Av. Ndue Pjetra: Skandali, të varfrit futen në burg, se s’kanë paguar faturën e dritave

    516
    Sigal

    Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion i quan korruptive veprimet arbitrare ndaj qytetarëve, që nuk kanë mundësi të paguajnë dritat dhe ujin

    Para pak ditësh në rrugën “Petraq Leka”, të Kombinatit të Tekstileve, nga një furgon i policisë dolën dy policë dhe trokitën në një portë shtëpie të varfër, e cila nuk kishte as dorezë. Portën e hapi një plakë e vjetër së cilës i dridheshin duart nga mosha dhe mjerimi. Por policët u futën brenda me vrull dhe nxorën që andej bashkëshortin e saj, i cili nuk po bindej të futej në furgonin blu. Atëherë, në sy të banorëve, policët i hodhën prangat dhe furgoni u nis në drejtorinë përkatëse. Disa njerëz që u mblodhën aty pranë pyetën me kureshtje: “Cilin kriminel arrestuan kështu, në mënyrë kaq publike dhe ç’krim kishte kryer i arrestuari”?

    Përgjigja ishte e thjeshtë: “Personi, që u arrestua, nuk kishte paguar dritat, që prej pesë muajsh”. Dhe nëpërmjet këtij spektakli policor, shteti shqiptar tregoi se është një “shtet i fuqishëm dhe i konsoliduar” që arreston çdo njeri, plak, apo invalid, i cili nuk paguan faturën e dritave, apo të ujit, pavarësisht se çmimi i tyre po rritet. Në fakt, për ato pesë muaj, kjo familje pleqsh nuk kishte paguar as dritat, as ujin, madje nuk kishte blerë as ilaçet e domosdoshme të moshës. Por, pavarësisht nga kjo, pushteti shqiptar i të gjitha kohërave dhe ngjyrave është kriminalizuar deri në grykë, duke arrestuar në formë presioni njerëz të varfër e të mjerë, që jetojnë nën minimumin jetik dhe pa asnjë ndihmë. Dhe në këtë mënyrë ky shtet i spektakleve u dha “një mësim të mirë” atyre që nuk kanë mundësi, ose para për të paguar CEZ-in! Pra, Shqipëria është vendi i vetëm, ku njeriu mund të futet në burg, për shkak të varfërisë së tij, ose për shkak se nuk ka para për të paguar faturën e dritave. Dhe ky përbën një paradoks të turpshëm të politikës sonë 24 vjeçare. Në të gjithë botën e qytetëruar, ose në shumicën e vendeve të universit tonë, ka një solidaritet të ligjëruar dhe një trajtim ndihmues për ata njerëz që jetojnë nën minimumin jetik. Kjo ndihmë nuk është lënë, subjektivisht, në duart e burokratëve, por është sanksionuar me ligj. Dhe klauzolat ligjore përkrahin me një ndihmë sociale të gjithë fatkeqit, që nuk kanë mundësi të plotësojnë nevojat e tyre imediate dhe të përditshme. Për këtë arsye, ndihma sociale në Gjermani është 450 euro, ndërsa në Kanada kjo ndihmë është 500 dollarë. Kjo ndihmë jepet për ushqimin e përditshëm dhe për pagesat e dritave, të ujit, apo për shërbimet e tjera. Në këtë mënyrë Shqipëria është i vetmi “fanar ndriçues” në botë që jo vetëm që nuk mban përgjegjësi për varfërinë ekstreme të shtetasve të vet, por i dënon ata me burg, ose gjobë për mospagesën e qirasë së dritave, apo të ujit. Pra, ndërkohë që bota i ndihmon edhe refugjatët e varfër, duke i garantuar pagesat e dritave apo ujit, etj., këtu nuk të ndihmon askush. Dhe ata që nuk paguajnë faturën e dritave futen në burg me anë të një vendimi të gjykatës. Ndërsa dënimi me gjoba të rënda është bërë si buka që hamë. Deri tani, në shkallë republike, ka 800 padi penale kundër atyre që nuk kanë paguar dritat. Këtu nuk të pyet njeri nëse je i varfër ose i pasur, nuk të pyet njeri nëse je në punë, ose je i papunë. Po një mëngjes, të vjen në shtëpi furgoni i policisë dhe të vë hekurat. Pastaj të çojnë në paraburgim dhe më vonë të nxjerrin në gjyq, ku gjykata të dënon me gjoba të rënda të cilat shkojnë deri në 1 vit burg. Ka raste kur masa më e lehtë është prerja e energjisë elektrike për ata që nuk paguajnë. Këtu në Shqipëri, ka vetëm dy rrugë: Ose paguaj faturën e dritave, ose je i dënuar të rrosh gjithë jetën në errësirë, duke e quajtur këtë rastin më të mirë. Sepse, më i keqi konvertohet me burg. Po çfarë është kjo çmenduri shtetërore këtu në Shqipëri që mbartet dhe transferohet nga një pushtet në tjetrin? Çfarë është kjo urrejtje barbare e ligjvënësve tanë kundër njerëzve të varfër, të cilët edhe bukën e përditshme e marrin me listë nëpër dyqanet ushqimore? Pse nuk pyesin këta budallenj të pushtetit, se ku mund t’i gjejnë lekët këta njerëz të papunë që të paguajnë, CEZ-in, Ujësjellësin etj.? Në rastin më të mirë, kjo poshtërsi e pushtetarëve tanë ndaj njerëzve të varfër është një keqdashje të lajthiturish, ndërsa në rastin më të keq është një grabitje që këta perversë të politikës u bëjnë fatkeqëve. Si mund të paguajë dritat, apo ujin një kryefamiljar që është pa punë prej 5 muajsh, apo prej 5 vjetësh dhe që nuk merr asnjë ndihmë nga shteti? Në të gjitha këto raste, pa përjashtim, shteti shqiptar duhet të marrë përsipër të bëjë pagesat përkatëse nëpërmjet ndihmave sociale, që nuk duhet të jenë më pak se 300 mijë lekë të vjetra. Por, në vend që të bëjë gati pagesat e ndihmave sociale, shteti shqiptar porosit supën e burgut, për fatkeqët e varfër. Dhe me anë të një furgoni blu, porosit policinë që të prangosë të gjithë ata, që për shkak të papunësisë dhe varfërisë, nuk paguajnë faturën e dritave! Shkrimtari i madh Sterjo Spase, në librin e tij, “Lumi i Vdekur” e përshkruan kështu personazhin e tij të varfër, e të uritur, që quhej Kovi. Gjatë udhëtimit në mes të mjerimit ai përsëriste këtë monolog: “Kështu përfundofsh edhe ti, o Zot! Me një trastë leshi nën sqetull të mbushur me kothere buke dhe me një shkop në dorë, duke bredhur udhëve të skamjes. Që kur të të sulen qentë, e të matesh t’u biesh me shkop, të të rrëzohen kotheret e bukës dhe të ulesh t’i mbledhësh një nga një, në mes të shiut a vapës”. Po ju zotërinj të politikës shqiptare, me sa vjet burg do ta dënonit sot, këtë personazh të Sterjo Spases, për mospagesën e CEZ-it? Dhe, a do ju skuqet ndonjëherë faqja, kur ta kuptoni, se mbi fatkeqësinë dhe mjerimin e tyre, ju ndërtuat pushtetin e parasë dhe të korrupsionit?