Axhem Ymeri/ Ligji i pronave dhe morali që përcjell ai

    412
    Ndodhemi në ditët që pritet rivotimi i ligjit të pronave në Parlament. Me shumë profesionalizëm dhe me të drejtë; presidenti e ktheu për rishqyrtim dy ditë para vitit të ri. Reagimi i menjëhershëm i Kryeministrit brenda një jave nga kthimi i ligjit, pa e marrë akoma parlamenti në shqyrtim, se ligji do rivotohet siç është, ka një domethënie të madhe. E para gjë që kuptohet është se ligji është vet Edi Rama. Nuk ka rëndësi se si do ta lexojnë (ndoshta nuk e lexojnë fare), deputetet arsyetimin e presidentit, ligji do votohet me urdhër, deputetët nuk duhet të arsyetojnë, por vetëm duhet të ngrenë duart lart. Gazeta “Telegraf” e datës 8 janar 2016 ka botuar një analizë të Prof. Lush Susaj. Nga aty më erdhën të freskëta mësimet që jep psikologjia: “…Psikopati ka etje dhe prirje të fuqishme për pushtet, pasuri dhe kontroll të pakufishëm mbi të tjerët. Kjo ‘psikopati’ uzurpon politiken, shtetin, institucionet dhe ua nxin jetën njerëzve, duke shkatërruar të tashmen dhe perspektivën”. Këto mësimet e psikologjisë duhet të jenë udhërrëfyese për çdo politikan dhe diplomat, në qoftë se ata lexojnë. Unë nuk kam ndërmend të analizoj gjithë anët teknike të këtij ligji, por dua të përqendrohem në moralin që ai përcjell, për të gjithë ata që duan të jenë të drejte, ligji flet vetë (populli thotë: “bën mu” – si lopa ). Për efekt kujtese, theksoj se ligji nuk i kthen pronat edhe kur ato janë të lira. Ligji shtetëzon edhe kullotat e pakthyera duke i futur nën emërtimin “toka’’. Ligji të detyron për kompensimin financiar, pavarësisht se prona është e lirë dhe pronari nuk do para, por pronën. Ligji, pronarin e shpërblen me çmimin e vitit 1945, ndërsa llogaritë e tij i bën me çmimin e tregut sot. Ligji, pronarin e shpërblen si tokë-are, kurse për vete e nxjerr në shitje si truall. Ligji të heq të drejtën e ankimit për themelin e çështjes etj, etj.
    Mashtrimet e ligjit
    Ligji thotë, se mbështetet në nenet 41 dhe 181 të Kushtetutës, në fakt është e kundërta e atyre neneve. Ligji thotë (neni 2/b) se, ka qëllim shpërblimin e drejtë, por asgjëkund nuk gjendet drejtësia në këtë ligj. Ministrat e drejtësisë (aktuali dhe i mëparshmi), pretendojnë se flasin në interes të shumicës, ndërkohë që pronarët i nxjerrin 1% të popullsisë. Por, profesori i statistikës z. Zaloshnja, do befasohej nga shpikja se si del kjo përqindje! Në qoftë se pranojmë popullsinë 3 milionë dhe numrin e dosjeve 30 mijë (që janë trajtuar, janë në trajtim dhe në pritshmëri, fakt i pranuar nga qeveritarët), rezultati nuk sjell përqindje popullsie! Emrat e pronarëve në dosje janë prindërit ose gjyshërit tanë. Çdo dosje ka mbrapa 3 deri në 4 breza njerëzish që janë në bashkëpronësi. Minimum, çdo dosje ka 50 veta brenda. Kjo sjell që pronarët dalin (30 mijë dosje x 50 = 1milionë e 500 mijë njerëz ose 50% e popullsisë). Pyesni Zaloshnjën që t’ju mësojë se si dalin përqindjet. Veç kësaj, zotëri ministra, llogarisni dhe pronarët shqiptarë që jetojnë jashtë shtetit, të cilët presin që Shqipëria të bëhet shtet i së drejtës për të marre pronat e tyre. Për këtë është mirë të lexoni gazetën “Dielli” që botohet në Boston të Amerikës dhe të dëgjoni edhe zërin e zotit Loro Stajka, i cili ka dy vjet që po ju flet me shprehjen: “Po nuk zuri vend prona, nuk zë vend shteti”. Ministri Manjani është shprehur, se me ligjin e vjetër do të duheshin 4 mijë vjet për ti kompensuar pronarët, kurse me të riun vetëm 10 vjet, ndërkohë që flet për një shpërblim të drejte! Lind pyetje: Keni vjedhur bankat e Zvicrës apo do iu jepni pronarëve lugën bosh!? Në këtë rast, vetëm për shpërblim të drejte që nuk mund të flitet, por euforia e postit që mbani, bën që të vetëdiskreditoheni. Neve, edhe mund të na mashtroni përkohësisht, por Gjykatën e Strasburgut nuk e mashtroni dot, ndaj mos u lodhni kot. Keni dy vjet që pretendoni se keni bashkëpunuar me grupet e interesit, ndërkohe që vetëm keni pretenduar tu impononi mendimin tuaj. Ju keni ndryshuar rregullat në mes të lojës, pretendoni të korrigjoni edhe vlerën e mendimeve të Strasburgut e shumë, e shumë të tjera që vetëm ju injorojnë profesionin dhe iu diskreditojnë si njerëz. Kjo gjë, qeverinë tuaj e bën qesharake.
