malit Tomor, një mal që në histori njihet si mal i perëndive.

    Ritet e festës së Abaz Aliut

    Nëse duhet të shkosh në festën e Abaz Aliut, në malin e Tomorit, kjo nuk mund të ketë kuptim pa flijimin e deles. “Therja e Kurbanit do të thotë se shpirti i kurbanit shkon lart, ndërsa mishi shpërndahet”, kështu shpjegohet riti i kësaj feste. Por një veçori tjetër e kësaj feste është edhe lyerja e ballit të pelegrinit me gjakun e kurbanit të flijuar për nder të klerikut. Por, nuk mbarojnë këtu ritet e kësaj feste, e cila zgjat pesë ditë. Sipas besimtarëve të këtij sekti, marrja e qirinjve të shkrirë, si dhe dheut, i cili ndodhet në vendin ku prehen klerikët bektashinj, sjell mbarësi. Por këtë të fundit, sipas besimtarëve, e bën edhe hedhja e lekëve dhe e sendeve të tjera në varrin e klerikut, siç është ai i Iliaz Dervishit apo edhe te varri i personit nga ka marrë emrin kjo festë, Abaz Aliu.