Avni Ponari: Sigurimi nga katastrofat natyrore duhet të jetë i detyrueshëm

    368
    Kompania Sigal Uniqa Group Austria, zhvilloi ditën e djeshme një bashkëbisedim me gazetarët, lidhur me sfidat dhe potencialet e zhvillimit të tregut të sigurimeve në vendin tonë. Gjatë takimit, drejtori i përgjithshëm i Sigal Uniqa Group Austria, kompanisë më të madhe të sigurimeve në Shqipëri, bëri një analizë të tregut të sigurimeve në vend dhe rajon. Sipas Ponarit, Shqipëria renditet e fundit në rajon për sigurimet, me vetëm 16 euro për frymë, ndërkohë në krahasim me vendet e tjera shifrat arrijnë në qindra euro për vendet fqinje. Sa i përket vendeve të BE-së, Ponari tha, se qytetarët paguajnë një mesatare prej 2154 eurosh për frymë, pa harruar Zvicrën e cila kap edhe shifrën më të lartë, 2675 euro për person. “Nisur nga shifrat e mësipërme, rrjedhimisht edhe pesha që ka industria e sigurimeve në GDP është tepër e vogël. Në Shqipëri të ardhurat nga sigurimet zënë vetëm 0.6% të GDP-së, kur në të njëjtën kohë fqinji ynë Italia ka një volum primesh të sigurimeve që zënë 8.1% të GDP-së” – u shpreh kreu i kompanisë së sigurimeve Sigal. 

    Në takim po ashtu u fol edhe mbi faktin se si mund të ndryshohet trendi i sigurimeve, pasi aktualisht Shqipëria ka një treg sigurimesh ku 60% e të cilit përbëhet nga shitja e sigurimeve të detyrueshme të makinave, duke lënë në plan të dytë rëndësinë e sigurimit të jetës, shëndetit, pasurisë, biznesit etj. Problematik mbetet fakti, që sigurimet vullnetare janë shumë pak të zhvilluara, nga ana tjetër një pjesë e mirë e sigurimeve të detyruara me ligj, siç janë sigurimet e ndërtuesve, sigurimet në miniera, sigurimet e pikave të karburanteve, të përgjegjësive ndaj palëve të treta etj, nuk gjejnë zbatim në plotë. Ponari gjithashtu vuri theksin tek nevoja e një mediaje të informuar për tregun e sigurimeve, si dhe domosdoshmërinë që media duhet të luajë për informimin dhe rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për t’u siguruar, pasi sigurimet janë një domosdoshmëri dhe jo luks. Drejtori i Sigal Uniqa, Ponari, tha se sigurimi nga katastrofat natyrore duhet të jetë i detyrueshëm, veçanërisht për zonat me rrezik të lartë, dhe nuk la pa theksuar tregun e pensioneve private, i cili duhet të zhvillohet përmes miratimit të reformës për skemën e pensioneve, ku një pjesë e kontributeve që qytetarët derdhin për pension shteti të administrohet nga shoqëritë private të sigurimeve. Është hera e parë që në Shqipëri zhvillohet një takim i tillë, ku të pranishëm ishin gazetarë, moderatorë dhe përfaqësues nga të gjitha mediat audio-vizive dhe asaj të printuar.
    Të dhëna për tregun e sigurimeve në Shqipëri
    Shqipëria mbetet një ndër tregjet më të vogla të sigurimeve në botë. Blerja e sigurimit nuk përbën karakteristikë të kulturës tregtare dhe vazhdon të ekzistojë një mungesë e ekspertizës profesionale në këtë industri, përfshirë mbikëqyrjen. Sigurimet motorike, si një karakteristikë e zakonshme e një tregu të pazhvilluar, përbëjnë më shumë se 50% të primeve në total.

    1. Tregu i sigurimeve është liberalizuar në vitin 1999
    2. Aktualisht operojnë:
    3. Tetë kompani sigurimi, jo-jetë;
    4. Dy kompani sigurimi jete;
    5. Një kompani mikse (jetë&jo-jetë)
    6. Një shqiptar paguan mesatarisht: 16 euro në vit për sigurime
    7. Depërtimi i sigurimeve (pesha që zë sektori i sigurimeve në GDP): 0.6%
    8. Mbi 70% e aksioneve në treg është investim Austriak
    9. Mbi 60% e primeve në treg vjen nga sigurimi i detyrueshëm (kryesisht motorik)
    10. Sigurimet e jetës përbëjnë vetëm 7.4% të volumit total të primeve në treg
    11. Dëmet e paguara në 5 vitet e fundit nga kompanitë që operojnë në treg janë mbi 102 milionë Euro
    E ardhmja e tregut të sigurimeve
    1. Rritja e rolit të rregullatorit (AMF) nëpërmjet krijimit të klimës të partneritetit dhe mbështetjes së industrive të mbikëqyrura.
    2. Nevojitet treg sigurimesh të diversifikuar përmes një force punëtore me talente, me aftësi të lartë dhe diversitet, duke synuar rritjen e besimit tek kompanitë e sigurimeve.
    3. Nevojiten iniciativa të shtetit për të zhvilluar tregun e sigurimeve vullnetare
    (sigurimet e shëndetit dhe të jetës);
    4. Sigurimet nga katastrofat duhet të jenë të detyrueshme, veçanërisht për zonat me rrezik të lartë;
    5. Tregu i pensioneve private duhet zhvilluar përmes miratimit të reformës për skemën e pensioneve.
    Sigal