    Qëllimi i ligjit
    Nëpërmjet këtij ligji, qeveria pretendon të “shitet” para botës, se gjoja po i bën detyrat e shtëpisë. Ajo pretendon ta shuaj si problem çështjen e pronave, pavarësisht ‘kush ha e kush qa’. Pronarët e vjetër gjithmonë e kanë pësuar nga komunistët. Qeveria do të minimizoje faturën financiare, ndërkohë që do të shesë pronat private në ankand, me çmim tregu, të mbushë arkën e shtetit dhe xhepin e vetë, duke bërë ndere e lezete brenda llojit. Nga ky ligj, gjithë pronarët e vjetër të kullotave bregdetare, ngelen pa prona, sepse ato shtetëzohen, ndaj ata duhet të mendojnë se ku do venë! Patjetër që do shtohet pasuria personale e qeveritareve dhe do sigurohen mandatet e tjera për të rrjepur këtë popull të urtë deri në budallallëk. Kështu do lindin “kadafët shqiptarë”!
    Demagogjia 
    Me 9 dhjetor 2015, ministri i Pushtetit Vendor Z. Bledi Çuçi, në Universitetin Europian të Tiranës, organizoi një seminar për luftën kundër korrupsionit. Aty u paraqit edhe një libër, (autorë vetë ministri), me masat që ka marre qeveria për luftën kundër korrupsionit. Pasi e lexova atë libër, nuk e di pse mu krijua përshtypja se Zoti Çuçi kishte hipur në një pemë boshtore (me rrënjë të thella) dhe po i priste degët “për zhdukjen e korrupsionit”. Jo, Zoti Çuçi! Nuk shkulen themelet duke qëndruar në kat të dytë, që të zhduket korrupsioni, duhet luftuar nga rrënjët. Dihet që korrupsioni ushqehet kryesisht nga prona shtetërore (siç e pranuat dhe ju vetë në seminar), aty lindin tenderat, falsifikimet, ajo pronë ndahet sipas ligjit 7501 edhe pas 25 vjetësh, aty lindin haterllëqet, vjedhjet, tjetërsimi i pronave etj. Prona korrupton noterin, prokurorin, nëpunësin, gjykatësin dhe ministrin. Të gjithë këta qëndrojnë në katin e dytë, ndërsa prona qëndron në katin e parë. Filloje nga themeli punën tende, çoje pronën tek i zoti dhe mos u servilos në qeveri, duke votuar një ligj që shtetëzon edhe kullotat, të cila prej mijëra vjetësh janë të blegtoreve Dukatas. Me mentalitetin dhe organizimin e qeverise tuaj, ju ushqeni korrupsionin. Ashtu sikurse një burim uji shuan etjen e qenieve të gjalla, ushqen jetën e tyre dhe ndriçon e zbukuron gjithçka nëpërmjet dritës që prodhon, edhe prona bën të njëjtën gjë, por edhe diçka më shumë. Prona ka aftësi të shkatërroje moralin e njeriut, të falsifikojë të vërtetën, të ushqejë korrupsionin, të nxisë kriminalitetin dhe të transformojë krejtësisht shoqërinë njerëzore, nga qenie humane në qenie me psikologji shtazore. Për këto arsye, gjen vend fondamental shprehja e Loro Stajkes se: “Po nuk zuri vend prona, nuk zë vend shteti”. Shpesh dëgjojmë të thuhet: “…të erdhi në dorë, shfrytëzojë rastin”. Shprehje të tilla që përligjin moralin e hajdutit e çojnë shoqërinë në degjenerim, krijojnë bindjen se ajo shoqëri nuk ka aftësi të bëjë shtet. 
