Av. Idajet Beqiri/Pallati i Brigadave dhe trashëgimia e pinjollit të Ahmet Zogut

    476
    Sigal

    Leka i II para se të trashëgojë, t’u shlyej shqiptarëve 6 milionë euro që u vodhi trashëgimlënësi i tij Zogu I

    Leka Zogu i II, duke marrë «krahë» nga pushteti që i ka dhënë në Presidencë zoti Bujar Nishani, President i Republikës, është vërsulur si «lubi» mbi pasurinë kombëtare, mbi sakrificat, djersën dhe gjakun e shqiptarëve. Pasi përvetësoi në rrugë të kundërligjshme Pallatin e Pionerëve të kryeqytetit, pasi përvetësoi po në rrugë të kundërligjshme edhe Pallatin e «Mbretit» në Durrës, tashmë që «u vesh» me pushtet presidencial, i ka paraqitur Gjykatës së Rrethit Gjyqësor në Tiranë një padi, me anën e të cilës kërkon t’u vjedhë sërish shqiptarëve Pallatin e Brigadave dhe pasuri të tjera kombëtare.

    Në radhë të parë, Ahmet Zogu, ashtu sikurse Enver Hoxha, pasuritë që dispononin, si vila, pallate, zyra etj, ishin djersa dhe gjaku i popullit shqiptar. Ata i kishin thjeshtë dhe vetëm në përdorim. Me mendësinë që e udhëheq dhe po vepron Leka  II, i bje që edhe fëmijët e Enver Hoxhës të kërkojnë Vilën në Tiranë dhe vilat e tjera në gjithë Shqipërinë ku pushonte Enver Hoxha, të kërkonin Selinë e ish-Komitetit Qendror, ku mbretëron sot Jozefina Topalli, duke na i lënë edhe pa zyra spikeren e Kuvendit të Shqipërisë.

    Në radhë të dytë, edhe sikur këto prona të ishin vërtet pasuri e familjes së Ahmet Zogut, përsëri Shqipëria është shtet i njohur ndërkombëtarisht, me formën juridike të republikës, nënshkruese e të gjitha akteve të rëndësishme ndërkombëtare, detyrimisht të zbatueshme. Ky shtet ka në fuqi një ligj themeltar të shtetit, sikurse është Kushtetuta e Republikës, ka në fuqi një Kod Civil dhe një Kod të Procedurës Civile, të cilat në tërësinë e tyre garantojnë dhe zgjidhin edhe të drejtën trashëgimore.

    Në nenin 341 të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë theksohet se: «Trashëgimtarët përgjigjen për detyrimet që rëndojnë mbi pasurinë trashëgimore në përpjesëtim me pjesët e tyre, gjerë në vleftën e pasurisë trashëgimore që kanë marrë. Quhen detyrime që rëndojnë mbi pasurinë trashëgimore, ato të trashëgimlënësit, shpenzimet e varrimit të tij dhe shpenzimet që nevojiten për ruajtjen dhe administrimin e pasurisë trashëgimore, deri sa ajo t’u kalojë trashëgimtarëve përkatës».

    Nga përmbajtja e këtij neni del qartë se pinjolli i Ahmet Zogut, në se ka çelur trashëgiminë ligjore dhe kërkon të trashëgojë gjyshin e tij Ahmet Zogu, qysh nga ky çast ai ngarkohet me të gjitha detyrimet që rëndojnë mbi të gjitha pasuritë trashëgimore të Zogut të Parë. Fillimisht bëhen vlerësimet e të gjitha pasurive që ka lënë trashëgim për trashëgimtarët e tij Ahmet Zogut, nxirren të gjitha detyrimet që ai u ka shqiptarëve dhe shtetit të tyre, dhe pasi të bëhen bilancet, në se vlera e pasurive trashëgimore është më e madhe se detyrimet që ish-Mbreti u ka shqiptarëve, këtë mund ta gëzojë dhe ta trashëgojë nipi i tij Leka Zogu i II.

