Artan Lame: “Unë te Kryeministria, po bëj punë pa pagesë”. Berisha: “Kjo dëshmon vjedhje”

    417
    Sigal

    Restaurimet e Kryeministrisë, sikurse kontributi vullnetar i ditëve të Enverit

    Rrotacioni i pushteteve, nuk solli vetëm ndërrimin e qeverive, por edhe ndërrimin e ngjyrave të mureve, perdeve të dritareve,  mobilieve, pllakave, xhamave të dritareve, luleve në rrugica dhe vazo, kangjellave, në të gjitha ambientet e Kryeministrisë. Mirëpo, edhe pse ende kryeministria, asnjë ministri, nuk kanë shpallur- të paktën publikisht- asnjë lloj tenderimi, për të gjitha këto punime, e ca më pak, të ishte planifikuar në Buxhetin e Shtetit.

    Formula e tenderimit në restaurimin e Kryeministrisë, vullnetarizëm, si në ditët e Enverit!

    Kryeministri i ri Edi Rama, duke iu përgjigjur akuzave politike të PD-së, se ku u gjetën burimet financiare për restaurimet që bëhen në Kryeministri, derisa qeveria akoma nuk ka publikuar asnjë tenderim, u përgjigj- nga SHBA-të ku ndodhet- se të gjitha punimet në Kryeministri po bëhen me kosto zero, vullnetarisht.

    Pohimi i vullnetarizmit të restaurimeve të …Kryeministrisë

    Njëri prej përfaqësuesve socialistë, të cilët kanë qenë nga dita e parë në godinën e Kryeministrisë, kur po përgatitej ndërrimi i pushtetit, Artan Lame, thotë se janë shumë njerëz që po japin ndihmën e tyre. “Edhe unë vetë jam një donator vullnetar, pasi po bëj një punë që nuk paguhem, por e bëj për kënaqësinë time më të madhe për t’u marrë me ketë gjë. Ke këto ndërtesa që kaq pak na kanë mbetur, dhe vjen dikush dhe të thotë hajde. Donator kam qenë edhe në kohën e Berishës, pasi dua të merrem me këtë gjë”, deklaroi Lame. Ai theksoi më tej se “donacionet janë të disa kategorive, dikush lulet, dikush pllakat, dikush pastrimin etj. Donacione e mëdha janë tjetër gjë, kur të nisim restaurimin me themel do të vihet një pllakë ku do të vihet emri i donatorit”. Mirëpo, ajo që nuk mbart dhe zbardh pohimi i mësipërm është pyetja: Cilët janë ata që kontribuojnë vullnetarisht, në restaurimin e Kryeministrisë? Përse nuk shpallen përditë, emrat e vullnetarëve dhe materialet që ata dhurojnë për Kryeministrinë?

    Transparenca fillon nga …Kryeministria

    Kryeministria është një institucion që nuk mund të bëhet asnjë punim restaurimi, në mënyrë spontane, e paplanifikuar, duke qenë se kontributi është…vullnetar, duke qenë se financimi është ….zero! Në Kryeministri, edhe një perde, edhe një mur të lyesh, edhe një karrige të ndërrosh, duhet ta bësh në bazë të një projekti të miratuar. Vullnetarizmi, përveç vlerave morale, nuk mund të mbartë dot përgjegjësitë. Për punën e bërë vullnetarisht në mjediset e Kryeministrisë, kush mund të përgjigjet? Ai që kontribuon vullnetarisht, nuk mund të mbartë asnjë përgjegjësi penale, nëse cilësia është e dobët, nëse punimet kryhen spontanisht e sipas dëshirës. E ca më pak, vullnetari nuk mund të mbajë asnjë përgjegjësi, për mallin e pakontrolluar, jo të cilësisë së lartë, që sjell dhuratë, në restaurimin e Kryeministrisë. Kryeministria ka një administrator, i cili nuk mund të lejojë këdo, i cili shpreh vullnetarizmin e tij, të shkojë e të punojë në mjediset e Kryeministrisë. Pasi kryeministria nuk është as hekurudhë, dhe as tarracat e bregdetit, që u bënë me punë vullnetare. Para dy ditësh, “Telegraf” botoi kritikën ndaj shpërdorimit të fondeve në restaurimin e Mozaikut të Antigonesë. Drejtori i Parkut të këtij mozaiku, Ëngjëll Serjani, denoncoi, pikërisht mungesën e transparencës në restauruesve, dhe një ndërkohë, nuk i lejoi ata, që të bënin ri-restaurimin pa leje punimi. Atëherë, si ka mundësi, që në Kryeministri, kushdo që shpreh vullnetarizëm, mund të lejohet të hyjë e të dalë, kur të dojë? Pastaj, si mund të projektohet, planifikohet dhe organizohet vullnetarizmi spontan?

    E paligjshme, që kompani biznesi të kontribuojnë vullnetarisht në restaurimin e Kryeministrisë, pa u bërë publike cilat janë?

    Në fotot që publikoi vetë Kryeministri Rama, punëtorët që bëjnë restaurimet në Kryeministri, janë me rroba pune, nuk duken njerëz vullnetarë. Atëherë, kush kontribuon vullnetar në restaurimin e Kryeministrisë? Kompani biznesi? Lejohet që një kompani biznesi të kontribuojë vullnetarisht në restaurimet e Kryeministrisë, pa u bërë publike, qysh më parë emrat e tyre? Apo, mos vallë ky “vullnetarizëm” do të kompensohet më vonë, me favorizime joligjore? Apo këto kompani biznesi që kontribuojnë vullnetarisht në restaurimin e Kryeministrisë, janë kompani të interesave të deputetëve socialistë, e janë ata që kontribuojnë? Kemi të drejtën, të dimë, të informohemi.

    Përse nuk shprehin vullnetarizmin të ndërtojnë strehë për romët?

    Përse këta vullnetarë kontribuojnë vetëm në restaurimin e Kryeministrisë? Kaq e madhe ishte nevoja e ngutshmërisë? Kur, ndërkohë, disa qindra metra larg Kryeministrisë, buzë lumit Lanë, dhjetëra familje me fëmijë flenë në strehën e qiellit dhe në mëshirë të kushteve atmosferike, pasi u prishën me forcë shtëpitë dhe i zbuan, për tua dhënë tokën pronarëve. Përse këta vullnetarë të restaurimeve të Kryeministrisë, nuk kontribuojnë që të riparojnë ndërtesa e të strehohen fëmijët e romëve? Kryeministri i ri, edhe mund të “duronte” të punonte në mjediset që gjeti te zyrat e Kryeministrisë, ndërsa fëmijët romë, rrezikojnë çdo minutë jetën e tyre nën rrotat e makinave në rrugë, në mëshirën e shiut, të ftohtit.