    Morali i ligjit
    Bota e qytetëruar kërkon të na thithi brenda vetes, por ajo trembet nga mentaliteti ynë. Askush nuk ka qejf të fusë në shtëpinë e vete një hajdut. Qeveria e sotme shqiptare, nëpërmjet ligjit të ri të pronave, ka ligjëruar vjedhjen shtetërore. Në gjithë botën, prona mbrohet nga ligji, kurse të ne, prona vidhet nga ligji. Kjo shprehje nuk është nxitim apo lajthitje, por fakt, sepse ligji është një fakt kokëfortë. Që një ligj të jetoje i gjatë, ai duhet të ketë në themelin e vetë drejtësinë dhe moralin e kohës. Në rastin konkret, as nuk bëhet fjalë për drejtësi, veç për mashtrim, padrejtësi, cenim të barazisë juridike, cenim të sigurisë juridike etj. Po marrim një shembull:
    a) Për një ndërtim pa leje në 500 metra katror toke are (që sot është truall me 20 mijë lekë të reja për metër katror), ndërtuesi – shkelës ligji, paguan 400 mijë lekë gjithsej, dhe del pronar i një trualli 500 metra katror me vlere (500 x 20mijë = 10 milion lekë të reja). Pra, shkeli ligjin dhe u pasurua. Po pronari i tokës çfarë fitoi?! Për 500 metra katror are (që sot është truall), shteti i jep afërsisht gjysmën e pagesës që bën shkelësi, barazuar kjo me 200 mijë lekë të reja, ose një e 50-ta e vlerës së tokës së tij sot. 
    b) Ligji i ri persekuton popullsinë e zonave bregdetare, duke mos iu kthyer kullotat, ndërkohë që në 23 e Shqipërisë kullotat kanë shkuar të pronari. Ku qëndron morali i ligjit?! Po barazia juridike?!
    c) Arat e ndara sipas ligjit 7501 ndodhen vetëm në ultësirën bregdetare, sepse 60% e popullsisë në Veri dhe Lindje kanë marrë secili pronën e vetë. A ka moral një ligj, që vepron vetëm në 40% të territorit të tij legjitim?! 
    Morali qeveritar
    Më 19 nëntor 2015, deputeti Bashkim Fino u shpreh: “… as nuk më intereson çështja e pronarëve…”. Ndoshta ka të drejtë, se nuk ia di vlerën punës dhe pronës. Ai ka lindur në gurët e Gjirokastrës dhe u bë Kryeministër me urdhër. Kaq ka parë, kaq di dhe këtë thotë. Por, a ka moral qeveria shqiptare sot që të merret akoma me pronarët, të cilët janë goditur deri tani pesë herë?! Më 1945 pronat u shtetëzuan. Më 1956, pronat u kolektivizuan dhe përsëri u shtetëzuan. Më 1981, u hoqën oborret dhe ‘20 dhitë’. Më 1991, kuvendi ligjërisht iu ktheu pronat dhe pas tre muajve, doli prapë zot i pronave private dhe i rishpërndau ato me ligjin famëkeq dhe fatkeq Nr. 7501. Më 2015, qeveria, me ligj shtetëzon kullotat mbyll problemin e kthimit përfundimisht dhe hedh kocka për t’i lëpirë pronarët! Ku e gjen mbështetjen morale ish-ministri i drejtësisë, kur thotë: “ …është koha për një pakt kombëtar. Pronaret duhet të lëshojnë diçka nga vetja, se shteti është i varfër e megjithatë bën lëshime, ka vendosur të japë 5 milionë euro në vit”. Mirë pronarët që duhet të japin pronat, po 5 milionë dollarët mos vallë i jep Nasipi?! Nga vetja, çfarë jep Nasipi, që merr mbi 2 milionë lekë në muaj?! Pse duhet të vihet në kurriz të shqiptarëve kjo fature financiare, ndërkohe që shumë prona janë të lira dhe mund të kthehen fizikisht?! Pronarët kërkojnë prona apo para? Kur je shtet i varfër, pse merr përsipër të paguash edhe ato që nuk t’i kërkon kush?! Në mënyrë flagrante, ky moral qeveritar është në shkelje të Kushtetutës dhe gjithë konventave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. 