    Në të kundërtën, në se detyrimet financiare që ish-Mbreti Zog i ka shtetit shqiptar janë më të mëdha se sa pasuritë e luajtshme, ose të paluajtshme familjare që ai ka patur, këto pasuri i kalojnë shtetit.

    Me prova bindëse, me dokumente të pakontestuara, dihet botërisht se në orën 4 të mëngjesit të datës 7 prill 1939, Mbretëresha Geraldinë, Princi i sapolindur Leka I dhe një numër i madh shoqëruesish të Mbretit Zog u nisën për në Korçë. Zogu i përcolli vetë ata. Në orën 3 të mëngjesit të datës 8 prill 1939 ish-Mbreti Zog ua mbathi këmbëve edhe vetë, duke u larguar nga Tirana.  Më 9 Prill 1939, eskorta e ish-Mbretit, Qeveria e tij, deputetët e Asamblesë, një pjesë e Gardës, dolën nga kufiri shqiptar në doganën e Kapshticës.

    Ish-Mbreti Zog mori me vete edhe 11 valixhe me 178 kg flori, të cilat i kishte tërhequr nga Banka Kombëtare e Shqipërisë. Në bazë të dokumenteve që ndodhen në Arkivin e Shtetit, rezulton se rreth orës 21:00 të datën 6 Prill 1939, Zogu kishte urdhëruar ministrin e Financave, Kol Thaçi, që t’i raportonte se sa ishte gjendja e Thesarit të Shtetit, dhe t’ia sillte atij në shtëpi.

    Në atë kohë ari i Shqipërisë prej 2.454 kg, ruhej në Itali, në Banka di Napoli. Vetëm 178 kg ar ndodhej në kasafortën e Bankës së Shqipërisë. Ministri i Financave i përcolli urdhrin e Zogut arkëtarit të  përgjithshëm të Bankës, Ramadan Berberolli, dhe ky i dorëzoi ish-Mbretit Zog shumën prej 448 535 monedhave ar në shtëpinë e Koço Kotës, ndërsa afro 118 195 monedha të tjera ari, vonë në mesnatë, ia dorëzoi Zogut në shtëpinë e vëllait të tij, që e kishte afër stadiumit “Qemal Stafa”.  Pra Zogu, sipas dokumenteve arkivore,  tërhoqi në total 566.975 franga ari, ose të gjithë thesarin e shtetit.

    Nëse llogarisim që një napolon flori bënte plot 20 franga ar, Ahmet Zogu i mori arkës së shtetit shqiptar 27. 848 napolona flori. Kjo shumë e llogaritur me kursin e këmbimit të euros, është e barabartë me afro 6 milionë Euro. Kjo shumë është e dokumentuar me akte zyrtare që nuk mund të kontestohen. Por të mos harrojmë se sa mund të ketë qenë sasia e arit që Zogu posedonte personalisht dhe që e ruante në kasafortën e tij në Pallatin e Mbretit, apo bizhuteritë dhe gjërat e tjera me vlerë. Për këto, deri sa nuk ka prova, sot për sot nuk mund të bëhen të kërkueshme.

    Në këto kushte, sipas legjislacionit civil shqiptar, të kohës së Zogut, të kohës së Enver Hoxhës dhe të kohës së sotme, në se Leka Zogu i II kërkon të çel trashëgiminë ligjore të gjyshit dhe babait të tij, dhe i paraqet Gjykatës kërkesë për të përcaktuar rrethin e trashëgimtarëve, qysh nga ky moment ai merr përsipër të drejta dhe detyrime që bazohen në ligjin mbi trashëgiminë. Detyrimi i parë dhe kryesor është që ai të njohë borxhin prej 6 milion euro që gjyshi i tij Ahmet Zogu i ka shqiptarëve dhe buxhetit të shtetit të tyre.

