Asllan Musai, modeli i humanizmit, urtësisë dhe madhështisë njerëzore, ai ishte Njeri, me shkronjë të madhe

    422
    Sigal

    Asllan Musai, është portreti i urtësisë, humanizmit  dhe korrektësisë njerëzore. Ai ishte modeli i njeriut që u gjendet të gjithëve pranë, kur ata kanë nevojë, ndërkohë që, pasi i ndihmoi të gjithë ata që trokitën në portën e tij për halle të ndryshme, më në fund iku nga kjo botë pa kërkuar asgjë për vete. Por populli i Vëndreshës, Skraparit dhe Tiranës, ia konvertoi sakrificat që bëri për ta, me një ndjenjë të thellë respekti e nderimi. Sepse Asllan Musai me gatishmërinë dhe ndershmërinë e tij e kishte të hapur çdo portë shtëpie, dhe çdo zemër të njerëzve të njohur. Asllani lindi më 10 Maj 1943 në Vëndreshë të Skraparit, në një  familje të lidhur me Luftën Antifashiste Nacional – Çlirimtare.  Babai i tij, Kasemi dhe nëna e tij, Etemja, ishin dy engjëj të urtësisë njerëzore, të cilët edukuan tek djali i tyre ndjenjën e humanizmit për njeriun dhe patriotizmit për vendin e tyre. Ndërsa xhaxhai i tij ishte një patriot i vërtetë dhe ai u bashkua menjëherë me forcat progresiste që luftonin okupatorin, si partizan i brigadës së 7 sulmuese. Xhaxhai i tij në këtë luftë mori një koleksion plagësh sepse plumbat e italo-gjermanëve e goditën tre herë, por ai nuk u tërhoq. E vazhdoi luftën duke ndjekur të pastër deri në fund, idealin e tij patriotik, për çlirimin e vendit dhe për ndërtimin e një shoqërie të vërtetë demokratike. Ndërsa dajua i tij Shako Vala (Saliasi) ishte partizan i ditëve të para, duke mos kursyer asgjë për lirinë e kombit shqiptar. Më në fund, pas përleshjeve titanike me armiqtë, ai ra dëshmor i Luftës Nacional-Çlirimtare, duke i shtuar kështu fisit të Asllanit një atribut fisnikërie dhe trimërie, para të cilëve përulet me respekt e gjithë bota e qytetëruar. i thamë të gjitha këto për të dëshmuar se vatra familjare ku u brumos, Asllan Musai ishte një shkollë atdhetarizmi dhe patriotizmi.

      Në një moment, nga ata që tani, në këtë kohë tepër të ngarkuar, të jepen shumë rrallë, i rashë edhe një herë mendërisht, aq sa munda, kryq e tërthor, jetës sime, “u ritakova” me shumë njerëz me të cilët më ka lidhur jeta dhe puna, me miq e me shokë që i kam dashur sinqerisht e me shpirt, gati në  mënyrë naive, e që ma kanë kthyer këtë dashuri me shpirt, po në mënyrë si dhe unë. Jam takuar, si i thonë fjalës, me të mirë e me të liq, por që të dy palët, çuditërisht, tani, në këtë moshë kanonike, i dua dhe i vlerësoj njësoj, se prej të dyve kam mësuar: nga të parët, po e po (zgjidhe shokun më të mirë nga vetja), dhe, nga të dytët, për të mos bërë atë që bënin ata. Nga ata që kam veçuar, që i kam në zemër e do t’i kem  sa të jem gjallë, se ata kanë ndikuar në jetën time,  janë shumë, por unë do të veçoj disa, si: Nexhip Visocka, Meleq Kotobelli, Nuri Shkëmbi, Asllan Musai, Xhevahir Spahiu e ndonjë tjetër. Dua që këta njerëz, që kanë lënë gjurmë të thella te unë, të jetojnë më tej. Dhe, mënyra më e mirë është që t’i kem në shënimet e mia. Skripta manent.

