Baba Mondi: “Mund ta marrësh hakën vetë, por më mirë t’ia lësh Zotit në dorë”

    503
    Sigal

    Intervista/ Flet Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi, mbi fenomenin e gjakmarrjes

    Shqipëria vjen nga një regjim diktatorial, gjatë të cilit njerëzit kishin humbur besimin tek zoti, gjë që solli varfëri dhe injorancë mes njerëzve dhe interneti e zhvillon dhe rrit njeriun për të mos rënë në nivelin e kafshës. Madje do thoja që shteti duhet të bashkëpunojë me grupet intelektuale për të zbutur apo zhdukur gjakmarrjen”, kështu është shprehur në një intervistë, dhënë për “Telegraf”, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Baba Mondi rreth fenomenit të gjakmarrjes në vendin tonë.

    -Si e shihni ju gjakmarrjen, në një kohë kur, diskutojmë çdo ditë për një vend të sigurtë, për anëtarësim në NATO dhe për Europën e Bashkuar?

    Gjakmarrja është sëmundja e shoqërisë shqiptare e trashëguar nga kohët e mëparshme, kur funksiononte KANUNI. Megjithëse KANUNI flet qartë, rregullat e tij janë deformuar e shkelur. Një fenomen I tmerrshëm mbi të cilin shteti duhet të vërë dorë dhe të ndërhyj. Për mua është e pafalshme vrasja e grave dhe e fëmijëve. Zoti thotë: “mund ta marrësh hakën vetë, por më mirë të ma lësh mua”

    -Cili është mendimi juaj për “Shqipëria në moshën e internetit” dhe ngujimin e brezit të ri?

    Nuk ka asgjë të keqe nëse inaugurojmë salla internet. Shqipëria vjen nga një regjim diktatorial, gjatë të cilit njerëzit kishin humbur besimin tek zoti, gjë që solli varfëri dhe injorancë mes njerëzve dhe interneti e zhvillon dhe rrit njeriun për të mos rënë në nivelin e kafshës. Madje do thoja që shteti duhet të bashkëpunojë me grupet intelektuale për të zbutur apo zhdukur gjakmarrjen.

    -Mendoni se vrasjet e shumta të kohëve të fundit e kanë zanafillën apo nxiten nga kanuni? Nëse po, pse? Nëse jo, cilat mund të jenë shkaqet sipas mendimit tuaj?

    Shkaqe dhe nxitës mund të jenë varfëria dhe injoranca që shfrytëzohen nga mafiozët dhe grupe që u intereson konflikti. Vrasjet nuk e marrin nxitjen tek KANUNI, ai nuk thotë që të vriten fëmijët dhe gratë  dhe faji është tek njerëzit.Poju tregoj një histori: “Një njeri shkon të ankohet tek Zoti dhe i thotë që njerëzit janë bërë shumë të këqij. Atëherë Zoti i jep një litar dhe i thotë: – Mere këtë dhe më sill këtu më të keqin e tyre – Ikën ky njeriu dhe fillon të shohë njerëzit, por u bë konfuz se nuk dinte se kujt t`ja vinte litarin. Sheh një qen të lodhur që po pushonte dhe ngrohej në diell dhe vendos t`ja vërë litarin qenit. Qeni i thotë: – Hiqe litarin se Zoti do të të bëj të pendohesh. Njeriu ja heq litarin qenit dhe mendohet e mendohet dhe në fund ja var vetes dhe i thotë Zotit: – Unë jam më i keqi. Pra e mira dhe e keqa fillojnë dhe vijnë nga njeriu, nga vetë ne.

    -Si do t‘i cilësonit vrasjet e ndodhura në emër të kanunit, si gjakmarrje apo si hakmarrje dhe pse?

    Të dyja bashkë, por Zoti thotë – të keqen lëre për nesër – Edhe Muhamedi thotë – çdo gjë e logjikshme është e imja. Zoti krijoi botën dhe e bëri atë të bukur dhe na e la ne, njerëzve që mos ta shkatërrojmë, por ta zbukurojmë për ta bërë një vend më të bukur për veten dhe për të tjerët dhe këtë gjë ne duhet ta arrijmë dhe mund ta arrijmë nëse mbi gjithçka është dashuria.

