Arsyet që ushtarakët po sorollaten nëpër dyert e gjykatave çdo ditë

    416
    Sigal

    INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” sekretari koordinativ i ushtarakëve në rezervë Hekuran Bajrami

     Ushtarakët janë të pakënaqur nga trajtimi që u ka bërë qeveria për vitin që po lëmë pas. Pasi një pjesë e mirë e kësaj kategorie po endet çdo ditë nëpër dyert e gjykatës, për shkak të Aktit Normativ, i cili i ka penalizuar një pjesë të ushtarakëve. Përpjekjet e shoqatës së ushtarakëve kanë qenë të mëdha për të marrë pensionin që u takon, por që nuk kanë marrë asnjë rrugëzgjidhje. Në lidhje me këto përpjekje ka folur në një intervistë për “Telegraf” sekretari koordinativ i ushtarakëve në rezervë Hekuran Bajrami. Ndërkohë që, në lidhje me krijimin e një partie ai shprehet se një po janë angazhuar dhe po angazhohen ushtarakë edhe të rretheve.

     -Zoti Bajrami, po lëmë pas një vit, si do e vlerësonit punën e qeverisë që ka bërë për ushtarakët?

    -Aktualisht është duke u implementuar ligji 10142 datë 15.05.2009. Dhe nga ky ligj siç dihet kanë përfituar ato që janë liruar para vitit 1991 dhe fituan suplement për vjetërsi shërbimi si ushtarakë. Por më keq ishte për ato ushtarakë që sipas këtij ligji nuk morën masën e duhur që u takonte. Nuk janë arritur standardet që ka NATO-ja, për trajtimin e ushtarakëve, por gjithsesi po të shohim standardet që ka Shqipëria është i mirë.

     -Një lidhje me pensionet e parakohshme ka pasur probleme të theksuara, a është bërë ndonjë përpjekje për rregullimin e kësaj çështje?

    -Në lidhje me pensionet e parakohshme ka një problem, pasi ato u ulën me ligjin 9418 që u miratua me 20.05.2005 dhe me ligjin 10142 u ulën gati 50% me atë formulë që ishte atëherë. Edhe pas ankimimit që ne si shoqatë i bëmë në Gjykatën Kushtetuese dhe ajo e hoqi tavanin për pension të parakohshëm. Pas asaj dite qeveria miratoi në parlament një Akt Normativ dhe u shndërrua në ligj duke zëvendësuar nenin 14 të ligjit 10142. Tani për pensionet e parakohshme është bërë një përgjithësim i mëtejshëm. Megjithëse vendimi i gjykatës Kushtetuese thotë se për pensionet e parakohshme të lidhura para hyrjes në fuqi të këtij ligji. Gjithsesi ky ligj po zbatohet ashtu siç është dhe për ato raste kur ky pensioni për vjetërsi shërbimi ulet atëherë ushtarakët u janë drejtuar gjykatave dhe janë  në proces e sipër. Por nuk është mirë që të bëhet një gjyq i dytë për të fituar zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Por kjo po ndodh dhe ka shumë që janë në proces të këtij problemi, ashtu siç ka edhe nga ato që i kanë mbaruar proceset gjyqësore. Në këtë kuptim ligji 10142 pati dy anë, një anë pozitive dhe anë negative.

     -Kush ishin të mirat që solli ky ligj sipas jush?

    -Një nga të mirat ishte që fituan pension suplementar ato që dolën në pension ato që dolën para vitit 1991. Por pati një anë tjetër negative që unë e përmenda edhe më lart. Ana tjetër negative është që u përkeqësua pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Dhe shoqata i ka mbështetur ushtarakët për të shkuar në gjyq dhe për t’u zbatuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

     -Ju si shoqatë çfarë përpjekjesh keni bërë këtë vit për të fituar të drejta tuaja dhe sa është dëgjuar zëri juaj?

     -Në të njëjtën kohë ne kemi bërë dhe disa veprimtari të tilla në lidhje me fitimin e të drejtave tona. Ndër to unë do të përmendja bisedimet me Avokatin e Popullit, kemi dërguar letër në Ministrinë e Financave, Kryeministrit që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Por nuk na kanë dhënë përgjigje pozitive dhe ne do i drejtohemi gjykatave, se ende besojmë tek gjykatat. Kështu që ne po ndjekim këtë rrugë për fitimin e një të drejte që realisht na është dhënë me ligj, por që nuk është zbatuar dhe kjo është një padrejtësi.

     –Një qëllim më vete siç janë shprehur edhe kolegët tuaj ushtarakë është krijimi i një partie nga ana e ushtarakëve. Realisht, sa optimist jeni ju për krijimin e kësaj partie dhe në cilën fazë janë përgatitjet?

    -Është e vërtetë që edhe në bazë edhe në rrethe ka zëra për nevojën e krijimit të një partie nga ana e ushtarakëve. Dhe qëllimi i krijimit të kësaj partie është që të mbrojë më mirë të drejtat e nëpërkëmbura të ushtarakëve sot. Pasi partitë e tjera nuk i kanë mbështetur sa duhet për të mos thënë që nuk i kanë mbështetur fare. Por ky problem është akoma në fillesat e saj, pasi ka zëra pro dhe zëra kundër që nuk e mbështesin krijimin e një partie të tillë. Arsyet që pse nuk i mbështesin është se nëse do bëhemi me njërin krah atëherë do thonë që përse bashkëpunuat me ata, nëse do bëhemi me palën tjetër do jetë po i njëjti qëndrim që përse bashkëpunuat me ata të tjerët. Prandaj për të mos pasur problem me palët e tjera janë dhe zërat që janë kundër. Prandaj është shpejt deri në kohën që duhen hedhur hapa konkretë. Por shoqata ka hedhur shumë hapa dhe me atë përvojë që ka krijuar ka mundësi që të mbrojë interesat e kësaj kategorie që ajo përfaqëson. Ajo mund të kryejë detyrat siç i kryejnë të tëra shoqatat homologe dhe që janë pjesë e NATO-s. Por të shohim se si do të shkojnë gjërat më vonë.