At’ Stath Melani

    551
    Sigal

     Figura të shquara në altarin e nderit të kombit shqiptar 

     * historian

     U lind në Melan të Shqerisë më vitin 1858. Më 1876-n mërgoi në Stamboll, ku u lidh me rrethet atdhetare shqiptare dhe u mor me shpërndarjen e  librave të shkruara shqip. Mërgoi në SHBA  dhe në vitin 1899 u dorëzua prift në Kishën e Shën Mërisë së Uorçesterit.Poatë vit u kthye në Përmet. Përuroi të parën meshë shqip në Kishën e Përmetit. Më 1908-n u bë edhe Ikonom në Mitropolinë e Përmetit. Shtëpia e tij u bë bazë e çetave të armatosura që luftonin për lirinë  e Shqipërisë.  Më 1909-n u arrestua dhe u burgos disa muaj nga autoritetet turke në Janinë. Mori pjesë në Kryengritjen e Përgjithshme të vitit 1912. Në vitet 1911 – 1912, së bashku me djalin e tij, Manthon, formoi çetën e tij patriotike, ku u rreshtuan shqiptarë ortodoksë e myslimane, ndër të tjerë edhe atdhetari i njohur Isuf Imami nga qyteti i Përmetit, dhe, me trimëri, në krye të çetës luftoi për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Përkrahu  fuqishëm Qeverinë e  Ismail  Qemalit. Në vitet 1913 – 1914 luftoi me armë në dorë  kundër bandave të andartëve dhe ushtrisë greke që pushtuan viset e Shqipërisë se Jugut dhe u përpoqën të organizonin të ashtuquajturën “Kryengritje të Vorio-Epirit”, me të cilën synonin t’ia aneksonin këto treva shqiptare Greqisë. Në vitet 1913 – 1914 u arrestua dy herë, në fillim në Përmet dhe pastaj në Leskovik dhe uburgossë fundi përsëri në Janinë.  Luftoi kundër forcave të Esat pashë Toptanit. Më 1914 u  arrestua nga esadistet në Vlorë dhe, pasi u lirua, bashkë me të birin, mërgoi përsëri në Amerikë. U kthye përsëri në atdhe në fillim të vitit 1917.  At’ Stath Melani është një klerik i madh atdhetar, që luftoi për çlirimin e për mbrojtjen e atdheut, punoi për gjuhën e shkollën shqipe dhe për mëvetësimin e Kishës Ortodokse të Shqipërisë. Më 24 dhjetor 1917 u vra barbarisht në vendin e quajtur Balta e Kuqe e Lipivanit dhe iu pre koka nga një bandë e paguar nga qarqe të caktuara të reaksionit fetar e shtetëror të Greqisë.   U varros me nderime nga përmetarët trupi pa kokë i priftit kombëtar në Kishën e Shën Kollit të qytetit të Përmetit.  At’ Stath Melani është një klerik i madh i ortodoksisë autoqefale shqiptare dhe atdhetar i madh  i lirisë e pavarësisë së Shqipërisë. “ … At’ Stathi Melani i ka bërë shërbime të mëdha, të nalta e të rralla Atdheut … Ai është hero dhe dëshmor   i madh i Shqipërisë”, – ka thënë Fan Stilian Noli.

    Ministria e Kulturës, përçudnon shtatoret e heronjve të Luftës Nacionalçlirimtare duke u hequr yllin e kuq                         

