Avokati i Popullit: Të sëmurët mendorë, në kushte çnjerëzore

    436
    Sigal

    Inspektorët e Avokatit të Popullit kanë vënë re mungesë kushtesh, personeli dhe kujdesi për të sëmurët në 4 spitalet psikiatrike në vend

    Të sëmurët mendorë jetojnë në kushte çnjerëzore në spitalet psikiatrike në vend. Shërbimi shëndetësor rezulton si i prapambetur, edhe i lënë larg vëmendjes për përmirësimin e kushteve, ndërkohë që të drejtat e pacientëve shkelen vazhdimisht. Në këtë përfundim kanë arritur inspektorët e Avokatit të Popullit (Mekanizmi i Parandalimit të Torturës, i atashuar pranë Avokatit të Popullit), pas kontrolleve në spitalet psikiatrike në vend. Shërbimet e Shëndetit Mendor përqendrohen në katër rrethe të vendit, ku janë vendosur spitalet dhe shërbimet psikiatrike. Strukturat me shtretër përfaqësohen nga dy spitale psikiatrike. Elbasani me kapacitet 310 shtretër, aktualisht të shtruar 342 dhe Vlora me kapacitet 240 shtretër, të shtruar 178, dhe dy shërbimet psikiatrike brenda strukturës së QSUT-së dhe shërbimi psikiatrik Shkodër. (Tirana me kapacitet 90 shtretër, të shtruar 61 dhe Shkodra me kapacitet 40, të shtruar 35). Sipas një raporti të publikuar nga Avokati i Popullit në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit janë konstatuar “mungesa të personelit mjekësor, personelit të kujdestarisë, ilaçeve, higjienës, ngrohjes, etj.”.

     Spitali Psikiatrik Shkodër

    Pas inspektimit për këtë institucion është rekomanduar:

    • Përshpejtimi i punimeve të cilat vareshin kryesisht nga fondet e planifikuara për vitet 2011-2012, me qëllim kalimin e pacientëve të këtij spitali në ambientet e godinës së re brenda afatit të parashikuar.

    • Plotësimi i të gjithë gamës së medikamenteve të munguara, si dhe përmirësimin e cilësisë së detergjentëve sanitare për këtë spital, me qëllim mundësimin e një higjene brenda standardeve, për vetë specifikën e pacientëve që kuron ky institucion.

    • Mundësimi me trajnime periodike për stafin kujdestar lidhur me rolin e rëndësishëm që kryen ky staf në funksion të kësaj kategorie, me qëllim përmirësimin dhe kualifikimin e profesionit të tyre sipas standardeve të kërkuara, përgjatë ushtrimit të detyrës.

     Spitali Psikiatrik Vlorë

    Pas inspektimit për këtë institucion është rekomanduar:

    • Lëvrimi i fondeve për ndërtimin e godinës së re, pasi kushtet aktuale në godinën e vjetër ku strehohet edhe pjesa më e madhe e pacientëve të këtij spitali, lenë për të dëshiruar.

    • Shtimi i numrit të mjekëve në organikë dhe krijimin e personelit task-forcë për rastet specifike në urgjencën e këtij institucioni, me qëllim ofrimin e një shërbimi dhe përkujdesjeje ndaj pacientëve brenda standardeve të kërkuara.

    • Mundësimi i vazhdueshëm i trajnimeve afat-gjata për stafin kujdestar dhe infermier, me qëllim përmirësimin e këtij stafi në nivel profesional dhe mundësimin e një shërbimi me përkujdesje të kualifikuar gjatë ushtrimit të detyrës, kundrejt pacientëve të këtij institucioni.

     Spitali Psikiatrik Elbasan

    Pas inspektimit për këtë institucion është rekomanduar:

    • Shtimi i infermierëve në organikën e këtij institucioni, sipas standardeve të kërkuara dhe nevojave të tij.

