Auron Tare*/Edhe skandali me Kalanë e Lezhës vazhdon

506
Sigal

*deputet i PS-së

Vendimi i MTKRS-së për t’i hapur rrugë dhënies me qira të Kalasë së Lezhës sjell në vëmendjen e publikut  një skandal të ri. Vitin e kalur, kur Forumi i Trashëgimisë Kulturore denoncoi këtë projekt si të papranueshëm për një qender historike me rëndësi ndërkombëtare, MTKRS-ja prezantoi projektin e arkitektit Reshat Gega si një projekt shumë ambicioz. Një sërë emrash të njohur të Trashegimisë Kulturore folën publikisht kundër këtij projekti, duke denoncuar faktin se Kala e Lezhës do të shndrohej në një pikë biznesi dhe jo në një qendër të rëndësishme të turizmit kulturor në shërbim të komunitetit.  Zërave kundër këtij projekti ju përgjigj Arkitekti Reshat Gega, i cili e mbrojti projektin e tij si një vepër që do ti hapte rrugën e rivitalizimit të kësaj keshtjelle në mënyrë bashkëkohore. ( sigurisht duke shtuar edhe një fushë tenisi në majë të Kalasë)  Ditet e fundit  ky projekt u risoll tashmë në vëmendjen e publikut me firmën e MInistrit të ri Zhiti,  por çuditërisht askush nuk foli për hartuesin e këtij Projekti, arkitektin Reshat Gega.  Arkitekti Gega në fakt ka gati një vit që qëndron larg projekteve të restaurimeve, pasi Këshilli i Lartë i Restaurimeve i ka hequr licensën për arsye të dëmtimeve të monumenteve të kulturës. Arkitekti Gega, i cili ka vite që punon për një firmë të lidhur fuqimisht me rrethin e FAMILJES, ka qenë një prej përfituesve kryesorë të fondeve të restaurimeve në qytetin e Gjirokastrës. Restaurimet e bëra me një cilesi shumë të ulet dhe me kosto shumë të larta nuk kanë lënë asnjë gjurme në Monumentete e Gjirokastrës. Edhe pse ndaj arkitektit Gega ka një denoncim publik të bërë nga Drejtuesi i Misionit Italian që punon në Manastirin e Mesopotamit, Prof Machiarela për dëmtim të pa kthyeshëm të Kishës së Shën Nikolës, përsëri ky arkitekt ka qenë fituesi i shumicës së tenderave në Gjirokastër.  Por duket se problemet e tenderave të dhëna nga mirëbërësit e tij të MTKRS-së i kanë sjellë edhe telashe, duke i hequr përfundimisht licensen e aktivitetit. Pra, ne sot kemi një projekt të hartuar nga një arkitekt, i cili është shpallur nga MTKRS-ja si dëmtues i monumenteve, fakt ky i përsëritur edhe nga ish Ministri Bumçi në debatin e Komisionit të Mediave.  Lind pyetja, si ka mundësi që Këshilli i Lartë i Restaurimeve kalon një projekt të një arkitekti, që  po ky Këshill i ka hequr licensën?  A është e mundur që një arkitekt, që i është hequr e drejta e ushtrimit të profesionit, të ushtrojë tashme rivitalizimin e një prej Kështjellave më të rëndësishme të Ballkanit? Me çfarë kriteri shkencor Këshilli i Lartë i Restaurimeve ka vendosur që projekti i hartuar nga një arkitekt pa licensë të kalojë si projekt restaurues? A do të pranonte dikush të operohej nga një doktor që i është hequr licensa se ka sëmurë më keq pacientët e tij?  Sigurisht që jo. e pra arkitektit Gega i është hequr licensa pikërisht se ka “sëmurë” më keq monumentet, të cilat i ka pasur  ligjërisht në mbikqyrje. Ky skandal i rradhës në gjirin e Ministrisë së Kulturës tregon gjithnjë e më shumë se sa keq dhe sa në mënyrë korruptive manaxhohet Trashëgimia jonë Kulturore. Për të gjithë është e qartë se ky projekt nuk është një projekt që kërkon të shpëtojë Kalanë e Lezhës, por është qartësisht një projekt korruptiv në dëm të vlerave të Trashëgimisë Kombëtare.