    Pasojat e politikës qeveritare
    Askush në botë nuk është i detyruar të qëndrojë në një vend ku s’ka pronë. Ku njeriu nuk është pronar diku, ai lëviz kudo për të gjetur punësimin me të favorshëm. Në qofte se do që një komb të zhvillohet, duhet të përpiqesh t’i bësh njerëzit pronarë aty ku jetojnë. Dikur, para 80 vjetësh, fshati i Dukatit kishte vetëm bagëti të imta, 147 mijë kokë. Me ligjin e ri, ku qeveria shtetëzon kullotat e dukatasve, pas 3 vjetësh atje nuk do të ketë as ujqër, sepse nuk ka më bagëti në kullota. Djemtë do ikin të gjithë. Sot, pronarët e vjetër janë shumë herë më të varfër se të varfrit. Njerëzit kanë humbur besimin të qeveria, te drejtësia dhe heshtin. Sapo ju jepet një mundësi, shqiptaret largohen si arixhinj, duke mallkuar vendin ku u lindën. Ata rrojnë më mirë duke pastruar haletë e botës, sesa në rrugët e atdheut. Kështu ata harrojnë dhe gjuhën e tyre dhe tjetërsohen tërësisht. Këtu ku paraja del më lehtë me mashtrime e me vjedhje, se sa me punë të ndershme, fëmijët nuk shkojnë më në shkollë. Ata bëhen hajdutë xhepash, dyqanesh e bankash dhe pastaj dalin e shesin drogë, duke përfunduar në burgjet e botës. Ata që shpëtojnë nga burgjet, kthehen e bëhen deputetë e ministra dhe pastaj përfundojnë në miliardere, duke shitur vendin e tyre dhe duke shtypur popullin e vet. Pa prona, askush nuk ka atdhe. Askush nuk mban përgjegjësi për vendin ku lindi, kushdo harron dhe ndërron emrin dhe fenë. Kjo rruge sjell lehtësisht shkombëtarizimin e një kombi. Ai që ka pronë, ka edhe detyrime ndaj pronës dhe shtetit, ndaj ai nuk ikën në Gjermani, por derdh djersën në vendin e vet dhe pasuron Shqipërinë. Politika qeveritare e shpronësimit të pronarëve dhe e shtetëzimit me metoda hajdute-ligjore, do bëjë që këtu të ngelen vetëm qeveritaret dhe çakejtë e tyre kokulur, si dhe disa mijëra të vrarë për pronat. Le të mundohen sa të duan analistët nëpër televizione për të gjetur arsyet pse largohen shqiptarët. Arsyeja është një dhe vetëm një: Shqipërinë nuk e bëjnë dot hajdutët, besimi ka humbur, drejtësia është shuar. Ndërkohë që populli vuan, këshilltarët e qeverisë përpiqen të krijojnë truste (si trusti i lulelakrës dikur në Gjermani), për të thithur fondet publike pa tendera, gjoja në emër të zhvillimit rajonal. Ka ardhur koha që të vërtetat të thuhen hapur. Sado të afte t’i kesh këshilltarët – Zoti Kryeministër, nuk mund të drejtosh një shtet, po nuk pate dhe vetë pak mend dhe zemër, sepse shpesh këshilltarët të fusin në pyllin e errët pa u kuptuar. Fakti që ti i merr përsipër para kohe gjërat, nëpërmjet deklaratave të tua; nuk flet as për mençuri, as për trimëri nga ana juaj. Por flet vetëm për papjekuri, mungesë eksperience, ambicie dhe për vetëdiskreditim. Kryeministrat vijnë edhe ikin, por Shqipëria mbetet këtu dhe dikush do i dali zot me mend dhe me zemër. Ligji i ri i pronave, veç iu ka nxjerrë bojën (diskredituar) si qeveri. Nuk besoj të gjendet ndonjë jurist i ndershëm, që mund t’iu japë të drejtë. 
    Koalicioni i pronarëve të vjetër shqiptarë
    Sigal