Asnjë “lëpirëse” për 42 jetimët e Gërdecit dhe për 10 jetimët e 21 Janarit

    380
    Sigal

    Disa shtresa sociale, nëpunës shteti dhe punonjës shërbimesh publike, u shpërblyen dhe u kujtuan nga “Rilindja” me nga një “dhuratë” në vlerë e në natyrë për Vitin e Ri 2015. Si tregues “humanizmi”. Sipas deputetit Braçe kaq ishin mundësitë, ndaj kaq u shpërblyen. Të vetmit në nevojë ekonomike e në nevojë shpirtërore, që nuk u kujtuan prej “Rilindjes” në këtë Vit të Ri, janë 42 jetimet e skllevërve të vrarë në Gërdec në fabrikën e demontimit të trafikimit të municioneve në 15 mars 2008 dhe 10 jetimët e protestuesve të vrarë në 21 janar 2011, në protestën e “Rilindjes” në Bulevardin përpara zyrave të Qeverisë, ku sot qëndron e drejton kreu i “Rilindjes”. Për këta jetimë në varfëri e hidhërim, nuk u kujtua as shefi i Qeverisë, as ministri i Shanseve të Barabarta, as shoqata që “ushqehen” me fonde milionëshe pranë “Rilindjes”, duke marrë projekte edhe për drejtësinë e tyre, as Braçe që në vitet e opozitës ka folur 546 herë në Parlament në media e “FB” për të drejtën e tyre. Kjo “harresë”, ka krijuar trishtim në familjet e këtyre jetimëve e viktimave, mbasi nuk e mendonin kurrë që “Rilindja” e cila ka thënë se vrasjen e tyre e ka kauzë për drejtësi, nuk i kujton as për Vitin e Ri. Ata që i vranë i kanë harruar, ata që premtuan drejtësi, nuk i kujtuan. Ndoshta e kanë lënë t’i kujtojnë në 21 janar e 15 mars me ndonjë homazh me pallto të zeza, me lule të kuqe, kurora e shirita mavi. Ajo që nuk u bë, është kujtimi dhe nderimi i tyre në këtë Vit të ri. Nuk mendojmë, se “Rilindja” që po ulërin për buxhet “bosh”, ka mbetur aq keq financiarisht, sa të mos u jepte të paktën nga 1 “lëpirëse” jetimëve të Gërdecit dhe 21 Janarit.

    Përparim Halili