At Nikolla MARKU/ Zoti Rama, si kryeministër mos kërko bekimin e Anastas Janullatosit

    50

    Zgjedhjet parlamentare mbaruan. Ne do t’ju kemi juve kryeministër të Shqipërisë zoti Edi Rama. Ju uroj mbarësi dhe paqe në punën tuaj, që do të fillojë së shpejti.

    Fushata juaj e fundit në Shkodër, duke përmendur shumë nga njerëzit historikë të rilindjes, më lindi një dëshirë për t’ju shkruar në shtyp. Besoj se çdokush në këtë komb, që quhet kombi shqiptar, do të bindej për papajtueshmërinë e kontributit të rilindësve në dobi të kombit shqiptar, krahasuar me misionin anti- shqiptar të Anastas Janullatos.

    Dëshirën tuaj për t’i dhënë titullin qytetar nderi i kryeqytetit, kur ishit kryebashkiak, po e anashkalojmë si një mungesë informacioni ose si një gabim politik, që fare mirë mund ta korrigjoni në të ardhmen. Qëndrimet tuaja për disa çështje tepër delikate si, ujërat detare etj., të lënë të kuptosh se ju po bëheni koherent me atë çka ndodh nën rrogoz në dëm të Shqipërisë. Unë besoj se, ju nuk do të përsërisni gabimin historik ndaj Janullatosit, duke i ofruar një agjenti të asfalisë greke dhe nazistëve grekë respekt si kryeministër i Shqipërisë. E ndiej si detyrë ndaj kauzës së ortodoksisë së pavarur, por dhe si njeri i thjeshtë, të mbroj kombin shqiptar nga çdo sulm apo dëshirë për ta zhdukur dhe tjetërsuar historinë e vërtetë. Pikërisht, për këtë arsye madhore, po ju kujtoj dhe njëherë se çfarë dëmi po ndodh ndaj kombit shqiptar nga Anastas Janullatos, ky gozhdë Nastradini, me një mision kundër jugut të Shqipërisë dhe në tërësi ndaj kombit shqiptar.

    Zoti Rama. Ju e dini shumë mirë se Shqipëria nuk ka vetëm rilindës ndër shekuj por ka dhe martirë, që për çështje jetike të atdheut dhe kombit, janë sakrifikuar me jetën e tyre, kisha ortodokse Shqiptare ka një statistikë të gjatë martirësh. Si mund të lutem përpara altarit të kishës për Kristo Negovanin, Dhaskal Todhrin, Petro Luarasin, Fan Nolin, Visarjon Xhuvanin etj., kur në krye të kishës ortodokse Shqiptare qëndron Anastas Janullatos, nipi i atyre që gatuan helm dhe gjak kundër martirëve ortodoksë shqiptarë, martirë që ëndrra e tyre ishte që, kisha të ishte e pavarur dhe të mëshohej Shqip.

    Në fjalën tuaj në Shkodër, ju përmendët priftin legjendar dom Simon Jubanin. Dikur në fillimet e demokracisë, ju keni pasur marrëdhënie politike të një niveli shumë pozitiv me priftin Simon Jubani. Le t’i bëjmë një pyetje vetes tonë. Po të ishte gjallë dom Simon Jubani, çfarë qëndrimi do të mbante ndaj Janullatosit? Shumë të burgosur politikë, që kanë jetuar me të në burg, kane një konsideratë të lartë për shkak se, ky prift i pamposhtur ishte një atdhetar i pakompromis. Zoti Rama, besoj se, kur bëhet fjalë për varreza të ushtrisë Greke (varrezë memorial), nuk është problemi për të respektuar djem nënash që kanë humbur jetën për atdheun e tyre por, për interpretime të dëshmorëve në Vorio-Epir. Një politikë e mirëfillte me eshtra njerëzish, nuk njihet në historinë e njerëzimit përveç Janullatosit që frymëzon dhe mbështet plane fantazmash. Ishte pikërisht Janullatos që nuk organizoi asgjë për 100- Vjetorin e Pavarësisë sepse, për të nuk ka Shqipëri të pavarur, por ka vetëm Vorio-Epir dhe Serbi. Besoj se, ju e kuptoni se çfarë kuptimi ka kur kreu i kishës ortodokse shqiptare meshon greqisht dhe aq më tepër në institucione ndërkombëtare flet greqisht, nënkuptimi është i qartë.

    Financimi dhe ndihma që jep për ndërtim kishash, një ditë do t’i paguajmë shtrenjtë sepse, pothuaj asgjë në këtë botë nuk bëhet për hir të Zotit, të paktën nga ky person. Janullatos ka treguar që pas financimeve vjen gjuha greke me imponim, ndryshimi i emrit, ndryshimi i kombësisë, përcaktimi i territorit, aty ku nuk ka grekë etnik siç nuk janë etnik dhe grekët në disa fshatra të Shqipërisë.

    Zoti Rama. Anastas Janullatos, asnjëherë nuk ka ndihmuar kur kanë ndodhur spastrime të refugjatëve shqiptarë nga Greqia. Ai kurrë nuk bisedoi me kishën Serbe që ajo të heq dorë nga spastrimet etnike dhe konfliktet artificiale, që mbjell në Mitrovicë e gjetke dhe aq më tepër të lutet për shqiptarët e zhdukur në Kosovën martire. Ju kërkua një meshë për viktimat e gjenocidit grek ndaj shqiptarëve etnikë të Çamërisë dhe Janullatos nuk e mbajti. Për çfarë është ky njeri në Shqipëri? Për të na ndihmuar? Veprimtaria e tij është tregues i qartë i misionit Vorio-Epir.  Sigurisht që e mbështet organizata agjenture Omonia dhe politikani me kulturë dhe i edukuar me thikë pas shpine Vangjel Dule.

    Zoti Rama. Jam koshient për përgjegjësinë tuaj ndaj këtyre emrave, si dhe për ekuilibrat që t’i dikton koha, ekuilibra që kërkojnë t’i ruash dhe t’i mbash për një Ballkan në paqe dhe harmoni. Anastas Janullatos ka pas vetes shtetin Grek, shtet kaq të përkëdhelur nga Anglo-Sanksonët. Një mushkonjë ta pickojë në Shqipëri Janullatosin dhe shteti Grek e kthen në predhë kundër lirisë e broçkullave hipokrite që përdorin kundër vendit tonë. Zoti  Rama, injorojeni prezencën e Janullatosit si klerik i fesë. Janullatos vetëm njollos veprimtaritë e shtetit dhe institucioneve shqiptare me prezencën e tij. Aty ku ndodhet ai, është prezente asfalia Greke dhe kriminelët e Vorio-Epirit. Mos pranoni bekim nga Anastas Janullatos sepse, do të njollosni amanetin e heronjve të kombit shqiptar por sidomos atyre ortodoksë që për një kishë të pavarur kontribuuan gjithë jetën, mos harroni se ata ishin rilindës. Mos pranoni bekimin e tij sepse do t’i vini qeverisë tuaj të ardhshme një dyshim negativ për orientimin e saj qeverisës. Thjesht zoti Rama injorojeni Janullatosin si njeri që misionit të tij anti shqiptar dhe aspak fetar, i ka dalë boja përfundimisht.

    *Kisha Ortodokse Pavarur Kombëtare Shqiptare Shën Maria, Elbasan