Avdul Kaba:Gramoz Ruçi, sekretari i parë që futej brenda në galerinë e Memaliajit, e cila mbante me bukë 3200 familje

    396
    Sigal

    INTERVISTA/  Flet ish- minatori i Memaliajit, Avdul Kaba: “Në minierë kanë ndodhur incidente, por regjimi nuk i publikonte”

    Avdul Kaba ka punuar mbi 15 vjet në galeri, në nxjerrjen e mineralit të qymyrgurit në Memaliaj. Sipas tij, kjo minierë ishte miniera më e madhe për nxjerrjen e qymyrgurit me 3200 punëtorë, ku punohej me tre turne, ku nata dhe dita të dukej njëlloj. Puna në minierë ishte e vështirë, por të paktën shpërbleheshe mirë për kohën. Dhe pensionin mund ta gëzoje. Gjithmonë në këtë minierë vinin sekretarët e parë të rrethit, por Gramoz Ruçi ishte ai që kujdesej në mënyrë të veçantë për këtë minierë. Madje, gjithë Byroja Politike ishte e interesuar për mbarëvajtjet e punës në këtë minierë.

     Kur keni filluar punë për herë të parë, në minierë?

    Në vitin 1978. Unë isha punëtor në kooperativën e Dukajt afër Memaliajit, por rroga aty nuk më bënte të ndihesha mirë, ndaj vendosa të punoja në minierë. Duhet të them se atëherë të shkëputeshe nga kooperativa dhe të punoje në shtet, (kështu thuhej) ishte shumë e vështirë. Unë kisha dy vajza dhe doja t’i arsimoja, ndaj vendosa të punoja në minierë. Me anë të një miku munda të siguroj një punë aty.

     A ishte e vështirë puna në minierë?

    Shumë e vështirë. Duhej të shkoje rreth 500 metër poshtë, plus mandej që duhej të shkoje majtas apo djathtas në brendësi kushedi sa metra. Pra ishte në kushtet e një errësire të plotë dhe të një lagështie të madhe.  Që të hapje vrimën për të futur dinamitin duhej të shtriheshe barkas dhe të gërryeje malin me matrapik, pra me thyes guri. Në kokë gjithmonë duhej të mbaje kasketën e minatorit, në çdo kohë, pasi pa të nuk mund të punoje. Me anë të saj apo dritës së saj ne shikonim se ku duhet të shponim që më pas të vendosnim dinamitin për shpërthimin e qymyrgurit.

     Sa turne punohej në atë kohë?

    Gjithmonë tre turne. Ne nuk dinim si ishte brenda apo jashtë, pasi ishim dhe punonim gjithmonë në errësirë në kushtet e mungesës së plotë të diellit.  Pra ne nuk dallonim ditën apo natën. Puna jonë ishte e njëllojtë. Punonim sikur të ishte mesditë edhe në mes të natës.

     Sa punëtorë kishte kjo minierë?

    Miniera e Memaliajit kishte 3200 punëtorë, pra afërsisht 1100 punëtorë në secilin turn.  Lëvizjet për në punë bëheshin në orare të caktuara me anë të autobusëve që kishte vënë miniera. Lëvizja bëhej në orare të caktuara dhe fiks. N.q.s nuk mund të shkoje në atë orar autobusi ikte dhe t’i kështu mbeteshe pa punë. Unë nisesha nga fshati Dukaj në 4 të natës me këmbë për të arritur orarin. Atëherë s’kishte makina nëpër fshatra.

     A kishte incidente në punë?

    Kishte. Jo shumë, por kishte. Mund të them se gjatë kohës kur kam punuar unë kishte pasur disa incidente të vogla, ku humbën jetën disa minatorë, por asnjëherë numri i incidenteve nuk ka qenë sa dëgjojmë sot në minierat e Kinës, Rusisë, apo Francës. Ne në atë sistem kurrë nuk tregonim incidentet dhe vdekjet në punë. Ishte me ligj. Pra nuk merrej vesh kurrë se çfarë bëhej në atë minierë. Kishte incidente me pasojë vdekjen, por që merrej vesh vetëm nga ne.

