Artur Sulçe:Një humbje jete në ditë, nga aksidentet rrugore

    465
    Sigal

    Intervistë/Artur Sulçe, specialist për aksidentet rrugore: Nën 15 vjeç, grup-mosha më e rriskuar

    Dita ditës faqet kronike të mediave të ndryshme mbushen me aksidente rrugore që përfundojnë me humbje jete. Infrastruktura rrugore të papërfunduara ku mungon kujdesi për elementet e sigurisë, është shpesh burimi i aksidenteve që mbarojnë me pasojë vdekjen. Këtë gjë e konfirmon në një intervistë për gazetën “Telegraf”, eksperti i aksidenteve rrugore, Artur Sulçe. “Fëmijët nën moshën 15 vjeç janë grupi  më i rriskuar për sa i përket aksidenteve, ndërsa njerëzit mbi 65 vjeç janë grup-mosha më fatale” tregon z.Sulçe. Ndërsa vazhdon duke sqaruar se pse zonat urbane “pjellin” aksidente, më shumë se ato ruralet. Përsa i përket profesionalizmit të Policisë Rrugore, z.Sulçe shprehet se “shërbimi që i ofrohet komunitetit për sa kohë do të kemi administratë shtetërore elektorale dhe jo profesionale do të sjellë dështime të mëdha”.

    Z.Sulçe, kemi dëgjuar kohët e fundit për shumë aksidente rrugore, të cilat shpesh kanë përfunduar dhe me humbje jetë njerëzish. Sipas jush, cilat janë arsyet?

    Siç e dini dhe ju, magjistralet kryesore të infrastrukturës rrugore  në vendin tonë nuk kanë përfunduar akoma, ato janë në ndërtim dhe personat përgjegjës si nga investitori nëpërmjet supervizorit, apo nga kontraktori që bën ndërtimin,  tregohet shumë pak kujdes për elementet e sigurisë rrugore të cilat duhet të shoqërojnë këto ndërtime të infrastrukturës rrugore. Në vendin tonë janë bërë përafrimet e legjislacionit me ato të BE-së  dhe si shtet  kemi firmosur dhe ratifikuar te gjitha konventat në lidhje me sigurinë rrugore, por ato nuk zbatohen aspak në vendin tonë. Në vendin tonë pjesa më e madhe e rrugëve të pambaruara janë si pallatet e banimit të pambaruar ku banojnë njerëz dhe punimet vazhdojnë, çfarë do të thotë se potenciali i rrezikut është maksimal. Gjithashtu dhe ardhja e refugjatëve nga jashtë e rrit volumin e trafikut, sidomos në këtë stinë të verës, të cilët duke parë këtë “rrëmujë” totale nuk do të sillen ne trafik siç sillen në vendin ku punojnë dhe jetojnë me familjet e tyre.

    A kemi ndonjë statistikë për aksidentet dhe sa prej tyre përfundojnë me humbje jete?

    Në këto vitet e fundit, në vendin tonë numri i aksidenteve ka qenë dhe është relativisht një humbje jete në ditë nga aksidentet rrugore.

    Cilat mosha janë kryesisht viktima të këtyre aksidenteve?

    Disa popuj ndodhen në rrezik të madh në lidhje me aksidentet e këmbësorëve. Fëmijët nën moshën 15 vjeç janë grupi  më i rriskuar për sa i përket aksidenteve, ndërsa njerëzit mbi 65 vjeç janë grup-mosha më fatale. Grup-mosha e përfshirjes në aksidente (aksidentet  në 100,000 banorë) janë më të larta për meshkuj 5 deri 9-vjeçar, të cilët kanë tendencë për të dalë në rrugë. Ky problem mund të jetë i ndikuar  nga fakti se shpejtësitë e larta janë shpesh një problem në zonat ku fëmijët janë duke ecur dhe duke luajtur. Në përgjithësi, meshkujt kanë më shumë gjasa të jenë të përfshirë në një aksident se sa femrat, në vitin 2003, 69 % e viktima këmbësorëve ishin meshkuj, dhe norma e meshkujve të lënduar  ishte 58% më e lartë se sa për femrat. Normat për personat të moshuar (mosha 65 e sipër) janë më të ulëta se për grup-moshat e tjera, të cilat mund të reflektojnë kujdes më të madh.. Megjithatë, këmbësorët e vjetër janë shumë më të prekshëm për lëndime të rënda ose vdekje kur goditen nga një automjet se sa këmbësorët e rinj. Për shembull, përqindja e goditjeve të këmbësorëve me pasojë vdekjen, e tejkalon 20% për këmbësorë mbi moshën 75 vjeçare, krahasuar me më pak se 8% për këmbësorët nën moshën 14.

