Av. Idajet Beqiri: Rrëzimi i ligjeve të maxhorancës nga Kushtetuesja tregon se ekipi juridik  lë shumë për të dëshiruar.

466
Sigal

Intervista me Av. Idajet Beqiri, kryetari i PUK-ut: Pa ndryshime në Kushtetutë, ka pseudoreforma

 Politikani  Av. Idajet Beqiri në intervistën për “Telegraf”, shpjegon se reformat e vonuara, por të  premtuara nga kjo maxhorancë, ndodhin pasi qeveria bën aq sa mundet, duke operuar me gjëra të vogla parciale, që gradualisht të shkojnë të thelbi i së keqes. Por, sipas zotit Beqiri, rrëzimi i ligjeve nga Kushtetuesja, dëfton jo seriozitet të maxhorancës. Nga ana tjetër, pa ndryshime kushtetuese, pohon zoti Beqiri, do të kemi pseudoreforma. Kjo opozitë është destruktive, pa kauzë, e çorientuar.

– Zoti Beqiri, edhe kjo maxhorancë filloi propagandimin e reformave të thella, mirëpo deri tani ato zvarriten. Përse kjo?
– Në katrahurën totale që e kishte katandisur shtetin, qeverisjen, institucionet dhe administratën publike Berisha, do të ishte e vështirë, tepër e vështirë që  qeveria e re të ringrinte vendin. Ndaj, bërja e reformave të thella nuk është një proces i lehtë. Gjithsesi, kjo nuk e shmang përgjegjësinë e qeverisë për javashllëkun, mungesën e vizionit dhe të veprimit konkret profesional në kryerjen e reformave të thella, të cilat do e sillnin në normalitet shtetin dhe institucionet e tij.
– Karakteristikë e ligjeve që kjo maxhorancë ka miratuar është shqepja e ligjeve që ka miratuar maxhoranca e kaluar dhe qepja e ligjeve sipas këndvështrimit të saj, derisa opozita i bojkoton. A mund të respektohet kësisoj ligji edhe nga shumica parlamentare?
– Opozita është e identifikuar me të kundërtën e qeverisjes, me shkopinjtë nën rrota për çdo reformë apo nismë pozitive të qeverisjes, me mbrojtjen dhe mbështetjen e lloj-lloj krimi e kriminelësh, mjafton që këta të fundit të jenë kundër qeverisë. Janë këto arsyet që qeveria bën aq sa mundet, operon me gjëra të vogla parciale, me qëllim që gradualisht të shkojë te thelbi i së keqes, te ndërhyrja e thellë mbi të.

– A është kjo strategjia më e mirë e veprimit?
– Nuk besoj, ndaj vlerësoj se ka ardhur koha që qeveria të analizojë me përgjegjësi të lartë ku dhe për çfarë nuk po arrin rezultatin e mirëpritur në reformimet e thella të fushave më të dëmtuara nga qeverisjet e mbrapshta të mëparshme. Mbi bazën e kësaj analize, të hartojë platforma të mirëstudiuara, të mobilizojë gjithë potencialet mendore dhe vepruese të botës intelektuale dhe akademike me qëllim që të operojë thellë dhe cilësisht në këto fusha.

Kjo maxhorancë a nuk tregon arrogancën e numrit të kartonëve në Kuvend në sjelljen e saj ndaj opozitës, derisa nuk plotëson  kushtin e opozitës për t’u rikthyer në Kuvend?
– Opozita as vetë nuk është plotësisht e qartë pse ka ikur nga Kuvendi. Opozita e sotme e kishte për detyrë të ndahej përgjithmonë nga mënyra e të bërit opozitë e Berishës këto 23 vjet. Kjo lloj opozite as që ia ka ditur dhe as që do t’ia dijë për interesat e qytetarëve, të kombit dhe të vendit. Pushteti, kontrolli mbi të gjitha institucionet, në funksion të pasurimit të tyre, duke grabitur Shqipërinë dhe shqiptarët, kjo është “kauza” e saj.  Kush është kushti i opozitës? Pse ka bojkotuar Grupi Parlamentar i PD Kuvendin e Shqipërisë? Shqipëria e këtyre 23 vjetëve, në saj të politikës antishqiptare të Berishës “përça e sundo”, benzinë e ka në çdo cep të vendit, shkrepësen e kanë Strazimirët, dhe në zjarr e në flakë mund ta mbash gjithë jetën. Pushteti, kontrolli mbi të gjitha institucionet, në funksion të pasurimit të tyre, duke grabitur Shqipërinë dhe shqiptarët, kjo është “kauza” e saj. Mjafton të shihet fakti se kush e drejton këtë grup parlamentar dhe nuk ka nevojë për komente të tjera.

– Gjykata Kushtetuese disa herë ka rrëzuar ligjet që ka miratuar ky parlament. A nuk përbën kjo një anomali të funksionimit të demokracisë dhe cenim të rendit kushtetues?