    -A mund të kenë ndikim qarqe të huaja, në mbajtjen në jetë të gjakmarrjes në Shqipëri, sepse  mund t‘u interesojë mos hyrja e Shqipërisë në BE?

    Patjetër që po. Në fakt Europa i ka krijuar problemet në Shqipëri duke i dhënë dorë kontrabandës dhe sjelljeve të këqija.Serbia,Greqia,Malii Zi, Maqedonia dhe më pak Italia, janë të interesuara për këtë. Sjellja që këto shtete kanë ndaj nesh (kemi ndryshuar emrat dhe na diskriminojnë në vendet e tyre), të le të mendosh se atyre nuk u intereson forcimi i Shqipërisë ndaj dhe mundohen të mbajnë ende në këmbë fenomene të tilla si gjakmarrja apo çdo lloj sjellje tjetër që cenon figurën e shqiptarëve. Por nuk mendoj se Europa do jetë kaq e ngushtë sa të mos pranojë hyrjen e Shqipërisë në BE, për shkak të gjakmarrjes, por gjithsesi dëmi na shkaktohet neve si shqiptar, jo Europës, ndaj ne duhet të jemi më të lidhur se kurrë me njëri-tjetrin. Ndërkohë Europa duhet të ketë objektiva të tjera për Shqiptarët. Ajo duhet të vlerësojë arritjet e popullit shqiptar, që megjithë vështirësitë, ka arritur deri këtu. Ne ruajmë, kishat, xhamitë, objektet e kultit, apo dhe objekte të tjera por harrojmë që në radhë të parë duhet të ruajmë njeriun.

    -Kohët e fundit tre Ipeshkvit e zonës veriore të Shqipërisë kanë publikuar dekretin e tyre kishtar, përmes të cilit ata shkishërojnë të gjithë autorët e vrasjeve dhe përkrahësit e tyre. Cili është mendimi juaj në lidhje me këtë? A mendoni se kjo gjë do të ndikojë në frenimin apo mbajtjen nën fre të gjakmarrjes?

    Unë i përkas një feje tjetër dhe nuk mund të gjykojë vendimin që ata kanë marrë. Mund ta kenë parë si të nevojshme dhe sigurisht e kanë studiuar se çfarë efektesh do të sjellë. Por një gjë është e sigurtë, ata që kanë frikë do tërhiqen, të tjerët jo. Edhe në fenë tonë ata që shkelin rregullat e komunitetit, përjashtohen prej tij. Por, mos harrojmë se mbi të gjitha dekretet e të gjitha feve është ligji dhe zbatimi i tij

    -Cilat do të ishin rekomandimet tuaja për ndryshimin e situatës dhe zbutjen e këtij fenomeni?

    Programet arsimore për fëmijët e ngujuar duket se e legjitimojnë gjakmarrjen dhe në fakt ajo nuk duhet të ekzistojë dhe nuk duhet të ketë fëmijë të ngujuar. Në vend të këtyre programeve duhet të bëjmë ligje që të ndalojnë këtë fenomen. Shteti duhet të bashkëpunojë edhe me grupet fetare  dhe grupe të tjera të interesuara. Pra mbi te gjitha unë do të thosha që është fuqizimi i shtetit përmes ligjeve dhe zbatimit të tyre, më pas duhet të jetë lufta ndaj injorancës, të luftohet për më shumë dije, për një formim personal të denjë të njerëzve dhe më tej do të vazhdoja me fuqizimin ekonomik. Nuk duhet harruar dhe roli I gruas, ne themi: “Kushka gruan e mirë, është i ngrënë e është i pirë. Kur ka gruaja moral, s`plaket burri, mbetet djalë”. Sa më e arsimuar të jetë gruaja aq më i mirë do të jetë brezi që do të rrisë ajo. Dhe si për ta mbyllur, Baba Mondi shton: “Njeriu duhet të jetë i lirë para Zotit dhe para robit. Njerëzit janë të barabartë dhe Zoti thotë, mos e vër zgjedhën vetë, kur unë të kam bërë të lirë”.

    Menada PETRO