Arvizu: “Draft përfundimtar për imunitetin” Rama: “Ne, qëndrim të qartë”

564
Sigal

Arvizu përpiqet të bindë Ramën, për të votuar në 6 gusht, imunitetin

Duket se deklaratat e fundit të liderit të së majtës, Edi Rama për ta votuar në shtator heqjen e imunitetit, pasi të merren n shqyrtim propozimet e PS-së, ka ngjallur reagimin e diplomatëve në vend.  Dje Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu zhvilloi një takim në selinë rozë me kreun e PS.  Dihet se, ndërkombëtarët kanë apeluar shpesh që çështja e heqjes së imunitetit të zyrtarëve të votohet në 6 gusht. Pas përfundimit të takimit që zgjati rreth 1 orë, Ambasadori Arvizu ka deklaruar se, në takimin me Ramën ka sqaruar edhe njëherë qëndrimin që ka SHBA në lidhje me çështjen e imunitetit.  Ai nënvizoi se: “SHBA-të gjithmonë ka luajtur rolin e avokatit për heqjen e imunitetit, si kusht për luftimin e korrupsionit dhe për dhënien e llogarisë nga ana e zyrtarëve. Ne besojmë se është shumë e rëndësishme heqja e imunitetit, por të merren edhe hapa të tjera politike për gjyqësorin e prokurorinë”,- tha ai.  Ambasadori Arvizu u ndal të theksojë edhe njëherë se, SHBA-të e mbështet draftin e hartuar nga PACA dhe EURALIS, ndërsa kërkon që palët të gjejnë konsensusin dhe të votojnë një draft përfundimtar.  “Shpresojmë në bashkëpunimin mes partive që të mund të parashtrojnë disa prej ideve të diskutuara ditën e shtunë. Drafti duhet të jetë i pranueshëm prej partive dhe popullit. Përsa i përket 6 gushtit do të theksoja që drafti fillestar është bazuar në një themel të shëndoshë, gjithashtu, të shtunën ekspertët dhanë dëshmi të forta. Nëse disa prej ideve mund të përfshihen në një draft të rishqyrtuar atëherë deputetët duhet ta votojnë, të jetë a një draft konsensual e përfundimtar”, -tha ai, ndërsa shtoi se:-“Unë nuk do ta them më që shpresoj të votohet heqja e imunitetit në 6 gusht, por do them që politika të vendosë atë që është më e mirë”.  Ambasadori amerikan theksoi se, përfaqësuesve të dy partive u është kërkuar të mund të mbledhin të dyja këndvështrimet e tyre, duke shpresuar që ato të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. “Të mund të përfshihen disa prej ideve të parashtruara të shtunën në Këshillin e Legjislacionit, që të përpilohet një draft gjerësisht i pranueshëm prej partive, i cili të shërbejë si një hap përpara për Shqipërinë”,- tha Arvizu.

Imuniteti, Rama: “Duhet reformë kushtetuese”
Pas takimit me ambasadorin Arvizu, kreu i PS-së, Edi Rama deklaroi edhe njëherë se qëndrimi i tij për këtë çështje është i qartë. Rama tha se, vendit i duhet një reformë kushtetuese dhe jo një arnim i Kushtetutës. “Ne nuk kemi vendosur kushte, nuk bëjmë pazare, kemi vizion dhe jemi të bindur se vendit i duhet një reformë kushtetuese. Sot jemi dëshmitarë se korrupsioni i ulur këmbëkryq i ka këmbët tek tryeza e qeverisë, krimi i organizuar i ka rrënjët tek qeveria e Shqipërisë. Sa herë që ka çështje të një rëndësie madhore që kanë të bëjnë me korrupsionin, imuniteti parlamentar s’ka qenë pengesë dhe as heqja e tij nuk ka garantuar gjykim të ndershëm. Ne nuk do arnojmë kushtetutën në gusht e pastaj të bëjmë arnime të tjera”, komentoi Rama.  Ai shtoi më tej se debatet që vazhdojnë të bëhen për heqjen e imunitetit janë shterpe.  “Ne jemi të gatshëm për reforma reale, është koha për ndryshime thelbësore. Unë e neveris propagandën e Kryeministrit që kërkon konsensus dhe sulmon, as në tregun e fshatarëve nuk përdoret kjo gjuhë. Nuk kemi respekt për thirrjet e kryeministrit”, vijoi ai.