Aulon Bej KALAJA/ Kaposhi

    457
    Sigal

    Ata janë të frikësuar! Këtë vit ata, ashtu si edhe vitin që kaloi, nuk e morën rrogën e 13-të, madje as shpërblimin simbolik, që krahasohet me gjelin e detit. Nuk është vetëm kjo arsyeja e frikës, por prej kohësh mbi ta po ushtrohet presion për gjoja faturat e papaguara ndaj shtetit. E vërteta është se po sulmohet pikërisht shtresa më përfaqësuese e Shqipërisë tonë dhe kjo në mënyrën më të pakuptimtë, ose me qëllim. Meqenëse nuk marr vesh nga financat dhe nisem nga dijet e mia profane në këtë fushë, më lind e drejta të mendoj, se cila është mënyra që kjo qeveri po menaxhon paratë e derdhura nga qytetarët që po mbajnë radhë për të paguar faturat e energjisë elektrike? A do të ishte e udhës që një pjesë të këtyre parave, qeveria t’ia shpërndante si shpërblim fundviti, arsimtarëve, mjekëve e infermierëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve, policëve dhe administratës që përbën palcën e shtetit?! Sigurisht që populli nuk di gjë për këtë, sepse kemi kryeministrin dhe ministrat që mendojnë për ta dhe ata ia kanë dhënë “çelësat” e drejtimit. Si kudo, qeveria mbledh taksat, i menaxhon ato dhe në fund i shpërndan ato për popullin, e thënë trashë. Por për dy vite Kryeministri Rama nuk i dha asgjë popullit të vet, madje as kaposhin. Pyetja është se ku e çoi Rama dhe të tijtë kaposhin e popullit?! Mesa duket e kemi ngarkuar me një detyrë të vështirë që nuk i’a mbajnë dot shpatullat. Ndoshta qeveria e harroi popullin! Po populli, a do ta harrojë qeverinë?! Fakti që nuk pati asnjë reagim nga ata që nuk e përfituan kaposhin, tregon pastër se frika është instaluar edhe në qelizën më indipendente të shqiptarit. Me kalimin e viteve jeta duhet të përmirësohet, sepse janë vetë standardet e kohës që ta imponojnë diçka të tillë, por me ne nuk qenka e thënë. Më parë rroga e 13-të ishte kthyer në modë dhe jepej çdo fundvit, ndërsa më vonë u reduktua në një shpërblim simbolik prej 10 mijë lekësh të reja, e ndërsa në 2013 dhe 2014, as nuk diskutohet fare për të trembëdhjetën rrogë dhe as për gjelin e detit. Askush nuk na e sqaroi përse nuk u shpërnda “sadakaja” nga qeveria. Ndoshta nëpër korridore shkollash, gjykatash, rajonesh, ka disa intelektualë që mallkojnë nën zë, faktin që edhe këtë vit nuk mund të dalin ballëhapur para fëmijëve, duke sjellë ushqim të bollshëm dhe domethënës për festat e fundvitit. Por kjo “revoltë” mbetet po aty dhe përplaset vetëm në korridore, e nuk ka jehonë, sepse ata mendojnë: “mirë pagën e 13 nuk e morëm, as gjelin nuk e morëm, por nëse flasim na ikën dhe vendi i punës”… Pyetja është si do të përkthehet kjo revoltë, sepse që ka një lloj zemërate popullore të paktën nga ata që kanë vite që punojnë në administratë, me këtë qeveri kjo nuk do as mend dhe as kalem. Ata janë të frikësuar sepse nëse do ishin në kushte komode, do derdheshin nëpër sheshe, ashtu siç ndodh në botën e qytetëruar. Por në kushtet e Shqipërisë, ndoshta zemërimin e shprehin me votë refuzuese. Apo ndoshta në zgjedhjet e ardhshme, qeveria do shpërndajë diçka, që quhet ndryshe shit-blerja e votës. Vetëm se atëherë nuk bëhet fjalë për gjel deti, por për thes mielli. A do ti pranojnë shqiptarët, këta njerëz me karakter, paratë (që janë po të tyret, por që jepen nga duart e politikanëve), për të marrë miell dhe për të bërë petulla gënjeshtare?! Le t ia lejmë kohës… Po kush foli për këtë modë të re që po instalohet më në fund?! E kam fjalën për modën e mos shpërblimit, për kohën e frikës, për epokën e mos dhënies së “sadakasë” nga qeveritarët, për ikjen e gjelit të detit në emigrim dhe për kalimin gradual dhe të papranueshëm.

     Rroga e 13-të, “Gjel deti – Asgjë…”

     Pra për këto halle është folur pak ose aspak! Ndoshta opozita po bën ende llogaritë sa njerëz ishin në protestën e fundit të 22 nëntorit. Media e dërrmuar nga betejat e fituara me mullinjtë e erës, rri e bën sehir e merret me turlifar ngjarjesh pa vlerë. Ndoshta edhe për të humbur gjurmët, duke ia lënë sërish ujkut mëlçitë në qafë. Sepse në muajt që lamë pas, “me kënaqësi” ju bëj me dije se u mbyllën disa media dhe mbi 16 emisione, në “oponencë” me qeverinë. Ndoshta ish rastësi! Nga ana tjetër shoqëria civile është e verbër dhe nuk i bën përshtypje kauza, sepse e kanë mendjen ku e ku të gllabërojnë ndonjë fond, ose ende vuajnë nga paranoja e burgut, simbolika e zhvillimeve të fundit tek ne. Ata kanë frikë sepse askush nuk flet për to, madje dhe ata nuk flasin për veten, por flasin me vete! Ndoshta janari do jetë shpresëdhënës, sepse është marrë vesh që do rritet çmimi i energjisë elektrike, do rritet çmimi i cigareve, do rriten dhe disa taksa të tjera, ndërsa për ulje nuk bëhet fjalë. E sërish ata nuk do të flasin, nuk do të çohen, por do të flasin me vete, sërish do mallkojnë nën zë dhe do të presin kohën kur flet sovrani, për të marrë petullat ose për të shfryrë mllefin e akumuluar, këtë do ta shohim.