Azerët rrezikojnë heqjen e licencës

    355
    Sigal

    “Armo” gjobitet brenda 1 muaji me 10 milionë lekë për ndotjen e mjedisit

    Ndotjet mjedisore që shkakton kompania “Armo” në zonën e Ballshit si dhe shkarkimi i ujërave teknologjike në rrjedhën e lumit Gjanica, kanë bërë që kjo kompani të gjobitet nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit me 5 milionë lekë. Inspektorati i Mjedisit, pas bërjes së analizave, arriti në këtë përfundim duke faktuar nivelin e ndotjes sidomos në lumin Gjanica. Ndërkohë që, drejtues të kompanisë heshtin përballë këtij skandali, kreu i Inspektoratit, Ergys Agasi, pohoi se çdo subjekt që dëmton mjedisin do të gjobitet. Nëse ky veprim ripërsëritet, theksoi Agasi, masat ndëshkuese do të arrijnë deri në revokimin e lejes për kompaninë. Një muaj më parë, “Armo” u gjobit po me 5 milionë lekë për shkak të ndotjeve. Pas gjobës prej 10 milionë lekësh të kompanisë së naftës ARMO për shkak të ndotjes, Inspektorati i Mjedisit do të vijojë të inspektojë veprimtarinë e këtij subjekti. Nëse kompania e naftës ARMO nuk merr masa për të mos ndotur më ambientin e lumit Gjanica, atëherë rrezikon t’i hiqet leja nga ky institucion. Ndotja e shkaktuar nga kompania “Armo” është shndërruar gjithashtu në një shqetësim të vazhdueshëm për banorët e qyteteve të Ballshit dhe Fierit.

     

    ARMO rrezikon jetën e banorëve të Ballshit

     70 % e banorëve të Ballshit rezultojnë të jenë me karbon në gjak. Ata kërcënohen çdo ditë nga vdekja për shkak të nivelit të lartë të ndotjes nga rafineritë e naftës të kompanisë “ARMO” në pronësi të biznesmenëve azerbajxhanas. Shtëpitë e banueshme janë shumë afër rafinerisë dhe përballen me ajër të ndotur dhe të dëmshëm për shëndetin. Djegia e karburantit krijon struktura benzenike, që mjekët e vlerësojnë si kancerin në mushkëri. Kompania e azerëve të naftës ka përfituar deri më tani, për shkak të paaftësisë dhe pandëshkueshmërisë nga ana e strukturave shtetërore shqiptare, duke vendosur stacionet e gazit të rrezikshëm, të pozicionuar vetëm pak metra larg banesave. Banorët thonë se edhe pse kjo zonë duhej të konsiderohej si zona më e pasur në vend, investimet mungojnë. Banorët janë të varfër deri në palcë dhe të kërcënuar nga ndotja masive.

    Porse skandali thellohet me derdhjen e mbetjeve të naftës në përrua, duke shkatërruar mjedisin që në zemër të tokës dhe në damarët e jetës, vijat e ujit (përrenj, lumenj e deri në shkarkimin e tyre në det). Edhe pse azerët e ARMOS nuk të lënë hapësira për të investiguar, pasojat e dëmeve janë të dukshme përpara dhe brenda shtëpive të banorëve të pafajshëm që u duhet të thithin mbetje nafte dhe karboni.