    • Vënia në funksion e sistemit ngrohës në të gjitha ambientet e tij, me qëllim përmirësimin e kushteve jetësore të pacientëve me probleme të shëndetit mendor, si dhe eliminimin e situatave të padëshiruara përgjatë stinës së dimrit me pasoja negative në shëndetin e tyre.

    • Kryerja e hidro-izolimit të tarracës së godinës për evitimin e lagështirës nëpër pavione, si dhe marrjen e masave për rikonstruksionin e rrjetit të ujit të pijshëm, me qëllim përmirësimin e kushteve të pacientëve.

    • Blerja e një pajisjeje të re lavanterie profesionale me qëllim përmbushjen e nevojave të pacientëve.

    • Plotësimi dhe shtimi i mjekëve në organikën e këtij institucioni, sipas standardeve të kërkuara dhe nevojave të këtij institucioni, si dhe shtimi me personel kujdestar dhe socialo-edukativ në shërbimin e veçantë, si specifik për këto funksione.

     Spitali Psikiatrik Civil Tiranë

    Pas inspektimit për këtë institucion është rekomanduar:

    • Marrja e masave për ndërrimin e xhamave, pajisjeve hotelerike (çarçaf, peshqirë), pajisjen e të gjitha reparteve me tavolina dhe karrige, lyerjen e mureve, si dhe riparimin e të gjitha problematikave në infrastrukturë me qëllim respektimin e privatësisë së tyre dhe përmirësimin e kushteve për ofrimin e një shërbimi sipas standardeve të kërkuara.

    • Marrjen e masave për vendosjen e dyerve të munguar në tualetet e çdo reparti, pajisjen me produkte higjeno-sanitarë, si dhe mundësimin e rrjetit të ujit të pijshëm 24 orësh pa ndërprerje, me qëllim përmirësimin e kushteve dhe trajtimin e tyre me rigorozitet.

    • Rregullimin e ambientit të ngrënies, krijimin e një hapësire për takimet me familjarët në çdo repart me komoditetin e duhur, vënien në funksion të sistemit të alarmit për emergjencat civile, si dhe vënien në funksion të ashensorëve në çdo repart, me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit në këto ambiente.

    • Marrjen e masave për stafin rehabilitues dhe kryesisht atë psiko-social, me qëllim përmirësimin e cilësisë me të gjitha programet e duhura riaftësuese, riintegruese dhe kryesisht të pasqyrimit te tyre me axhendë përkatëse, krijimin e një formulari ankesë-kërkese për çdo pacient, si dhe pajisjen me të gjitha mjetet për kryerjen dhe konkretizimin e aktiviteteve brenda këtij ambienti.

    • Marrjen e masave për shtimin në organikë me personel infermier, përzgjedhja e personelit task-forcë sipas kërkesave profesionale, trajnimin e vazhdueshëm të stafit infermier-kujdestar dhe psiko-social, si dhe implementimin e një stafi teknik-rregullues të brendshëm për riparimin e të gjitha dëmeve infrastrukturore, me qëllim përmirësimin e kushteve dhe rritjen e nivelit profesional me specifikë të profilizuar në këtë institucion.

    • Marrjen e masave për rishikimin e ambientit të observim-izolimit me të gjitha parametrat bashkëkohor, krijimin e të gjitha mundësive për evitimin e situatave me pasoja të padëshiruara, nxjerrjen e pacientëve në shesh ajrimin e oborrit të spitalit dhe evitimin e lënies së tyre në ambiente të mbyllura dhe në gjendje shtrati.

    • Marrjen e masave për ruajtjen e medikamenteve në infermieritë e këtij spitali konform parametrave farmaceutik, plotësimin e reparteve me medikamentet e munguara, pajisjen e menjëhershme me rripa sigurimi.

    • Marrjen e masave për vënien në funksion të oborrit në repartin e të miturve, krijimin e një ambienti qëndrimi për prindërit, vënien e mjeteve akomoduese në ambientin e pritjes, si dhe rishikimin e mundësisë për zgjerimin e këtij reparti duke pasur parasysh që është i vetmi në llojin e tij, i cili trajton specifikisht vetëm të mitur.