    Në një situatë të tillë, para se gjyqtarja e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Blerona Hasa, të njihte si trashëgimtar ligjor të vetëm të trashëgimlënësit Ahmet Zogu dhe Leka Zogu I, trashëgimtarin Leka Zogu i II, shteti shqiptar, përmes avokatit të shtetit, si dhe Zyra e Përmbarimit, të cilat janë organe që varen nga Ministria e Drejtësisë, konform nenit 343 e vijues të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë, duhet urgjentisht të bënin inventarizimin dhe sigurimin e të gjitha pasurive që ndodhen të regjistruara në emrin e Ahmet Zogut. Këtë gjë duhet ta bënte kryesisht vetë Gjykata e Tiranës, e cila ka çelur trashëgimin, sepse këtë kompetencë ligjore ia jep neni 343 paragrafi i parë i Kodit Civil.

    Trashëgimtari ligjor i ish-Mbretit Zog nuk ka asnjë të drejtë disponimi, përdorimi apo tjetërsimi mbi këto prona, deri sa të bëhet vlerësimi i të gjitha pronave që figurojnë në emrin e Zogut, dhe pasi të merret prej saj shuma e borxhit prej 6 milionë euro dhe të arkëtohet në arkën e shtetit, në se do të mbesë gjë, le t’i jepet si trashëgimi pinjollit të ish-Mbretit Zog.

    Trashëgimtari Leka i II, me ligj, ka patur të drejtë edhe të mos e kërkonte trashëgiminë ligjore. Në këtë rast ai nuk detyrohej ligjërisht të paguante borxhet e gjyshit apo të babait. Por po e kërkove këtë të drejtë, detyrimisht do përmbushësh në radhë të parë detyrimet që i ka trashëgimlënësi yt të tjerëve, në rastin konkret popullit shqiptar dhe arkës së shtetit të tyre.

    Për fatin e keq, me qenë se sot kemi në pushtet njerëz tërësisht të papërgjegjshëm deri në ekstrem ndaj interesave kombëtare, ndaj fateve të popullit, si dhe ndaj vetë shtetit ligjor e demokracisë, në vend që të veprohet së paku, siç kanë vepruar të gjitha shtetet serioze të botës, si bije fjala fqinji ynë Greqia, në raport me marrëdhëniet pronësore me ish-Mbretin, kreu i qeverisë sonë, dhe tashmë së fundi, edhe kreu i shtetit tonë, Presidenti i Republikës, bëjnë “cubin” me pasurinë kombëtare të shqiptarëve, duke ia dhuruar atë në rrugë kriminale pinjollit të Zogut. Shkelin kështu si pa gjë të keqe Kushtetutën dhe ligjet e tjera të vendit, i trembi kështu për vdekje shqiptarët me mendësinë e Luigjit të 14-të «shteti jam unë»!

    Ish-Mbreti i Greqisë, me gjithë se ka motër Mbretëreshën e Spanjës, një personalitet me autoritet dhe integritet të lartë ndërkombëtar, nuk mundi deri në Gjykatën Ndërkombëtare të fitonte asnjë kacidhe nga pasuritë që pretendonte se ishin të tijat, por që me të drejtë u sekuestruan nga shteti grek dhe i kaluan pasurisë së tyre kombëtare. Lëre më pastaj në se do të kishte vepruar si ky myteberi ish-Mbreti ynë, që e vodhi thesarin e shtetit të shqiptarëve, dhe tashmë, përmes pinjollit të tij që punon në Presidencë, kërkon ta vjedhë për të dytën herë me radhë!

    Rustem Peçi, Kryetari i Komitetit të Vetëranëve të Luftës

    Pallati i Brigadave është bërë me paratë e popullit shqiptar dhe Ahmet Zogu nuk ka qenë asnjë ditë atje. Ai është pronë e popullit dhe nuk është pronë e Zogut. Po Lekës iu hap oreksi dhe do të vjedhë dhe këtë ashtu siç ka vjedhur dhe prona të tjera. Ky është një mashtrim si nga gjykata, po ashtu është edhe një kërkesë e paligjshme e të vetëquajturit princ. Sepse ai nuk është as princ, asgjë, pasi edhe babai i tij e humbi të drejtën për t’i thënë mbret, dhe ata nuk janë as mbretër, as mbretëresha as një gjë. Ata janë vetëm një grup hajdutësh që kanë vjedhur tërë jetën e tyre dhe vazhdojën që të zhvasin.