    Gani Kajtazi, një atdhetar i ditëve të sotme

     Jakup B. GJOÇA

    “Heroi i Popullit” Vojo Kushi, me pseudonimin “Tarzani”, tani dhe  shtatorja e tij duket më bukur! Kjo falë përkujdesit të qytetarit Gani Kajtazit, i cili e ka restauruar disa herë shtatoren e “Heroit të Popullit” Vojo Kushi. Shtatorja, sikundër edhe shtatoret e tjera kushtuar heronjve e dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare, po rrënohen edhe nga veprimet barbare të disa njerëzve, por edhe tjetërsohen nga organizma qeveritare, duke u ndryshuar përmbajtjen. Rastësisht, para pronës së Ganiut është i vendosur busti i “Heroit të Popullit”, Vojo Kushi. Tek “Selvia”. Para selvisë shekullore, ashtu siç e njohin tiranasit e vjetër, këtë pemë gjigande.  “Edhe unë jam krenar – thotë Ganiu – që të bëj diçka, aq sa kam mundësi për Vojo Kushin, “Heroin e Popullit”. Çfarë e ka shtyrë apo e ka detyruar dikush këtë njeri të bëjë gjithë këto shpenzime për mirëmbajtjen e bustit, të krijojë një lulishte të bukur dhe të rrethuar mirë, me pllaka mermeri të kuq, që shndrisin e dallohen në distancë, të mbjellë në këtë lulishte lule me shumë ngjyra, që lulëzojnë në saj të një kujdesi të vazhdueshëm të tij? “Një ditë,  përgjigjet Ganiu, kalonin turistë të huaj dhe fotografuan  monumentin e heroit, i cili dukej i nxirë  e mos më keq me blozë, afër tij kishte plehra e mbeturina, kishte vite që askush nuk kujtohej, asnjë njeri s’kishte vendosur dorë mbi këtë bust. Këta turistë ishin perëndimorë, bënë foto qe veprimi i tyre shumë mirë të tregonte, që këtu në mes të kryeqytetit, askush nuk interesohet apo të kujdeset njeri…për këto dëshmi të historisë tonë…Ata ndaluan dhe diskutuan me njeri-tjetrin ashtu në grup siç ishin, bënin krahasimin me vendin e tyre, është  e vërtetë. Mendova se vendin e tyre heronj apo figurat e shquara qëndrojnë lart në piedestal dhe respektohen me krenari nga të gjithë. Veprimi i turistëve, qeshja e tyre më vrau shumë. Të them të vërtetën, u ofendova, dhe aq sa i përçmuar e ndjeva veten nga ai veprim i tyre. Mendova gjatë se këtë gjë duhet ta bëj shteti, por ja që asnjë njeri nuk po mendon e të kujtohet. Nga kjo histori menjëherë vendosa ta bëj këtë punë vetë me iniciativën time, që kushdo që të kalojë, shqiptar apo i huaj qoftë, të fotografojë heroin dhe statujën e tij, në nderin që i takon Vojo Kushit. Prapë u mendova… I thirra mendjes .. të lihet…Jo kështu i harruar, pastaj padashje i poshtëruar. Menjëherë më shkoi në mendje thënia e të madhit Dritëro. Tani….në vitet që kalojnë… “S’ka më heronj, heronjtë i përzumë”!…

    Është një jetë dhe një vdekje që na lidh, vëlla …

    Gani Kajtazi na kujton edhe një episod. Dikur, dikush nga Ministria e Kulturës, u “përkujdesua” dhe i hoqi nga shtatorja e “Heroit të Popullit” Vojo Kushi yllin e kuq dhe vendosi një pllakatë, ku shkruhej thjesht emri i Heroit Vojo Kushi. Ky përçudnim i shtatoreve të heronjve kombëtarë, nga vetë Ministria e Kulturës, tregon zellin politik të drejtuesve të qeverisë sot, që duan të tjetërsojnë edhe historinë. Në këtë 100 vjetor të Pavarësisë, sa vlerë do të ketë një monument i Ahmet Zogut në Tiranë,  që  qeveria  përkujdesohet të ngrejë, kur,  ndërkohë, dhunohen bustet, shtatoret e heronjve, e dëshmorëve  që dhanë jetën për çlirimin e Atdheut?

    Kush ishte Vojo Kushi?

    Vojo Kushi u lind në Shkodër në vitin 1918, gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte komandant i njësive guerile në mbarë Shqipërinë. U vra nga italianët më 7 tetor të vitit 1942Tiranë. Në aktivitetin e tij, ai ishte edhe kapiten i  ekipit të futbollit “Shqiponja”. Në përleshje e sipër me fashistët, në momentin e fundit të jetës së tij ai ngre zërin dhe thërret: Gjëja më e madhe është t’i falësh jetën Atdheut, por njëkohësisht duhet të dish si t’ia falësh!... Populli këtë hero, menjëherë e lartësoi në këngë që ai kurrë të mos harrohet, ai do të jetë një frymëzim për çdo brez që do të vijë. Kënga labe me vargjet në elegji atë e kujton: E djalosh që paska rënë/ O, oj ho, e mjera nënë-o/ Paska dukë si një copë hënë/  O, oj, ho, e mjera nënë-o/  Ç’paska rritur ajo nënë/ O, oj,.ho, ç’trim i bukur paska qënë/ O, oj ho, e mjera nënë-o!….