Artan Paja/ Të mallkuar nga Zoti, të ndëshkuar nga shteti

    554
    Sigal

    Me qindra, në mos me mijëra invalidë gjenden sot të regjistruar në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, të Qarkut të Elbasanit, ndonëse numri i tyre është në rritje, sërish ai mbahet në sirtarin ”top sekret” të këtyre zyrave. Jo më larg se viti i kaluar, pikërisht në nëntor të 2012-ës, komuna, bashki, por edhe vetë rrethi i Elbasanit është vënë në qendër të një proteste, organizuar nga persona me aftësi të kufizuar, të cilët janë ndjerë të shpërfillur duke mos u paguar për disa muaj rresht mbi atë që quhet ”kemp” ose ”ndihmë sociale”. Pas kësaj, shteti duket se reagoi në mënyrë të rrufeshme duke bërë ”gurgule” këto pengesa, por edhe duke i reformuar invalidët nga disa para ekstra që ishin në minimum të etikës dhe humanizmit social, nëse do ta etiketonim të tillë. Në këtë mënyrë, shumë invalidë u përballën me heqjen e disa parave duke ngritur duart nga qielli dhe duke murmuritur ”të mallkuar jemi nga zoti, po pse po ndëshkohemi kaq rëndë edhe nga shteti?? ”. Por ky duket se është një refren, që shteti ynë nuk e njeh aq sa duhet dhe në mos mbyll të dyja sytë, duke kthyer rrugën për korsinë tjetër, atë të ”merkatos” që shpesh bëhen në kurriz të kësaj shtrese. Fillimisht, sistemi ku janë të regjistruar numri i invalidëve (që me të drejtë) gëzojnë këtë status, është një anarki moderne, pasi për çdo vit duhet të paraqesin një dosje me dokumenta përfshirë edhe epikrizën që i identifikon ata si të tillë. Ky është një rast i shkeljes së të drejtave të njeriut, ku haptazi dhe në ”kope” të gjithë invalidët, të çfarë do lloj kategorie qofshin, duhet të ”kolliten” pranë doktorëve dhe doktoreshave, me qëllim që të mbarojnë punë shpejt dhe të mos sorollaten nëpër zyrat e ISSH-së, pasi si të duan ta organizojnë, kostoja financiare do të jetë pothuaj e njëjtë. N.q.s nuk do të japin para nën dorë për ripërsëritjen e kempit, atëherë duhet të vijnë për javë të tëra të trokasin me dorën e prerë në veshët e shurdhër të komisionit mjekësor, ndërsa po dhanë kafen standarde, atëherë çdo gjë kryhet në pak minuta. E njëjta rutinë vuajtjesh i shoqëron këta të përvuajtur edhe nëpër dyert e spitaleve, ku në çdo çast duhet të jenë vigjilentë me sasinë e parave që duhet të kenë në xhep, pasi po dështuan, duhet ta bëjnë sërish rrugën drejt spitalit të nesërmen, të pasnesërmen e kështu kalvari zgjatet pambarimisht. Me gjithë reformat e njëpasnjëshme, të ndërrimit të drejtorëve, kryeinfermiereve, e të plotë autoriteteve në mjekësinë shqiptare, sërish ajo që nuk ndryshon është e lidhur me konceptin, mentalitetin dhe babëzinë për të ”mjelë” sa të mundin atë pjesë të shoqërisë që ndjehen të braktisur, në mes të katër rrugëve dhe për më tepër të mjerë. Ashtu si disa intelektualë që numërohen me gishta, ashtu edhe unë e kam të vështirë të besoj se Europa do të na pranojë së shpejti në gjirin e saj të madh. Unë nuk mund të besoj, se një invalid trajtohet në mënyrën më poshtëruese se sa tek ne, qoftë në Maqedoni, Serbi, Bosnje apo Kroaci. Kur tek ne të zërë vend teza nacionale ”Në funksion të asaj çka duhet të jepet për të gjithë dhe nga të gjithë”, atëherë unë do të besoj se në Shqipëri ka filluar të ndryshojë diçka e mirë, të paktën shumëkush po investon të ndryshojë mentalitetin, më parë se të hedhë këndvështrimin në ekonomi, art, apo politikë. Zotërinjtë që sot drejtojnë velat e mjekësisë shqiptare, duhet urgjentisht t’i kthejnë sytë nga kjo shtresë e pamundur e shoqërisë sonë dhe të hedhin sa më shpejt në veprim politika që ia lehtësojnë sadopak jetën atyre, me qëllim që ëndrrat e tyre të mos mbeten vetëm ëndrra, por që një ditë, ose një orë të vetme ata të ndjehen si të barabartë me pjesën tjetër të shoqërisë, ose së paku të besojnë se qenë të tillë.

     Abdulla Omuri: Ksera do mbahet mend si më negativi për invalidët e punës

     “Për ne invalidët e punës, ish- Ministër Ksera do të mbahet mend si me negativi, kemi akoma më se 4 muaj që të gjithë personat me aftësi të kufizuara nuk marrin ndihmën e paaftësisë. Mendoni se çfarë do të thotë të luash me bukën e tjetrit…”, shprehet në prononcimin për “Telegraf” Abdullah Omuri, kryetar i Shoqatës së Invalidëve të Punës. Më tej, Omuri shpjegon më specifikisht sipas prefekturave, se ndihma e paaftësisë në Prefekturën e Elbasanit nuk jepet prej 4 muajsh në Gramsh, prej 2 muajsh në qytetin e Elbasanit dhe prej 3 muajsh në komuna; në Prefekturën e Korçës prej 3 muajsh invalidët nuk marrin ndihmën që u takon; në Prefekturën e Gjirokastrës nuk marrin prej 3 muajsh; Në Prefekturën e Kukësit prej 2 muajsh; në Prefekturën e Shkodrës prej 2 muajsh; 70% e Prefekturës së Lezhës prej 3 muajsh dhe 30% prej 2 muajsh; ndërsa 60% e Prefekturës Tiranë prej 2 muajsh nuk marrin ndihmën e paaftësisë.