    Ku ndodhin më shpesh aksidentet rrugore dhe pse?

    Aksidentet e këmbësorëve ndodhin më shpesh në zonat urbane, në rastet kur aktiviteti i këmbësorëve dhe volumet e trafikut janë më të mëdha krahasuar me zonat rurale. Këshilli Kombëtar i Sigurisë vlerëson se 85,7% e të gjithë aksidenteve jo-fatale për këmbësorët në Shqipëri, ndodhin në zonat urbane dhe 14.3% ndodhin në zonat rurale. Në kushtet e lokalizimit të aksidentit, 65% e tyre përfshijnë këmbësorë që ndodhen jo në udhëkryqe. Kjo është veçanërisht e vërtetë për këmbësorët nën moshën 9 vjeç, kryesisht për shkak të daljes së tyre në rrugë gjatë errësirës. Për moshat 45-65 vjeç, aksidentet janë përafërsisht të barabarta si për kryqëzimet ashtu dhe për rrugët e drejta. Këmbësorët në moshën 65 vjeçare e sipër, janë më shumë të ngjarë të jenë të plagosur apo të vrarë në kryqëzime (59 %) në krahasim me jo-kryqëzimet (41%), pasi këmbësorët të vjetër kanë tendencë për të kaluar në kryqëzimet, më shpesh se sa këmbësorët e rinj. Për më tepër disa këmbësorë të vjetër kanë mangësi fizike dhe aftësitë vizuale, që i bëjnë kalimet, rrugë më të vështire për ta.

    Orari me kritik

    Aksidentet për këmbësorë janë më të përhapura gjatë mëngjesit dhe periudhave të pik-ut të pasdites, kur nivelet e trafikut janë më të dendura. Aksidentet fatale te këmbësorëve zakonisht kanë kulmin e tyre në orët e vona të ditës, mes orës 17:00 dhe 23:00, ku errësira dhe përdorimi i alkoolit janë faktorë determinues. Në vitin 2003, 54 % e aksidenteve me pasojë viktima këmbësorë kanë ndodhur  mes orës 16:00 dhe mesnatës. Gati gjysma e të gjithë viktima të këmbësorëve ndodhin ditën e  premten, të shtunën, ose të dielën respektivisht ,16%, 18%, dhe 13%.

    Cilat janë elementet më të dobëta të strukturës së sigurisë rrugore?

    E para, rrugët tona nuk janë të mbaruara dhe të pa pajisura me elementet minimal të sigurisë rrugore, e dyta, ne nuk kemi standard teknik siç ka gjithë bota dhe ndonjëherë rrugët nuk bëhen në përputhje me ato standarde për mungesë fondesh, fusha e projektimit është e dobët për shkak se ndikon investitori me fondin e vënë në dispozicion, entet pronare si persona juridik nuk mbajnë përgjegjësi ligjore për mirëmbajtjen e rrugëve interurbane apo dhe urbane të cilat sjellin aksidente të panevojshme dhe humbje të jetëve të njerëzve për zgjidhje teknike nëpërmjet artificave inxhinierike të cilat kapin vlera të vogla. Sistemi i auditimit të rrugëve është shumë i dobët dhe jo efikas, por gjithashtu shoqëria jonë është peng i jo profesionistëve.

    Po Policia Rrugore a e kryen detyrën si duhet?

    Dhe mungesa e profesionalizmit të policisë me ndryshimet e herëpashershme dhe sidomos në fushën e qarkullimit rrugor ka sjellë ndonjëherë dhe krijimin e situatave të rrezikshme rrugore nëpërmjet posblloqeve të tyre pa planin e nevojshëm dhe jo në përputhje me normat e Kodit Rrugor. Pra shërbimi që i ofrohet komunitetit për sa kohë do të kemi administratë shtetërore elektorale dhe jo profesionale do të sjellë dështime të mëdha.