Astrit Lulushi/ Spiuni shqiptar i paguar nga nazistët për të sabotuar britanikët

    419
    Sigal

    Më 6 tetor 1943, një person “i armatosur” me mbi 50 fotografi, troket në derën e ambasadës gjermane në Ankara dhe kërkon t’i shesë ato për 20-mijë sterlina. Nëpunësi përkatës i verifikoi fotografitë, dhe megjithëse çmimi iu duk i lartë, e pagoi personin dhe i tha të vinte sa herë që të kishte foto të tilla. Kështu filloi karrierën e tij si spiun me pagesë shqiptari Iliaz Bazna ose Ciceroni, emri i koduar që i dhanë nazistët. Në vitin 1942 ai kishte filluar punë si shërbyes pranë ambasadorit britanik në Turqi; më parë kishte qenë shërbëtor i ambasadorit jugosllav. Bazna, një njeri shtat-shkurtër në të dyzetat, zbuloi se ambasadori britanik mbante dokumente të rëndësishme në një kuti metalike në dhomën e tij. Në një rast, kur mbeti vetëm, ai arriti të kopjonte në dyllë çelësin e kutisë; dhe së shpejti filloi të fotografonte dokumente sekrete britanike. Gjatë muajve, dokumentet e Ciceronit filluan të vlerësoheshin brenda hierarkisë naziste, përfshi Ribentropin dhe Hitlerin. Gjatë tre muajve të parë të vitit 1944, Bazna vazhdoi furnizimin e zbulimit gjerman me kopjet e dokumenteve të punëdhënësit e tij britanik; nazistët paguanin mirë dhe Ciceroni kishte filluar të bënte plane për të dalë në pension. Në gusht, Turqia ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Gjermaninë; në shkurt 1945 i shpall luftë; dhe Gjermania nuk kishte më nevojë për Baznën. Me rreth 300-mijë sterlina angleze të kursyera ai tërhiqet mënjanë për të jetuar i qetë, por jo aq shpejt. Luftës po i afrohej fundi; trupat aleate hynë në Gjermani; çlirojnë edhe qindra mijëra njerëz që mbaheshin në kampe përqendrimi; në një nga këto kampe, aleatët zbulojnë edhe fabrikën për prodhimin e parave të falsifikuara, në kuadër të “Operacionit Bernhard” për dobësimin e ekonomisë britanike, – me sterlina të tilla të rreme nazistët kishin paguar edhe Iliaz Baznën, i cili pas luftës ngriti padi ndaj qeverisë federale gjermane “për pagesa të prapambetura”, por pa sukses. Pjesën tjetër të jetës, Bazna e kaloi në Stamboll, duke dhënë mësime muzike ose duke shitur makina të përdorura. Lindur në Prishtinë më 28 korrik 1904, Iliaz Bazna vdiq më 21 dhjetor 1970, në Munich të Gjermanisë. Disa thonë se ai kishte qenë agjent i dyfishtë, – vetë Ilias Bazna nuk tregon gjë në librin e tij “I was Cicero”, ndoshta sepse ky libër ishte pjesë e një operacioni të zbulimit britanik për të mbajtur tepër sekret sistemin e agjenturës së dyfishtë për shumë kohë edhe pas luftës së dytë botërore. Në vitin 1952, Çështja Bazna gjithashtu frymëzoi kineastët për realizimin e filmit “Five Fingers” me aktorin e njohur James Mason në rolin e shërbyesit të pabesë.