Asdreni/ Poezi

    429
    Sigal

    Dua

     Mbi bar dua të prehem,

    të këndoj, të dëfrehem!

    Të shoh rreth bagëtinë,

    kur hanë edhe pinë.

    Të shoh fushat e blera,

    bimrat kur fryn era,

    njerëzit kur punojnë

    dhe çupat kur këndojnë!

    Ah! Dua edhe lulet,

    kur i shfaqin pekulet!

    Dhe fluturat që venë,

    mbi to dua të jenë,

    bilbili t’ia thotë,

    dielli t’jet’ i ngrohtë,

    pylli të gjelbërojë,

    qyqja të mos pushojë!

    Dua edhe Shqipërinë,

    se atje kam shtëpinë,

    ku rrija nëpër ferrat

    edhe lozja me shqerrat:

    për këto kam dëshirë

    edh’ as dua më mirë,

    veç atje dua të shkoj

    sa të jem e sa të rroj!

     

    Atje

    Atje poshtë, nën atë breg,

    nëpër lisat ku dielli s’djeg,

    ku vesa bukur që shkëlqen,

    atje të bares më pëlqen!

    Atje ku bari gjelbëron

    edhe lulja tek mbretëron,

    ku bilbili më s’ka pushim,

    për atje kam një mallëngjim!

    Të pylli ku lozin zoçkat,

    thëllëzat e përpoloçkat,

    ato më kënda t’i shikoj,

    atje, besa, dua të rroj!

    Atje tek burimi po rrjedh

    nënë hije, futur nënë bredh,

    atje më pëlqen të shtrihem,

    atje të fle dh’ atje të ngrihem!

    Atje te mali, ku fryn era,

    sa mban dita, sa mban vera,

    atje më pëlqen të bares,

    atje të rroj gjersa të vdes!

    Atje n’at’ vend të Shqipërisë,

    n’ato mal’ e ato vise,

    e them me zemër, jo me fjalë,

    atje dua shpirti t’më dalë!