    Njohja me Asllan Musain

    Ka qenë viti 1973, kur jam njohur me Asllan Musain. Unë sa kisha filluar punë si redaktor në gazetën lokale “Jehona e Skraparit”, ndërsa ai vinte nga uzina e famshme e armëve të Poliçanit. I dalluar si specialist i mirë, në një nga repartet më delikat dhe më të rrezikshëm të uzinës, Asllani kish shfaqur edhe aftësi të tjera, si një aktivist e veprimtar shoqëror. Ishte kjo arsyeja, që, në kuadrin e parullës “të mësojmë nga klasa punëtore”, atë e prunë në Çorovodë si kuadër, në fillim në Komitetin e Partisë dhe pastaj në Bashkimet Profesionale të rrethit, detyra që ai i justifikoi dhe i kreu në mënyrë të përkushtuar, në mënyrën më të mirë të mundshme, si një njeri shoqëror, komunikues dhe i dashur me të gjithë njerëzit që e kanë njohur. Kur them kështu, nuk dua të përdor epitetet dhe vlerësimet e dikurshme, por Asllani ishte i veçantë, dhe këtë veçanti ai e kishte krejt të tijën dhe vërtet të dallueshme. Edhe tani, që kanë kaluar kaq vjet që ai nuk jeton më, jam i bindur se bashkëkohësit e tij që do të lexojnë këto rreshta, jo vetëm do të më japin të drejtë, por do të më bëjnë vërejtje, që nuk i kam thënë të gjitha ato që duheshin thënë për të.

    Kam patur fatin që për më shumë se dy vjet të kem fjetur në një dhomë me Asllanin. Unë në moshën delikate të rinisë, ëndërrimtar, tërë energji e hov, “ç’futuronte, hahej”; ai i  më i madh në moshë, i ekuilibruar, i matur, i pjekur, për mua imponues, si një Sokrat i vërtetë. I faleminderit!

    Në atë kohë nuk të përkëdhelte njeri, aq më tepër, si unë edhe ai, që vinim nga fshati dhe s’kishim njeri të na bëhej krah. Për ne ishte e qartë, e vetmja gjë që do të na mbante dhe do të na çonte përpara, ishte puna, një punë derrçe, fshat më fshat, por edhe aty net pa gjumë duke lexuar e punuar deri pas mesnate.

    Pas 5-6 vjetësh, puna e Asllanit u bë më e dukshme, atë e transferuan në Tiranë, në një detyrë të rëndësishme. Edhe që andej vinin fjalë të mira për Asllanin. Ai vazhdonte tani të zgjeronte rrethin e miqve dhe të shokëve në gjithë Shqipërinë ku e çonte puna. Por nuk vazhdoi shumë dhe atij iu shfaq një sëmundje e pashërueshme. Edhe pse i sëmurë, ai vinte shpesh në Skrapar,  por edhe kur nuk vinte, s’kishte ditë të mos na merrte në telefon dhe pyeste për të gjithë, veçanërisht kishte merak dhe pyeste për ato familje ku i kishte rënë të hante bukë dhe s’kishte mundësi t’ua shpërblente. “U bëni të fala, thoshte, të mëdhenj e të vegjëlve”, duke qetësuar në këtë mënyrë pak shpirtin, se e kishte shpërblyer atë që kishte ngrënë. I tillë ishte Asllani, i kujdesshëm, i vëmendshëm me njerëzit. Por s’kaloi shumë dhe vdekja që di të marrë, por që s’di të zgjedhë, një ditë e mori Asllanin, këtë njeri të mirë, të thjeshtë e të pabujë, me plot virtyte njerëzore, që e donte i madh e i vogël në Poliçan e në Skrapar. Ka qenë e trishtuara dita kur mora lajmin për vdekjen e Asllanit. E përcollëm me dhimbje në një varrim madhështor dhe dinjitoz, ku merrnin pjesë me qindra vetë nga të gjitha fshatrat  e Skraparit, nga Çorovoda, Berati dhe Tirana. Kam lexuar diku se filozofia e jetës është fare e thjeshtë, dhe ai që shkruante e krahasonte me bishtajën fasules, që, kur thahet, çahet dhe lëshon kokrrat. Kështu dhe Asllanit i u bënë fëmijët, djali, Engjëllushi, Liliana dhe Ela. Të tre të mirë si ai. Lushi, sa herë e takoj, më nxjerr mallin e Asllanit, jo vetëm nga tiparet, por edhe nga mënyra se si buzëqesh, por edhe se si e pinte duhanin. Lilianën e mbaj mend të vogël. Ishin në një pallat me motrën time, Dyshen, por Sadija e merrte edhe te puna, Bashkimet Profesionale, ku zyrat i kishim pranë njëra-tjetrës. Lili ishte një fëmijë i bukur, me sy të shkruar, të mëdhenj dhe qerpikë të zesë e të gjatë që harkonin bukur. Kam menduar atëherë se Liliana  ishte shumë e llastuar, bile kur shkëmbehesha nëpër shkallë i thosha “Mimoza Llastica”, personazh fëminor i një filmi në atë kohë dhe nga ana tjetër mendoja: “Qysh do të bëjë Sadija me këtë”! Por ajo u bë një çupë e mirë, e rregullt, dhe me një bukuri të përsosur, që e pati, si I thonë fjalës, kësmet djali i dajos së mamasë time, Sadi. Sinqerisht, jam gëzuar për këtë lidhje. Kam kohë pa i takuar, por, krahas angazhimeve të shumta, do ta gjej kohën për një kafe me ta.