– Kjo nuk përbën një punë serioze të qeverisjes aktuale. Vetëkuptohet, duke munguar në Kuvend opozita, mungon edhe “filtri” për të mos kaluar shkeljet ligjore, sepse sado parimësi që të ketë njëra apo tjetra palë, “Kërraba” tërheq nga vetvetja. Po kështu nuk duhet të anashkalohet fakti që një pjesë në Gjykatën Kushtetuese janë prej fanatikëve të Berishës, dhe ata aty bëjnë detyrat që u jep PD-ja, jo zbatimi i Kushtetutës. Gjithsesi kjo nuk e justifikon qeverinë në punën e saj plot skarcitet në këtë drejtim. Qoftë edhe shpallja antikushtetuese e një ligji të vetëm, duhet të pasohet me kambana alarmi për qeverinë me qëllim që të tregohen tepër të vëmendshëm kur ndërmarrin nisma ligjore. Ekipi juridik i maxhorancës qeverisëse lë shumë për të dëshiruar.

– Cilat janë faktorët që shtrojnë domosdoshmërinë e ndryshimeve në Kushtetutë?

– Bërja e reformave të thella që kërkohen në të gjithë sektorët më të rëndësishëm të jetës së vendit, posaçërisht në pushtetet më inefiçente të vendit, të cilat janë pushteti gjyqësor, KLD, institucioni i Presidentit të Republikës, organi i akuzës etj, kërkojnë në radhë të parë ndryshime serioze dhe të thella te vetë Kushtetuta e vendit. Pa i bërë Kushtetutës ndryshimet e domosdoshme, do rrekemi së koti se gjoja po bëjmë reforma!

– Shumë herë kjo maxhorancë, për të kapërcyer kompetencat e Presidentit, miraton ligje, të cilat këto kompetenca ia atribuon qeverisë. Kjo a nuk është një anomali ligjore?
– Në thelb është një anomali. Mirëpo ky vend de fakto ka mbetur pa President të Republikës. Nishani e ka diskredituar në shkallën më të paimagjinuar këtë institucion. Maxhoranca aktuale në vend që të ndërmarrë nismën ligjore për shkarkimin e tij si i paaftë dhe për shkelje të rënda dhe të përsëritura të Kushtetutës, si faktor destabilizues i vendit dhe si një partiak i pakorrigjueshëm, operon me mjete të tërthorta duke i hequr ato kompetenca të cilat në fakt ai nuk ka “këllqe” t’i mbajë. Kjo nuk është rruga më e mirë!

A ka disekuilibër midis pushteteve në Kushtetutën tonë?

-Ka një çekuilibër të dukshëm të pushteteve, një marrje kompetencash njëri-tjetrit, një deformim të rëndë të kompetencave të gjithsecilit institucion dhe pushtet. Ndaj është emergjente ndërhyrja në Kushtetutë.

– Si mund të garantohet rendi kushtetues nga deformimet që bëhen nga çdo maxhorancë për hir të ambicieve e interesave partiake?
– Tashmë problemi në këtë vend nuk janë deformimet që i bën çdo maxhorancë Kushtetutës dhe ligjeve të tjera për interesa partiake. Kjo fazë ka kaluar, sepse mbingopja është realizuar. Gjithçka sot mund të konsiderohet e kapur nga politika. Të gjitha pushtetet dhe institucionet ende janë në duart e Berishës dhe të beniaminit që ai ka lënë pas, Nishanit. Vendi nuk ka de fakto institucione të pavarura. Edhe kur maxhoranca aktuale përpiqet të “çlirojë” ndonjë institucion, pushtuesit e këtyre institucioneve klithin me aq forcë, sa i kallin datën reformatorëve të qeverisjes aktuale. Kjo nga njëra anë si dhe fakti që një pjesë e qeverisjes së sotme është vazhduesja e qeverisjes së djeshme të Berishës, i bëjnë të paefektshme luftën për pavarësinë e pushteteve në Shqipëri. Duhet një përmbysje e madhe. Diçka ka filluar, por a do shoqërohet kjo me një angazhim dhe ngritje në këmbë të gjithë potencialit intelektual dhe akademike kombëtar për tu bërë pjesë e rëndësishme e zgjidhjes? A do e kuptojnë dhe vlerësojnë si duhet këtë mision historik masmediat e vendit për t’u larguar nga llogoret e partive?! Kjo duhet parë. ..

Integrimi në rrezik nga dimri i politikës

– BE-ja i ka kushtëzuar Shqipërisë 5 detyra në kryerjen e atyre reformave që do të mundësojnë hapjen e negociatave për anëtarësim dhe kushti kryesor është konsensusi politik. Bojkoti, si edhe qëndrimi jo tolerant i maxhorancës, a nuk dëmton procesin?
– Konsensusi politik kërkon një klasë politike të përgjegjshme për fatet e vendit dhe për interesat kombëtare. Klasa politike që u instalua në Shqipëri pas vendosjes së pluralizmit politik në vend, nuk i ka as aftësitë, as përgjegjshmërinë, as të kaluarën, as besueshmërinë dhe as pavarësinë që të jetë në gjendje të bëjë marrëveshje të rëndësishme kombëtare në interesin e kombit. Kjo klasë politike i ka tradhtuar prej kohësh interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, ndaj më kot pritet konsensus mes dy kampeve diametralisht të kundërta në këtë vend. Që të arrihet kjo, shqiptarët ose duhet të lejohen ta zgjidhin këtë problem, siç e kanë zgjidhur popujt e kombet e qytetëruar të botës para nesh, ose faktori ndërkombëtar, i cili jua di mirë “kleçkat” politikanëve shqiptarë, t’ua shtrëngoj “burgjitë” për të marrë “konsensusin” për të gjitha reformat që i duhen vendit për tu anëtarësuar në BE.

– Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA