Avokati i Popullit: Policia ka kryer veprime arbitrare

    531
    Avokati i Popullit ka reaguar përsëri për dhunën e ushtruar nga forcat e policisë, në protestën e qytetarëve të Kukësit për faljen e kamatëvonesave të energjisë elektrike (zhvilluar me datë 04.05.2015), duke kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme nisjen e hetimeve për shefin e seksionit të krimeve në Kukës i cili u filmua teksa kërcënonte me pistoletë protestuesit. Institucioni i Avokatit të Popullit në bazë të disa provave dhe dokumenteve të grumbulluara lidhur me ngjarjen në fjalë, ka konstatuar disa shkelje të kryera nga përfaqësuesit e Policisë së Kukësit, dhe për këtë ka dërguar një rekomandim drejtuat, Drejtues të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, Dritan Prençi dhe Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Sipas rekomandimit të Avokatit të Popullit, në përfundim të hetimit administrativ është arritur në konkluzionin se, veprimet fyese të punonjësit të policisë Albion Xhitoni ndaj qytetarëve tubues vijnë në kundërshtim me etikën e punonjësit të Policisë së Shtetit. Gjithashtu nxjerrja e pistoletës nga brezi dhe mbushja e saj vjen në kundërshtim me Urdhrin nr.1417, datë 11.12.2009 të Drejtorit të Policisë së Shtetit “Për Miratimin e Procedurave Standarde të Departamentit të Sigurisë Publike”, sepse në rrethanat konkrete ai nuk ndodhej në kushtet e përdorimit të armës së zjarrit dhe për rrjedhojë nuk kishte arsye që ta nxirrte dhe mbushte atë. Më tej në kërkesën drejtuar prokurorisë së përgjithshme thuhet se, veprimi i punonjësit të policisë Albion Xhitoni duke e goditur me grusht në trup shtetasin Nderim Lushi përmban elementët e veprës penale të “Kryerjes së veprimeve arbitrare”, të parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal dhe ky veprim cenon rëndë edhe imazhin e Policisë së Shtetit dhe dëmton e trondit besimin e publikut tek ky organ. Për sa më sipër, bazuar në të gjitha konkluzionet e arritura nga hetimi administrativ, Avokati i Popullit i rekomandon prokurorisë të fillojë hetime në qoftë se vëren se është konsumuar figura e një vepre penale.
    Rekomandimi
    Kryerjen e hetimeve të plota, objektive dhe të gjithanshme për rastin e keqtrajtimit fizik të shtetasit Nderim Lushi nga punonjësi i policisë Albion Xhitoni për veprën penale të “Kryerjes së veprimeve arbitrare”, të parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal. Për qëndrimin që do të mbani dhe masat që do të merrni në zbatim të këtij rekomandimi, lutemi të na ktheni përgjigje brenda 30 ditëve konform nenit 22 të Ligjit nr.8454 datë 04.02.1999 “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar. Sipas institucionit të Avokatit të popullit, ky rekomandim është bazuar në cilësinë e provave dhe fotokopje të dokumenteve si më poshtë :
    1. Procesverbali i pyetjes së shtetasit Nderim Lushi, mbajtur në datën 05.05.2015.
    2. Procesverbali i pyetjes së shtetasit Albion Xhitoni, mbajtur në datën 05.05.2015.
    3. Procesverbali i pyetjes së shtetasit Adem Visha, mbajtur në datën 05.05.2015.
    4. Procesverbali i pyetjes së shtetasit Gazment Trota, mbajtur në datën 05.05.2015.
    5. Procesverbali i pyetjes së shtetasit Xhevdet Axhami, mbajtur në datën 05.05.2015.
    6. Procesverbali i pyetjes së shtetasit Shkëlzen Neza, mbajtur në datën 05.05.2015.
    7. Procesverbali i pyetjes së shtetasit Bujar Ahmeti, mbajtur në datën 05.05.2015.
    8. Procesverbali i pyetjes së shtetasit Kujtim Spahiu, mbajtur në datën 05.05.2015.
    9. Një CD me pamjet filmike të ngjarjes së ndodhur në qytetin e Kukësit në datën 04.05.2015, marrë nga You Tube.
    ***
    Shpërthimi në Marinzë, ‘Bankers’ zvarrit procesin e dëmshpërblimit 
    Edhe pse ka kaluar më shumë se një muaj nga shpërthimi i puseve të naftës në Marinzë të Fierit, shpërthim ky që shkaktoi dëme të mëdha për banorët, kompania ‘Bankers’, vijon të zvarrisë dëmshpërblimin përfundimtar të këtyre banorëve, të cilët pësuan dëme të konsiderueshme nga shpërthimet e puseve të naftës në 1 prill. Në një dalje për mediat specialisti i marrëdhënieve publike pranë kësaj kompanie, Adriatik Golemi, pohon se janë dakord me rezultatet e nxjerra nga komisioni i vlerësimit të dëmeve lidhur me pasojat e shkaktuara dhe dëmshpërblimet që duhen paguar. Ndërkohë nga ana tjetër theksoi se nuk mund të fillojë kompensimi pa u aprovuar më parë në këshillin bashkiak të Komunës Kuman, e cila ka nën varësi Marinzën. Çka lenë të nënkuptohet se procesi i dëmshpërblimit mund të zvarritet dhe madje të shkojë edhe pas zgjedhjeve. Ndërkohë data 21 maj është afati i fundit kur Komuna mund të marrë këtë vendim, pasi në rast të kundër vendimi merret vetëm pas zgjedhjeve e atëherë komuna do nuk do ekzistojë më si njësi vendore. Prej datës 1 prill ku ndodhën shpërthimet e deri më tani banorët e Marinzës vijojnë të përballen me problem të shumta, ndërsa zvarritje e procesit të dëmshpërblimeve është për ta diçka e pa tolerueshme. 
    Sigal