    Tani, në fund të këtyre shënimeve, më kujtohet heroi i mitologjisë greke, Dionisi, që mori qiririn dhe kërkonte në errësirë. “Çfarë kërkon”,- i thanë. “Njeriun, u përgjigj, s’po gjej dot njeriun”!  E pra, fjala njeri për mua është titull dhe Asllani e meritoi këtë titull, ai, siç thotë Kiplingu, ishte me të vërtet njeri, NJERI me shkronjë të madhe.

    ASLLAN MUSAI: URTESIA DHE VIRTYTI

    Bashkim Koçi

     Nëse do të më duhej të hidhja në letër jetëshkrimin e mikut tim të viteve të shkuara, të të paharruarit Asllan Musai, sigurisht që ai nuk do të  “gjendej” kurrkund po të  mungonte ajo çka e veçonte  nga të tjerët: urtësia dhe virtyti.

      Gjithkush del nga jeta ashtu siç ka hyrë, thotë i mençmi popull. E tillë ka qenë ajo edhe për të mirin Asllan, i cili, si një skraparlli “njëzetekatër karatësh” diti që të mbetej nga fillimi e deri në mbarim të jetës, (edhe pas vdekjes) i njëjti brumë, pa asnjë cen në shpirtin dhe ndërgjegjen e tij.

      Të gjithë ata që e kanë njohur dhe e kujtojnë, shumëkush që e mban mend “portretin” e Asllan Musait, i bashkon vlerësimi se ishte  “njeriu  pa egjër”, personi ku treteshin në një: dashuria për jetën dhe pathyeshmëria për të bërë detyrën. Dhe ky “portret” nuk shfaqej për të qenë i tillë brenda kuadratit të interesave vetjake, për të mbetur me të gjithë “qejf pa prishur e punë pa bitisur”, por personi që ka marrë përsipër të gjejë “fundin” e mirësisë e të sakrificës që ka për objekt jetën e njerëzve. Nuk ka asnjë tepri, nuk ka as më të voglën shtesë nëse themi që ky njeri, me qëndrimet që mbante e me punët që kryente e “thoshte” orë e çast togfjalëshin  “ Unë nuk jetoj për të mbetur i vetëm, jeta ime është edhe e juaja”.Dhe ky togfjalësh nuk iu nda deri në fund të jetës.

     Jeta më e gjatë nuk është gjithmonë më e mira. Mund të jetosh pak, por për ç’ka ke bërë, për ç’ka ke kryer në ato vite jete, mbetesh i paharruar për veten dhe për njerëzinë. Një ndër këta simbole, që për hir të së vërtetës pakkush  ka  fatin të cilësohet si i tillë, është dhe mbetet edhe Asllan Musai. Ai kudo ku punoi e jetoi, në “rrogoz” apo karrigen e lartë të shtetarit, mbeti ai që ish në të vërtetë; njeriu që pozicioni i ‘të madhit”, i  “të rëndësishmit”, i atij që vinte në emër të të fuqiplotit, i shkaktonte ndjenjën e përzierjes. Kurrë mos beso, mbaj mend të më thoshte pas një ballafaqimi që bëri (për shkak të detyrës që mbante në një institucion të lartë partiak të kohës), midis dy personave nga të cilët, tek njëri nga ata kuptoi se ishte i lig, se një njeri që kapet pas fitimeve materiale është i lumtur. Asllani për aq sa jetoi e kërkoi lumturinë e tij dhe të familjes, duke mos u bërë kurrë skllav i së keqes. Motoja e këtij njeriu të mirë në të gjithë qenien e tij ishte: Një shpirt i keq e bën gjithçka të keqe, edhe atë që dukej e mirë.