     Si zbatoheshin rregullat e sigurimit teknik?

    Mund të them se ne kemi pasur një inxhiniero-teknik të përgatitur, por disa herë nga dëshira për të prodhuar apo për të nxjerrë shumë mineral i shkelnim ato. Pra ishte dëshira për të fituar sa më shumë para.

     Kush ishin avaritë apo incidentet më të mëdha?

    Ishin ato kur binte apo këputej kavua e ashensorit. Na ka ndodhur vetëm njëherë, por fatmirësisht nuk kishte njerëz.

     Sa ishte dita e punës në minierë?

    Dita e punës ishte 20.7 lekë, por ne punonim dhe tejkalonim normën kështu që në një muaj ne merrnim afërisht rrogë sa Sekretari i Parë i Rrethit pra 1200 lekë, që për kohën ishte një shumë e madhe. Por vdekjen e kishim me vete ne çdo kohë. Ne atëherë në kooperativë merrnin 7-10 lekë për ditë pune ndaj kërkonim me çdo kusht të punonim në minierë.

     A ishte cilësor qymyrguri i Memaliajt?

    Me aq sa kam lexuar, me aq sa kam dëgjuar, me aq sa kam parë komente thuhej se kjo minierë ishte ndër më të pasurat në Europë. Ishte një minierë shumë  cilësore ndaj dhe shteti kujdesej në mënyrë të veçantë.

     Sa ishte mosha e daljes në pension?

    Mosha ishte 50 vjeç dhe punëtori edhe n.q.s kishte 12 vjet në minierë dhe mbushte 27 vjet në punë merrte pension të plotë. Ndërsa sot pensioni është 63 vjeç. Besoj se asnjë minator nuk mund të gëzojë pensionin në këtë moshë. Puna e minatorit është puna më e vështirë ndaj dhe vlerësohet si puna më e vështirë.

     Kushtet e punës ishin njëlloj si në minierat e tyre të Europës?

    Ne s’dinim asokohe se si ishin kushtet në minierat e Europës por na thoshin se ishim miniera me kushte sigurimi shumë të larta. Atëherë s’kishte as internet, as literaturë të huaj, ndaj ne besonim se ishim më të sigurtët.

     Trajtim të veçantë a kishit?

    Për kohën, mendoj se kishim. Ne na jepnin falas qumësht të detyruar për shkak të gazrave që thithnim në minierë. Tymrat dhe gazrat aty ishin çdo moment të pranishëm.

     A interesoheshin udhëheqësit e partisë në rreth për minierën e Memaliajt?

    Po. Madje shumë. Me minierën ishte lidhur jeta dhe zhvillimi i rrethit. Aty gjithmonë kishte kontrolle të ndryshme nga Komiteti i Partisë edhe nga Komiteti Qendror. Madje, do të thoja që Sekretarët e parë të Partisë së Rrethit patjetër që do të vinin në minierë për kontroll. Unë nga të gjithë do të veçoja sekretarin, Gramoz Ruçin, i cili vinte dhe futej brenda në galeri. Ai vishte çizmet dhe kontrollonte. Edhe para tij kishte qenë një Sekretar i parë që bënte të njëjtin veprim. Pra interesimi ishte i madh pasi ne aty kishim përparësi sepse ishim pjesa më e rëndësishme e industrisë së Tepelenës.

    Çfarë thoshte Gramozi kur vinte në minierë?

    Ai futej vetë brenda në minierë dhe na fliste me fjalë frymëzuese. Për këtë arsye ne e prisnim atë me respekt, sepse ai dinte sesi të komunikonte me minatorët.

    Po sot a funksionon kjo minierë?

    Jo. Me aq sa di unë. Në vitin 1993 unë dola në pension dhe se di ç’bëhet më. Por di që qysh në atë kohë miniera do të mbyllej. Nuk i di arsyet.