Av. Zaçe Islami: Vetëm qeveritë kuislinge shesin kufijtë

1444
Sigal

Dje gazeta greke “TA NEA” e cila, shkruan në artikullin e saj redaksional iu referohet disa burimeve të sigurta diplomatike nga Tirana, informon opinionin publik grek, se është arritur në parim marrëveshja e shumë përfolur midis të dy vendeve.

Në komentin e saj ajo gazetë deklaron se, sipas marrëveshjes, të dyja qeveritë kanë rënë dakord, që Çështja Çame, jo vetëm të mos diskutohet më kurrë, por edhe trajtimi i emrit të bëhet sipas versionit grek. Qeveria shqiptare në këtë rast ka dalë hapur si një qeveri kuislinge, e cila praktikisht komandohet nga Athina, duke vepruar totalisht kundër interesave tona kombëtare. Qeveria jonë ka bërë të njëjtin lëshim, që u bënë Çekët Gjermanëve, duke u dhënë krahinën e Sudetëve. Në marrëveshje, gjithmonë sipas grekëve, vihet shenja e barazimit midis Çamërisë dhe të ashtuquajturit Vorioepir, çka është njëlloj sikur të krahasosh elefantin me mushkonjën. Historia ka folur qartë, njerëzit janë akoma gjallë dhe plagët e Çamërisë akoma kullojnë gjak nga krimet dhe gjenocidi i ushtruar nga bandat shoviniste të Napolon Zervës, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të nazistëve gjermanë. Politika greke qysh në krijimin e shtetit grek më 1831, që vazhdimisht me mbështetjen edhe të fuqive të mëdha zgjeron territore, duke kërkuar 10 që të marrë 5 dhe në këtë mënyrë ka pushtuar toka të fqinjëve. Dhe një nga viktimat e politikës së Londrës, kryesisht, por edhe fuqive të tjera perëndimore, që e ka mbështetur vazhdimisht këtë politikë agresive greke është e gjithë krahina e Çamërisë.

Tani jemi para një fakti të kryer: QEVERA SHQIPTARE KA RËNË NË GJUNJË PARA SHANTAZHIT GREK. Ky është një fakt i pa diskutueshëm dhe vërtetohet nga të gjitha marrëveshjet e firmosura që nga viti 1991 e deri më sot. Qeveria Shqiptare ka pranuar saktësisht të njëjtën marrëveshje që firmosi kabineti Berisha më 2009, marrëveshje për të cilën gazeta greke “TA NEA” deklaron sot hapur, se ishte në favor të Greqisë. Një situatë e tillë dhe një politikë e tillë e ndjekur nga qeveria Shqiptare me shumë gjasa do shkaktojë një PALESTINË BALLKANIKE, pasi është absolutisht e pa mundur që populli shqiptar të pranojë t’i shiten territoret e trashëguara. Deri më sot që foli Greqia në Shqipëri nuk është folur fare për këtë çështje, mediat kanë muaj që merren me vettingun dhe askush nuk ka zënë në gojë apo të jetë kujtuar se midis dy vendeve po bëhet një marrëveshje. Kjo heshtje ka qenë e qëllimshme, duke punuar në fshehtësi ABSOLUTE dhe i ka interesuar tradhëtarve Edi Rama dhe Ditmir Bushati, pasi me këtë akt ata marrin dhjetëra milionë euro duke shitur trojet tona. Në të njëjtën linjë me politikën e Edi Ramës janë edhe mediat e oligarkëve të medias, të cilët nuk ndihen, pasi kanë biznese të mëdha me grekët.

Jam shumë i sigurt, se ne si popull nuk do ta lëmë të firmoset ajo marrëveshje brenda truallit shqiptar, duke paralajmëruar edhe grekët, se një hap i tillë do na detyrojë t’i rishikojmë me forcë të gjitha marrëveshjet e deritanishme e kryesisht shkuljen e çibanëve në GRYKË TË KËLCYRËS DHE NË KORÇË. Nëse kemi me të vërtetë miq në perëndim, kjo do duket sot në këto ditë të vështira për popullin dhe për territorin shqiptar. Sidoqoftë ne kemi treguar në shekuj se edhe pse të pakët në numër, për trojet tona kemi luftuar.