     Jeta nuk vlerësohet për nga gjatësia, por nga përdorimi i saj. Mund të ndodhë që të rrosh shumë, por të jetosh pak. Asllan Musai i përket atij grup njerëzish që rrojtën pak por jetuan shumë. Sepse kështu e gatitën radhën e punëve. Të parat i bënë të parat dhe të fundit i përfunduan në kohën e duhur. Në këtë kuptim ai nuk “bëri gjumë” për të lënë ndonjë gjë përgjysmë. Madje, mesa mbaj mend, ai zëmërohej keqazi me ata që e kalonin kohën kot, me ata që e “vrisnin” jetën mejhaneve e që me mendjelehtësi mendonin se bënin diçka.

      Virtyti, mirësia, gjithçka e çmuar  tek njeriu nuk mund të blihet. As nuk mund të shitet. Ato përfitohen pa as më të voglin shpenzim. Asllan Musai, për të cilin po hedh me shumë dashuri këto radhë, nuk qe kurrë i pasur, nuk tentoi kurrë të bënte “të kamurin”, por ama mbeti i veshur me “gurë xhevahiri’, kokë e këmbë, për nga urtësia e dashuria për njerëzit. Dhe këtë “madem” të rrallë nuk tentoi t’ia përvetësonte kush. E mbajti për  vete në këtë jetë e në atë jetë.

    Sigurisht, njerëzit kujtohen, sipas rastit, për të mirë e për të keq. Asllan Musai në këtë përvjetor, por kurdo e kudoqoftë, mbetet një emër i përmasave që bartin vetëm pafundësinë e mirësisë. Nëse do të mundja të shkruaja dy rreshta mbi varrin ku ai prehet, do ishin: Këtu prehet Urtësia dhe Virtyti, të pavdekshmet në Botën e të vdekshmëve. Asllan Musai !

       Atë që s’e thashë dot atëherë…

     Murat Maksuti, shok e koleg i Asllanit

    Ndodh shpesh që, kur ndahet një njeri nga ne, e ngarkojmë dhe i vëmë në dukje, ndonjë herë edhe me tepri, vlerat dhe cilësitë e rralla që ai ka shfaqur sa ka qenë gjallë. Jo se bëjmë ndonjë gabim dhe themi ndonjë gjë të pa qenë, përkundrazi gjithçka është e vërtetë dhe e merituar, pasi shprehim atë që kemi kursyer në gjallje, fjalën e pathënë, atë që kemi ndjerë në shpirt së thelli, por që s’kemi mundur ta nxjerrim jashtë. Me Asllanin unë kalova një jetë të tërë, që kur vajtëm të vegjël, Cola, në Poliçan. Aty, mes 3000 e ca punëtorëve të Kombinatit Ushtarak u rritëm e u burrëruam. U bëmë të gjithë mjeshtra në profesion. Atë që e shihte syri, e bënte dora. Por atë që s’ia kam thënë Asllanit atëherë, ishte se punimet e tij vetëm gojë s’kishin. Asllani kishte një natyrë e fizionomi të qeshur. Ai kishte një ndjenjë të thellë humori dhe bënte  shumë shaka. Kur hynte ai në repart, një shoku ynë thoshte, “Kur hyn Asllani në repart, hyn pranvera”. Por ne nuk i a thamë atij këtë asnjë herë. Asllani kishte një aftësi të rrallë, ai zinte shpejt miqësi, ishte i hapur dhe të detyronte me mënyrën e tij që edhe ti t’i hapeshe.  Të gjendej pranë për gjithçka e “bëhej copë” të ta zgjidhte hallin. Shpesh e kolegët e punës e zinin në gojë nëpër familje, “që Asllani më bëri këtë e atë”, “Asllani më tha kështu e ashtu”. “Na e bëtë këtë Asllanin byrazer, vetëm që nuk fle këtu”, kishte thënë njëri një herë. Pra, në një farë mënyre, bëhej pjesëz familjeve të miqve të tij, por që këtë s’ia tha njeri asnjëherë.  Në atë kohë kishte konflikte të ndryshme nëpër lagje, fshatra apo brigada kooperativiste. Kush e dinte, e gjente zgjidhjen, dërgonte “ilaçin” Asllanin, dhe sherri merrte fund. Ne e dinim, por nuk ia vumë në dukje asnjëherë forcën magjike që zotëronte ai në të tilla raste. Kur kaloi në detyra të larta e të vështira, ai ndjeu nevojën e arsimit dhe të një informacioni më të madh kulturor, e vuante këtë defiçencë, por me një punë titane, duke kaluar net pa gjumë, e kaloi shpejt këtë gjë, jo vetëm mori arsimin e duhur, por nuk rreshti kurrë së studiuari.