Av. Altin Goxhaj/ Shoferët e autobusëve, në grevë të paligjshme kërkojnë rritje çmimesh

    377
    Sigal

    ZMK, thirrje 4 institucioneve shtetëroren për masa të menjëhershme, po dëmtohen qytetarët

    Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve, ZMK, konsideron grevën e sotme të transportit publik si të paligjshme dhe në kundërshtim me interesin publik. Kjo grevë e organizuar nga Federata e Punonjësve të Transportit Publik është sponsorizuar dhe orientuar nga Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetës si një mjet presioni ndaj Qeverisë për rritjen e çmimit të biletës dhe disa lehtësi fiskale dhe subvencionimi duke ushtruar presion ndaj qytetarëve. Dëmi që i është bërë qytetarëve është i pallogaritshëm dhe anti- human dhe ka goditur në mënyrë të veçantë shtresa dhe grupe të caktuara shoqërore në mënyrë tinëzare dhe të pandershme. Një grevë në transportin publik ka karakter simbolik dhe synon gjithmonë të krijojë sa më pak probleme dhe shqetësime tek popullsia, por ajo e djeshmja si dhe ajo e pak ditëve më parë kanë synuar krejt të kundërtën. Nëse punonjësit e sektorit privat të transportit publik nuk u paguhet rroga prej disa muajsh nga kompanitë kontraktuale të këtij shërbimi ky është një akt i shëmtuar dhe anti- human i kompanive dhe në kundërshtim të plotë me mundësitë financiare të këtyre kompanive dhe në kundërshtim me kontratat e licencimit që kanë me Bashkinë Tiranë.

    ZMK i bën thirrje:

    1. Federatës së Punonjësve të Transportit Publik që në emër të interesit publik:

    a) të mos organizojë greva që prekin të gjithë linjat, por vetëm në një linjë që sjell më pak probleme

    b) të mos organizojë greva nga e Hëna në të Premte dhe që zgjasin më shumë se një orë

    2. Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetës, që në emër të ligjit dhe detyrimeve kontraktuale:

    a) të mos vazhdojë të përdorë në mënyrë antinjerëzore dhe tinëzare punonjësit e vet duke mos i dhënë pagat

    b) të mos dëmtojë konsumatorët sepse kjo është në kundërshtim me kontratat që ato kanë me Bashkinë Tiranë

    c) të heqë dorë nga kërkesa për rritjen e çmimit të biletave sepse kjo është në kundërshtim me ligjin për konkurrencën

    3. Bashkisë Tiranë që në emër të mbrojtjes së interesit publik dhe detyrimeve kontraktuale që kanë me ankesat e konsumatorëve:

    a) Të marrë masa urgjente për të ndëshkuar kompanitë e transportit publik që kanë shkelur sot kushtet kontraktuale

    b) Të përgatisë masa urgjente për të krijuar mundësi për futjen e aktorëve të tjerë në treg që janë të gatshëm të ofrojnë shërbimin e merituar për qytetarët me kushtet aktuale

    4. Komisionit për Mbrojtjen e Konsumatorëve që në emër të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorëve:

    a) Të shqyrtojë dëmtimin që i është bërë konsumatorëve

    5. Qeverisë Shqiptare që në emër të ligjit, interesit publik dhe mbrojtjes së interesave të konsumatorëve:

    a) Të mos pranojë asnjë opsion për rritjen e çmimit të shërbimit të transportit publik për qytetarët

    b) Të sigurojë uljen e kostos së transportit qytetës nëpërmjet heqjes së akcizës për karburantin dhe avantazhe të tjera fiskale mbi karburantin që u duhet kompanive për transportin qytetës

    c) Abonetë të kenë fuqi detyruese për akses në të gjitha linjat e transportit sipas qyteteve përkatëse dhe aktorët në treg të ripajisjen me dokument identifikimi të gjithë personat që përfitojnë transport falas