Atmosferë “zvicerane” te Skënderbeu, jo titullin për një dënim të “zbutur”!

768
Nga Agron KAJA
AKTUALITET/ Burime pranë klubit bardhekuq, konfirmojnë për gazetën “Telegraf” lëvizjet e fundit: Korçë-Zyrih-UEFA-KAS
Në këtë fillimjavë, Skënderbeu u përfaqësua në Lozanë me presidentin Ardjan Takaj dhe juristin Lorin Burba, duke kërkuar që vendimi i Komisionit të Etikës në FSHF të hidhej poshtë, pasi klubi nuk mund të gjykohej dy herë për të njëjtën çështje. Këtë lajm e kanë konfirmuar dje burime zyrtare në klubin e futbollit korçar, të cilët këtë takim e quajnë si vazhdim të përballjes më 22 janar në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë pas apelimit të klubit korçar kundër vendimit të Komisionit të Etikës, i cili u hoqi titullin bardhekuqve të sezonit 2015-2016, me vendimin e datës 23 qershor 2017. Po këto burime deklaruan dje për gazetën “Telegraf”, se gjatë javës së ardhme do të merret një vendim për këtë problem, ose do të mbetet në fuqi vendimi i FSHF-së, ose ai do të shfuqizohet. Gjithsesi, ky është problemi i kësaj jave, por jashtë burimeve në FK “Skënderbeu”, mësohet se kjo është një lëvizje taktike e drejtuesve të këtij klubi, dhe këtë çështje ata e mendojnë si një “amortizator” në favor të një dënimi më të lehtë që UEFA mund të marrë më pas për skuadrën korçare. Fjala është për atë vendim të muajit shkurt 2018, i cili parashikonte një dënim 10-vjeçar për Skënderbeun, i akuzuar për trukime ndeshjesh në sezonin 2015-2016. Dhe për këtë synim, Presidenti Ardjan Takaj ka disa ditë është “ankoruar” në Zvicër, duke menduar më shumë për mbrojtjen që do të bëjë në UEFA. Seanca dëgjimore lidhur me këtë mundësi dënimi, ka rëndësi të madhe në këto kushte, ndaj këtë javë, mësohet se Takaj në Zvicër është takuar edhe me përfaqësuesit e studios ligjore që e mbron Skënderbeun në UEFA, duke u marrë me dosjen që inspektorët e saj kanë përpiluar për dënimin e Skënderbeut. Në Korçë është duke u përfolur për një dënim, jo më të madh, se tri vite pezullim nga UEFA, dhe një gjobë 250-400 mijë euro. Duke parë kërkesën ekzemplare të inspektorëve të Etikës, ky dënim do të ishte një lehtësim për bardhekuqtë, dhe për këtë është duke menduar Presidenti Takaj, edhe pse zyrtarisht, agjenda e tij mbetet tek Titulli Kampion 2015-2016. Kështu, atmosfera “zvicerane” në kampin korçar duket si një “qitje me larghedhje”, nuk e duam Titullin Kampion për një dënim të “zbutur”! Përpos kësaj atmosfere, skuadra e Skënderbeut kryeson bindshëm Kategorinë Superiore në 23 javët e zhvilluara, dhe këtë fundjavë pret Lushnjen e vendit të fundit.
Duke u nisur nga mungesa e fakteve, por vetëm bazuar në dyshime të arsyeshme, dënimi i Skënderbeut mund të jetë për një dënim jo më të madh se tri vite pezullim nga UEFA, dhe një gjobë 250-400 mijë euro. Kjo është edhe garancia që ka dhënë studio ligjore zvicerane që do të mbrojë korçarët në UEFA
Sigal